Një nga sipërfaqet tokës më pjellore në komunën e Gjakovës, e njohur si Butësina e begut, në Korenicë i është dhënë në shfrytëzim 30 vjeçar kompanisë Bio Bahqe- Zero pozitiv. Kjo kompani do të investoj në perimtari, blegtori, pemëtari e industrinë ushqimore në vlerën prej 2 milion e 373 mijë euro dhe do të punësoj 34 persona. Pasi këshilltarët komunal të Gjakovës kishin dhënë dritën jeshile për shpallje me interes të veçantë, si dhe Drejtoria komuna e Bujqësisë e kishte publikuar ankandin publik për kompanitë e interesuara, u shpall edhe fituesi. Dje kryetarja e komunës Mimoza Kusari Lila, ka nënshkruar kontratën për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, me drejtorin menaxhues të Kompanisë fituese Genc Meraku.
Drejtoria komunale e bujqësisë bashkë me ekspertët ka përcaktuar edhe kriteret të cilat kompania fituese duhet ti respektoi për tri dekada sa do ta shfrytëzioi këtë tokë bujqësore, ndërsa komuna të përfitoi. Bekim Ermeni, shpalos rëndësinë e kësaj kontrate:
“Kjo kompani do investoj në perimtari, blegtori,pemëtari, vlerën prej 2.373.101 euro dhe do të punësoj 34 veta. Kjo është kontratë 30 vjeçare kurse ky është fillimi i konkretizimit të projekteve që nxisin zhvillimin ekonomik, përkatësisht marrjes në shfrytëzim afat gjatë të pronës komunale, me qëllim të shfrytëzimit sa më racional të tokës bujqësore, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese në sektorin e perimtarisë, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës” tha Ermeni.