A vriten pëllumbat bre!
Poeti i shquar gjakovar Ali Podrimja kishte klithur rëndë për tragjedinë kur kriminelët serb vranë e dogjën fëmijë. Kishte thënë: A vriten pëllumbat bre!
Sot bëhen 21 vite nga masakra në familjen e Vejsave në Gjakovë. Mbi 60 shqiptarë të lagjes së parë në Gjakovë janë masakruar nga forcat serbe, në mesnatën e 1 dhe 2 prillit të 1999. Në atë lagje u qëlluan dhe u dogjën të gjallë burra, gra e fëmijë. Flaka që dilte nga shtëpia e familjes Vejsa tronditi të gjithë banorët e qytetit. Krismat e automatikëve nuk kishin të ndalur. Shtëpia digjej bashkë me trupat e njerëzve të gjallë e të vrarë. 20 vetë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi të strehuar në shtëpinë e Lulzimit u ngjitën në qiell bashkë me flakën që dogji trupat e tyre për ta sjellë dritën e lirisë. Në këtë rrugë, e cila përjetësisht do të përmendet si rruga ku ndodhi masakra që një qenie njerëzore normale, vështirë mund ta imagjinojë. Askush nuk mund ta imagjinojë se si mund të ishte momenti i vrasjes së Ritës së vogël, e cila ende nuk i kishte mbushur 2 vjeç.
Si mund të paramendohet vrasja e Dalinës, që pikërisht atë natë po i mbushte 2 vjeç. U vranë dhe u dogjën bashkë me shtëpitë edhe të katër anëtarët e familjes Cana dhe katër nga familja Gërçari, pastaj te familjeve Dylatahu, Qarkaxhija, Bardoniqi, Haxhija e të tjerë. Në këtë ngjarje mes datave 1 dhe 2 prill 1999 që ngjau në familjen Vejsa i vetmi i mbijetuar ishte Dren Caka që më vonë do të dëshmonte edhe në Tribunalin e Hagës.