Site icon Gjakovapress

Nga numri më i ri revistes Gjakovapress: GJAKOVA NË 38 GRADË!

Muaji Qershor ka pasur dy etapa, e para,  reshje dhe ulje të temperaturave ndërsa pjesa e dytë, me vapë Afrikane!!!

Në të dyja periudhat gjakovarët kanë kaluar me hallet e përditshmërisë. Fatbardhësisht nuk I kemi pasur hallet e mëdha që na kishin kapluar në vitin e shkuar më shumë dhe sivjet më pak me pandeminë Covid 19. Në kuvendimet e çdoditshme kemi pasur më pak debate, biseda, shqetësime për numrin e të infektuarve me Covid 19. Më pak telashe me ilaçet dhe analizat  e shtrenjta që përfshin shërimi nga Covid. Edhe sëmur edhe me telashe ku me i marrë të hollat për ti blerë ato!!!

 Numrat,  kryesisht shumë ditë kanë mbetur të pandryshuar, ndërsa në Spitalin e Gjakovës ka pasur edhe vetëm një pacient të hospitalizuar. Vaksinimi ka vazhduar. Deri në fund të muajit Qershor ka pasur mbi 10 mijë të vaksinuar. Ky është numër i paktë, por megjithatë janë sinjalet se kjo dinamikë do të rritet.

Ministria e Shëndetësisë ka lehtësuar masat anticovid. Më të gëzuarit janë parë të jenë gastronomet dhe hotelierët sikurse edhe ata që kishin bërë plane për ahengjet familjare.

Diaspora ka filluar ta gjallëroi Gjakovën. Gjithçka ka një dinamikë më të madhe. Rrugët , sheshet, restaurantet janë të mbushura. Kompleksi Shkugza, mëngjes e mbrëmje është plot. Nën freskun e pishave të gjata, kafeja dhe ushqimet përjetohen këndshëm. Edhe Kodra e Çabratit, dhe brigjet e lumenjve Drini dhe Ereniku kanë marrë vëmendjen e duhur.

Vapa ka arritur pas gjysmës së Qershorit. Termometri ka shkuar edhe në 4o gradë në disa zona. Dolëm nga i ftohti i fillim qershorit në vapën Afrikane. Shëndeti ynë me zor e pranon një ndryshim kaq të madh.

Mjekët nuk ndalën së apeluari për kujdes të shtuar sepse Qendrat Mjekësore kanë më shumë punë, nga ata që ndjehen keq me shëndetin për shkak të nxehtësisë. Thonë nga 10- 17 të mos dilet për tu ekspozuar në rrezet e diellit. Mesdita e gjen qytetin të zbrazët sepse asfalti përvëlon. Si duket edhe semaforët i ka kap vapa. Punojnë sipas qejfit! Ata që dalin freskohen me akullore. Vijnë mysafirët e paktë për ta vizituar Gjakovën. Shkojnë në Çarshinë e madhe dhe impresionohen me atmosferën që krijojnë rinia, veçanërisht në orët e mbrëmjes. Komuna është zotuar se do ti largojë shisha baret.

Ata pak zejtar të Çarshisë mezi po presin të vijnë diaspora në numër më të madh për ti shtuar shitjen. Nga ata që janë , pak po i “fërkojnë duart”. Mezi po presin diasporën e Zvicrës. Ata, sipas zejtarëve, nuk pyesin për çmimet, siç veprojnë gjakovarët por edhe kurbetçarët e Gjermanisë!!!

Shtrati i lumit Krena bëhet shumë frekuentues sepse lumi jep freski, anipse uji është pakësuar. Fatbardhësisht nuk e ka erën e dikurshme sepse ujërat e zeza kanë hyrë në pjesën e madhe të shtratit në rrjetin e kanalizimit. Në mëngjes e mbrëmje përgjatë shtratit shihen kalimtarë të shumtë.

Ajo që na freskon, në këtë vapë të madhe,  është padyshim uji që na rrjedhë në krojet tona pandërprerë nga KRU Gjakova, duke shuar etjen e madhe që krijon vapa. Të gjithë thonë se , Liqeni I Radonqit është një pasuri e madhe për Gjakovën, Rahovecin e Prizrenin… Nesër e pasnesër do të shuaj edhe etjen e gjysmës së Kosovës…

Vapën e këtyre ditëve në Gjakovë e bëri akoma më të vështirë edhe  cilësia e ajrit. Në mëngjesin e 30 Qershorit,  indeksi i ndotjes ishte 187 ndërsa sipas matjeve të Bonevet Gjakova,  cilësia jo e mirë e ajrit ishte evidente që nga 25 Qershori, kur   në orët e natës i është ofruar indeksit 300!.Djegia e mbeturinave në stacionin transfer ka sjellë kundërmim të madh. Ka pasur reagim të shoqrisë civile dhe opozitës. Fatbardhësisht  cilësia e ajrit është përmirësuar ditëve vijuese.

Në mbrëmje një atmosferë atraktive krijohet në Shkugëz. U bënë shumë restaurante dhe rinia ia mësyjnë kësaj zone atraktive  çdo mbrëmje. Tingujt e muzikës, ndriçimi dhe frekuenca e madhe e karakterizojnë këtë qendër turizmi për Gjakovën. Por, rruga ekzistuese nuk mjafton as për çerekun e vizitoreve. E ngushtë dhe e vështirë për të përballuar veturat e shumta që qarkullojnë andej pari.

Qershori është muaji i planifikimeve për pushimet verore. Velipoja ka mbledhur një pjesë të gjakovarëve që janë ankuar për ujin e ftohtë përkundër rërës përvëluese. Çmimi është shumë I rëndësishëm për ne!!! Edhe Shtatori thonë se është i mirë, pikërisht për shkak të çmimeve më të ulëta se në Korrik e Gusht. Na thonë se jemi kursimtarë të mëdhenj… Na ka mësuar tradita!!! (zeki vehapi)

Exit mobile version