Kujtime , Prof Aliriza Rraci: Synonim çdo familje gjakovare të ketë nga një instrument muzikor
“ATA QË E DUAN MUZIKËN, E DUAN JETËN DHE TË BUKURËN…”
“E ardhmja u takon atyre që mësojnë atë që duhet mësuar, për të bërë atë që duhet bërë.”
Qyteti ynë ka qenë, është dhe do të jetë, shembull i përkryer i ruajtjes, kultivimit dhe përtrirjes së muzikës burimore me karakteristika të dalluara tradicionale; përmes grupeve në ‘rende’ të lira, tubime, ahengje e dasma, si amatorë popullor ndër kohëra, e nga vitet e dyzeta të shekullit që lamë, gjithnjë e më profesionale.
Flitet me emra dhe fakte se: qytetarët tanë ndër dekada, tri herë i kanë blerë shtrenjtë instrumentet muzikore, për fëmijët e tyre:
Herën e parë, në fillim të shekullit që lamë, gjatë sundimit Austro-Hungarez (me iniciativën e tyre – jo pa qëllim), u blenë nga prindërit e interesuar për bijtë e tyre, komplet instrumentet e orkestrës frymore.
Me fëmijë të zgjedhur punuan muzicientë të qeverisë, duke përgatitur programe të ‘përziera’, e duke u paraqitë të Premteve para ‘xhematit’ – popullit – në hyrje të xhamisë “Hadumit”.
Pas luftës, kur erdhën barbarët serb, i mblodhën me dhunë shtëpi më shtëpi, të gjitha instrumentet, edhe pse ishin pronë e qytetarëve.
Herën e dytë, riblerja ndodhi në fillim të viteve të dyzeta, kur merrej frymë ca më lehtë, nën okupimin Italo-“Shqiptarë”, kur sërish u blenë dhe u gjallërua orkestra e kompletuar frymore, që argëtonte publikun në festa e raste solemne, me program më adekuat.
Por as kësaj here nuk zgjati shumë, se me rikthimin e barbarëve serb, nën maskën e “çlirimtarit”, ushtarakët serb me larot e tyre, me dhunë siç dinin ata… i mblodhën të gjitha instrumentet e blera nga populli.
AMATORËT E TALENTUAR ASNJËHERË NUK PUSHUAN…
Ju lumtë, se përherë kemi qenë dhe jemi krenuar për kontributin e pa shoq, të dhjetëra këngëtarëve dhe instrumentistëve të talentuar, e në raste të ndryshme të sakrifikuar, për ruajtjen, përtrirjen dhe begatimin me këngë e valle të traditës, me mjeshtri shembullore, në trevat tona, për të cilat është folur dhe shkruar deri në hollësi, në revista e libra që veç gjenden në duart e lexuesve.
Herën e tretë, në fillim të viteve të gjashtëdhjeta, Ministria e Kulturës na i dërgoi 20 fis-harmonika, që më pas i paguan me kiste prindërit e grupit të parë.
Kësaj here ishte fillim i mbarë, se me forcat tona shkuam drejtë suksesit, që dha fryte dhe na bëri të krenohemi.
Me vijimin e punës këmbëngulëse, dhe suksesit të dalluar u shtua numri i nxënësve me instrumente, të blera edhe me kredi nga prindërit, duke arrit deri në 150 sish, e gradualisht edhe me instrumente të tjera; fakt që na gëzonte, se po na realizohej dëshira e kahershme, që në çdo familje të ketë nga një instrument muzikor…
Më pas: Vatra kryesore u bë shkolla e ultë e muzikës, nga e cila në vazhdimësi rodhën talentët, gjithnjë e më të përgatitur për këtë art të bukur…
“Ata që e duan muzikën, e duan jetën dhe të bukurën…”
SHKURTESA NGA DITARI I MBRESAVE …
Përkrahja dhe pengesat:
Më 1948, hapet shkolla e parë e mesme e muzikës në Prizren – drejtor, Lorenc Antoni. Një vit më pas, (në fillim të vitit shkollor 1949/50), nga atje erdhi në Shkollën Normale të qytetit tonë, arsimtari i saj për violinë Nuri Sherifi. Pasi na informoi klasë më klasë për kushtet në atë shkollë, nga një numër nxënësish të interesuar na zgjodhi katër: Shefqet Kazazin nga klasat e III-ta, Sefedin Lleshin nga të II-tat, Esat Rizvanollin dhe Aliriza Rracin nga të I-të.
Ne ishim nxënësit e parë të rregullt nga Gjakova, në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren, dhe pas kryerjes me sukses, u bëmë zanafilla e parë e mësimit me nota në qytetin tonë, ku përherë ka pasur entuziastë amator të dalluar, për këngë dhe instrumente muzikore…