Site icon Gjakovapress

7 Marsi, kujton mësuesit e parë gjakovarë

Në të gjitha trevat shqiptare, sot  po  shënohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit, e cila është një ngjarje me rëndësi kulturore, ku të gjithë kujtojnë mësuesit e parë të shkronjave shqipe. Dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve.

Gjakova,  me të drejtë konsiderohet si vatra e arsimit në gjuhën shqipe. Në vitet kur errësira e analfabetizmit dhe dhuna e pushtuesit rëndonte mbi çdo gjë që ishte shqiptare, u gjetën burra që u përballën me vështirësitë e kohës dhe, pa marrë parasysh pasojat e rënda për vetveten, organizuan në  mënyra të ndryshme përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe. Sot në këtë datë të rëndësishme  kujtojmë mësuesit e parë gjakovarë: Nimon Ferizin, Ibrahim Fehmiun, Ibrahim Kolçin, Ferid Imamin, Baba Qazim Bakallin, Abdullah Hadrin,  e të tjerë që,  qysh në vitet e hershme të shekullit të kaluar,   hapën shkollën e parë shqipe “Skënderbeu” në qyteti tonë.

Ndryshe, kjo datë ka zanafillën e hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqip, Mësonjëtoren shqipe të Korçës, e cila u themelua më 7 mars 1887. Festa e mësuesit në rrafshin kombëtar shërben për t’i vlerësuar traditat më të mira të shkollës shqipe, pa dyshim edhe figurën e nderuar të mësuesit, por edhe gjithë punonjëseve të arsimit si edukatorë të brezit të ri dhe si kontribuues aktiv të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare.

“Gjakovapress” uron të gjithë mësimdhënësit me rastin e 7 Marsit.

 

Exit mobile version