Në kujtim të veteranit të arsimit Ali Ukmata

Pedagog e njeri me virtyte të larta

Ali Ukmata 1964 int

Ali Ukmata mes nxenesve ne vitin 1964

Ali Mehmet Ukmata lindi në Gjakovë më 19 Janar 1931, nga një familje e varfër bujqësore e të ndershme. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje. Në vitin 1948, në moshën 17 vjeçare, u emërua mësues i shkollës fillore në fshatin Damjan rrethi i Gjakovës. Ishte i rritur me trup dhe nevoja për sa më shumë mësuesë që të hapeshin shkollat fillore në qytete e fshatra, edhe pse pa kualifikim, bëri që ta ushtronte detyrën si mësues, që e kreu me përkushtim të madhë.

Gjatë vitit 1949 dhe 1950 u transferua si mësuesë në Novosellë të Ulët, komuna e Gjakovës, e vitin tjetër në Junik, rrethi i Gjakovës, këtu si mësues dhe drektor i shkollës fillore. Për herë të parë dha mësim në klasat e larta të shkollës fillore shtatëklasëshe, lëndën e matematikës dhe fizikës. Gjatë vitit shkollor 1951/52, pa shkëputje nga puna mori diplomën e mësuesit të kualifikuar. Gjatë vitit shkollor 1952/54 u shkollua dhe diplomoi në shkollën e lartë pedagogjike në Nish, grupi matematikë – fizikë. Në vitin 1957 emërohet mësimdhënës i lëndës së matematikës dhe fizikës në shkollën fillore, tash “Zekeria Rexha”, në Gjakovë. Pas dy vjetëve Aliu emërohet zëvendësdrejtor po në këtë shkollë. Në bazë të aktivitetit dhe rezultateve të mira të punës profesionale e organizative si dhe për shkak të nevojave për kuadër deficitar të lëndës së matematikës në shkollën e mesme të nxënësve në ekonomi në Gjakovë, me 30 Janar të vitit 1961 fillon punës si mësimdhënës i kësaj lënde. Në tetor të vitit 1962, po ashtu sipas nevojës emërohet mësimdhënës në lëndën e matematikës në shkollën Boro Vukmiroviq në Gjakovë. Në nëntor të vitit 1965 emërohet drejtor në këtë shkollë.

Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme ku ka shërbyer Ali Ukmata, është çmuar me notën e lartë “Veçanërishtë dallohet në punë”. Në qershor të vitit 1967, pas formimit të bashkësisë komunale vetëqeverisëse të arsimit, emërohet sekretar i saj. Detyrën e sekretarit të BVI-së e ushtroi plot 24 vite deri në pension. Ishte një punëtor i vyeshëm, korrekt, i drejtë, i sinqertë, racional. Edhe në këtë bashkësi punuese është cilësuar si punëtor I mirë dhe shumë i merituar. Ali Ukmata gjatë punës së tij si mësues, mësimdhënës, si drejtor i shkollës fillore dhe të mesme dhe si sekretar i BVI-së, detyrën e kreu me përkushtim dhe ndershmëri. Kudo punoi, la përshtypje të mirë në punë, në sjellje njerëzore, ishte pedagog i vërtetë, njeri me virtyte të larta njerëzore. Si për së gjalli, ashtu edhe pas vdekjes është në zemrën, në mendjen dhe në gojën e nxënësve, prindërve të tyre dhe mbarë popullit. Ishte gëzim dhe kënaqësi të bashkëpunoje me të. Çdo punës i ka dal në krye me sukses të madh. Asnjë punë nuk i ka dështuar. Aliu ka qenë edhe punëtor i mirë shoqëroro-politikë, është zgjedhur në forume dhe organe udhëheqëse në nivel të komunës, të Kosovës e më lart dhe ka luajtur rol pozitiv në mënyrë autoritative dhe profesionale.

Për punë është nderuar me medalje, me dekorata, me shpërblime, mirënjohje, pllaketa etj. Aliun e kam njohur mirë. Shumë punë të përbashkëta i kemi realizuar me kohë, mirë e drejtë. Ai mbetet i gjallë me zërin e tij të butë dhe të ëmbël, i edukuar për mrekulli si njeri, i matur dhe i saktë, njeri i fjalës dhe i besës, njeri me koshiencë dhe ndërgjegje të pastër që mbetet shembull i njeriut democrat, humanist. Ali Ukmata vdiq e u varros në Gjakovë më 14 korrik të vitit 2002, në moshën 71 vjeçare. Të gjithë jemi krenarë që e kemi pasur Aliun e tillë.

                                             Shani Hoxha