MASAR R. RIZVANOLLI rrugëtimi me historinë

(Në vend t’urimit për ditëlindjen e 82-të) 

Shkruan Ragip Ballata

“Për nga natyra e tij,  Masari ishte nxënës shumë i zgjuar. Lexonte shumë, huazonte libra edhe nga pedagogët…”

Në të kaluarën, Gjakova me rrethinë kishte rol tejet të rëndësishëm në rrugëtimin historik, arsimor, kulturor e kombëtar në përgjithësi. Shumë personalitete eminente (Sami Frashëri Luigj Gurakuqi, Adem Demaçi, Jusuf Buxhovi, etj.), këtë qytet e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë bërthamë historike arsimore, intelektuale dhe kombëtare për gjithë Kosovën  e më gjerë.

Një nga bijtë e kësaj bërthame historike i cili shquhet edhe sot e kësaj dite me angazhimin e tij të vazhdueshëm në fushen e arsimit, shkencës, trashëgimisë dhe kulturës kombëtare, pa dyshim është dhe prof. dr. Masar Rizvanolli.

I  lindur në Gjakovë, me 24 maj të vitit 1933, Masar Riza Rizvanolli u rrit në një  familje të vjetër me tradita tregtare e arsimdashëse. Nga gjiri i familjes Rizvanolli, që nga fundi i viteve gjashtëdhjeta kanë dalë disa doktorë shkencash e profesorë universitarë nga lëmi i biologjisë (Faiku, 1929 dhe Shaibi, 1931), kimisë (Durmishi, 1925), matematikës (Fuati, 1931), historisë (Masari, 1933), muzikës (Esati, 1936) etj.

Mësimet fillestare, Masari i mori, kur u hapën shkollat shqipe, në vitin 1941.

Katër klasët e para i vijoi në shkollën fillore “Bajram Curri” të mësuesit: Njazi Agastra, Leposava Gurbabe, Xhevdet Shehu dhe Bajram Nura. Gjimnazin e Ulët (klasët me mësim lëndorë) e vazhdoi në objektin shkollor në Kryepazar.

Vet qyteti i lindjes Gjakova, me tradita arsimore e figurat e saja historike, që në vegjëli e rini e frymëzoi për historinë, shkencë në të cilën më pas, ky i ri gjakovar do ta gjente rrugëtimin e tij jetësor.

Mësimet e Shkollës Normale, Masar Rizvanolli i ndoqi në vitin shkollor 1948-49. Ky ishte viti kur Normalja e Gjakovës startoi me programë 4 vjeçar. Shokë të klasës i kishte: Ekrem Murtezain, Agim Gjakovën, Zekerja Canën, Ismet Kënduesin etj. Në këtë institucion të dijes i mori njohuritë bazë për profesionin e mësuesisë, nga profesorët e njohur: Hasan Vokshi, Beqir Kastrati, Nebil Dino, lbrahim Zherka etj.  Veterani Fadil Stavileci (1932), poashtu shok klase, në librin e tij “Kujtimet e gjeneratës së parë të Normalës…“, Botuar më 2012, faqe 5 e 7, shkruan: “Tekstet shkollore mungonin, …merrnim shenime,… për mësim përdornim edhe revisten “Përparimi” dhe “Jeta e Re”. Ndërkaq për shokun e vet të klasës  thekson: “Për nga natyra e tij,  Masari ishte nxënës shumë i zgjuar. Lexonte shumë, huazonte libra edhe nga pedagogu  Tajar Hatipi”.

Në fund të vitit shkollor 1951/52, kjo gjeneratë normalistësh, nga drejtori Beqir Kastrati morën vendimet e punës, ku shënohej se në cilin vend do të punonin. Masari u caktua të punoi mësues në Shtimje. Në këtë lokalitet, rastisi të bashkëpunoi me mësuesen energjike, Shpresa Fehmiun (Gjakovë, 1931), vajzën e të madhit Ibrahim Fehmiu.

“Për shkollën e Shtimjes dhe njerëzit e asaj ane, më lidhin hapat e parë të punës si mësues dhe kujtimet e bukura për njerëzit, nxënësit dhe kolegët me disa prej të cilëve, vetëm gjumi na ndante. Sëbashku ishim jo vetëm në mësim e në aktivitete shkollore, por sëbashku ishim edhe me nxënës e të rinj tjerë kur patëm ndërtuar fushat e sporteve të vogla, sëbashku shkonim në këmbë në Ferizaj për të përcjellë ndonjë qfaqje apo program kulturor, bashk…”.

Pas këti viti mësuesie, Masar Rizvanolli studion dhe diplomon në Universitetin e Beogradit, degën e historisë. Gjatë studimeve mbante lidhje me studentët shqiptarë si: Skender Hasimja, Masar Stavileci, Ymer Jakën e Agim Gjakovën.

Veprimtaria arsimore

Me t’u kthyer në vendëlindje, në vitin 1959 i përkushtohet veprimtarisë arsimore, në Gjimnazin “Hajdar Dushi”.

Ai mbante mësim edhe në shkollën e Amvisërisë dhe shkollën Teknike të tekstilit në Gjakovë. Aty ligjëronte lëndet: histori, ekonomi politike dhe ndërtim shtetëror.

Ishte mesi i viteve të gjashtëdhjeta kur ende kishte mungesë kuadrosh superiore, kur në Prishtinë u hapen disa degë të Universitetit të Beogradit. Që nga ato vite prof. Masari, pa shkëputje nga puna, i kushtohet studimeve pasuniversitare.

Me 1966 prof. Masari hartoi projektin për arsyeshmërinë e themelimit të SH.L.P. në  Gjakovë. Një vit më vonë, kur u hap SHLP “Bajram Curri”, prof. Masari, këtu e ligjëronte Historinë e Shqiptarëve dhe Metodikën e mësimit të Historisë, ndërkaq nga viti 1976 kalon në Prishtinë në Fakultetin Filozofik – dega e Historisë, ku ligjëroi Historinë e përgjithshme (Koha e mesme) dhe Metodikën e Historisë.

Kur mësimdhënësit shqiptar u dëbuan me dhunë nga lokalet universitare dhe u formua Universiteti Shqiptar në Prishtinë, prof.dr.  Masar Rizvanollin e angazhuan në lëndët Historia e Popullit Shqiptar III, dhe Metodika e mësimit të historisë. Më pas si profesor ordinar, ai udhëhoqi me sukses drejtimin e studimeve pasuniversitare nga Historia e Popullit Shqiptar – Rilindja Kombëtare Shqiptare, kurse pas reformimit të plan-programeve në Master, vazhdon me leksione nga lendët Historiografi dhe Histori Shqiptare (1830-1912), dhe Sistemi i Timarit në Perandorinë Osmane.

Veprimtaria shkencore

E një rëndësije të vaçantë për historiografinë shqiptare është veprimtaria shkencore e këtij studjuesi gjakovar.

Ai ka shkruar dhe botuar në revistat shkencore e periodike (“Kosova”, “Gjurmime Albanologjike “, “Shkëndija”, “Gjakovapress” etj.) mbi 100 punime shkencore, fejtone e skenar filmash dokumenatr, të cilat veç e veç, në këtë jetëshkrim nuk mund t’i cekim. Por duhet theksuar se punimet më të rëndësishme janë ato në të cilat ai ka trajtuar dhe ndriçuar: Sistemin e Timarit në Kosovë, periudhën e Krizës së Madhe Lindore, periudhën e Pavarësisë së shtetit shqipëtar, Luftën e Spanjës dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në të, si dhe trajtesat në fushën e trashëgimisë kulturore e historike shqiptare.

Puna e gjatë shkencore e prof. dr. Masar Rivanollit ka rezultuar në vitin 2007 e 2009, me botimin e dy veprave monumentale: “Lufta e Serbisë dhe e Malit të Zi për pushtimin e tokave shqiptare gjatë Krizës Lindore” (1875-1878), dhe “Çarshija e Madhe e Gjakovës”.

Prof. dr. Gazmend Rizaj në vlerësimin e tij recenzues, midis tjerash shkruan: “Monografia e autorit prof. dr. Masar Rizvanolli paraqet një kontribut shumë të vlefshëm jo vetëm për historiografinë shqiptare por edhe për historiografinë e Evropës Juglindore në përgjithësi. Autori jo rastësisht, ka zgjedhur për trajtesë vitet e së ashtuqujturës “Krizë e madhe Lindore”, … sepse pikërisht këtë kohë filloi dezintegrimi i territoreve etnike shqiptare, … fillimi i tragjedisë shqiptare të nxitur nga fqinjët, të ndihmuar nga Fuqitë e Mëdha dhe të lejuar nga Perandoria Osmane. Autori … nëpërmjet zërit të dokumenteve diplomatike të proveniences ballkanike dhe perendimore, argumenton shkaqet dhe pasojat historike të politikave ekspansioniste të monarkive fqinjë mbi trojet shqiptare … “

Ndërkaq prof. dr. Pajazit Nushi në vlersimin e tij thekson: “… Ky studim është rezultat i një pune të gjatë studimore në fushën e kërkimit të raporteve ndërmjet fqinjëve të shqiptarëve e të tokave të tyre dhe lëvizjeve politiko-sociale e ushtarake të Serbisë e Malit të Zi gjatë dhe pas përfundimit të Krizës Lindore … ”.

“Objekti i këtij studimi, ndonëse i përket studimit të një të kaluere historiko-sociologjike e politikologjike të raporteve shqiptaro-serbo-malazeze të shekullit XIX, ka dimenzione të theksuara aktuale… Prof. dr. M. Rizvanolli me argumente të fuqishme hedhë dritë të re në ato raporte duke i përgënjeshtruar njëkohësiaht edhe mendimet dhe pikpamjet e historiografisë serbe, por jo vetëm të tyre… ”.

 

Veprimtaria kulturore        

 

Pesëmbëdhjetë vitet e fundit, prof. dr. M. Rizvanolli pati rol të veçantë dhe është produktiv edhe në veprimtarinë kulturore.

Ai shquhet si studiues dhe mbrojtës i trashëgimisë kulturore dhe historike.  Në artikullin, “Restaurimi i Çarshisë, jo ndryshim i historisë” (2012), mes tjerash shkruan:

“Popujt e ndryshëm gjatë zhvillimit të tyre historik, vëhen në kontakte të përhershme me popujt e tjerë. Pa marrë parasysh karakterin miqësor apo armiqësor të këtyre kontakteve, ata patën dhe do kenë ndikime të ndërsjella në njeri tjetrin. Prandaj, trashëgimia kulturore historike e një populli paraqet edhe kontributin e tij në thesarin e kulturës së përgjithshme botërore.

Ruajtja e trashëgimisë kulturore historike, është akt qytetërues i një populli, është një faktor i rëndësishëm, i cili tregon se historia nuk filloi me ne, sepse çdo dukuri bashkëkohore mund të ketë rrënjë të thella historike”.

Pasojat e mëdha në qytet e rrethinë gjatë fazës së paraluftës dhe gjatë luftës së fundit, në njerëz e në trashëgimi kulturore, në ekonomi e në arsim, e kishin kthyer Gjakovën  disa dëcenje mbrapa. Kjo shtroi kërkesën e vënjes në shërbim të aftësive intelektuale, ideve dhe përvojave të dëshmuara në interes shoqërorë. Në këtë drejtim prof. dr. M. Rizvamolli, në vitin 2002 ndërmori një hap të qëlluar kur shtroi idenë dhe në bashkëpunim me akad. Besim Bokshin, akad. Pajazit Nushi, prof Xhevat Koshin dhe mr. Muhamet Rogovën, themeluan Shoqatën e Intelektualëve “Jakova”, kryetar i së cilës është. Qëllimi i saj i vetëm është që përmes përgatitjes së projekteve, aftësive dhe përvojave të dëshmuara të intelektualëve, të vehen në shërbim e në dobi të zhvillimit ekonomik, shoqëror, kulturor dhe arsimor të vendit.
Së këndejmi, Shoqata e intelektualëve “Jakova”, në bashkëpunim edhe me shoqata dhe institucione tjera, ka arritur me sukses të organizojë disa akademi dhe tribuna shkencore, kushtuar shumë ngjarjeve dhe figurave historike, arsimore e kulturore, por edhe tryeza, ekspozita dhe botime profesionale të një vargu temash të rëndësishme që e kanë plotësuar me shumë sukses jetën qytetare në Gjakovë e rrethinë.

Prof. dr. Masar Rizvanolli vazhdon edhe sot, në moshën 82 vjeçare të jetë në shërbim të shkencës, trashëgimisë dhe kulturës kombëtare.