Jupa- Hendbollisti numër një në Kosovë

Intervista: Kastriot Jupa- Hendbollisti numër një në Kosovë 

Kastriot-Jupa-659x659

Dikur hendbolli gjakovar ishte  pothuajse i barabartë me futbollin sa i takon interesimit të adhuruesve të sportit. Kjo tregon për një traditë të gjatë të lojës së hendbollit. Nga klubi i Vëllaznimit kanë dalë shumë hendbollistë të talentuar që kanë lënë gjurmë në këtë sport. I tillë është edhe Kastriot Jupa, djaloshi që po mbledh çmimet më të larta në hendbollin kosovar dhe po kërkohet edhe nga skuadrat ndërkombëtare. Hendbollisti gjakovar që aktualisht luan me  Besa Famiglia nga Peja, Kastriot Jupa është shpallur dy vite radhazi( 2014-2015)  më i miri hendbollist  nga Federata e Hendbollit e Kosovës dhe katër vite me radhë është shpallur si pivotmeni më i mirë.  Jupa është lojtar edhe i kombëtares së Kosovës dhe prej me të merituarve që Besa është kampion dhe fitues i Kupës së Kosovës.

Kush është Kastriot Jupa?

Jam 23 vjeçar,  student në Universitetin Haxhi Zeka në Pejë kurse në Gjakovë kam përfunduar shkollimin e mesëm profesional në shkollën Gjon Nikollë Kazazi.

Si e vlerësoni vitin 2015 në aktivitetin tuaj sportiv?

Ishte vërtetë një vit i suksesshëm për mua. Fillimisht u shpalla lojtari më i mirë në pozitën time në Kampionatin Botëror të shteteve në zhvillim dhe pastaj u shpallem kampion te Kupës dhe Kampionatit me ekipit tim aktual ‘Besa’ Famiglia pa asnjë humbje dhe në fund gjithë ky sukses u shpërblye me zgjedhjen si lojtari më i mirë në Kosovë.

A keni pritur që do të shpalleni hendbollisti më i mirë në Kosovë dhe si e ndjetë veten kur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ju komunikua emri juaj?

Të them të drejtën ishte i pritur ky sukses duke u bazuar në ecurinë e suksesshme që kisha me klub dhe paraqitjeve shumë të mira në kuadër të Përfaqësueses së Kosovës në kualifikime për Kampionatin Botëror. Dhe,  normal është një ndjenjë speciale sepse nuk është e lehtë të shpallesh lojtari më i mirë në vend dy vite me radhë.

 Pse e keni zgjedhur hendbollin si sport të karrierës?

Sepse është një sport luftarak dhe fizik që përshtatet me personalitetin tonë si Shqiptar.

Si ka qenë fillimi në hendboll dhe kush të ka ndihmuar fillimisht që të mësosh elementet primare të lojës së hendbollit?

Fillimi ishte shumë interesant. Kërkoja nga vetja të mësoi sa më tepër për hendbollin. Dëgjoja me vëmendje këshillat e trajnerëve dhe nga dita në ditë loja e hendbollit më hynte në shpirt. Shani Brahushi ka qenë trajneri im i parë. Me te dhe djalin e tij Benonin i kam mësuar elementet e para të hendbollit dhe normalisht qe i jam mirënjohës për punën që kanë bërë me mua.

 Luani në pozitën e pivotit. Çka e karakterizon këtë rol në ekip?

Pozita e pivotit është faktikisht më e vështira në lojën e skuadrës së hendbollit. Është paksa më e vështirë pasiqë gjithë ndeshjes ka kontakte të forta fizike dhe duhet të jesh i vëmendshëm gjithë kohës që të krijoj hapësire për bashkëlojtarët e mi dhe të kërkoj shanse për shënim.

 Cilat janë tiparet që duhet ti disponoi një hendbollistë cilësorë?

Duhet të ketë gjatësinë,  forcën dhe shpejtësinë që të jetë më lehtë i suksesshëm.

 Për një kohë të shkurtër arritët të bëheni hendbollistë cilësorë. Si e keni arritur këtë?

Kam arritur me punë sepse jam profesional në këtë sport dhe normal që gjatë këtyre 4 viteve që jam pjesë e ekipit Pejan kam arritur që të përmirësohem në të gjitha aspektet si lojtar dhe për këtë me kanë ndihmuar ndeshjet ndërkombëtare.

 U bëtë shtyllë e skuadrës së Vëllaznimit dhe për  disa vjet mbrojtët ngjyrat e klubit. Çka mundë të na thuani për rrugëtimin tënd në skuadrën kuq e zi?

Kemi pasur një ekip shumë të mirë por siç e dimë gjithmonë kemi pasur probleme financiare dhe kjo ishte problemi kryesor që ky ekip nuk ka pasur suksesin e merituar.

 Pas sukseseve të para iu ratë në sy ekspertëve të hendbollit. Ju kaluat në skuadrën pejane. Si ju kanë pranuar në këtë klub?

Jam ambientuar për mrekulli dhe menjëherë jam bërë një pjese kryesore edhe tek ekipi Pejan për një kohë shumë të shkurtër.

 U bëtë anëtarë i përfaqësueses së Kosovës dhe patët rastin të zhvilloni shumë ndeshje ndërkombëtare. Sa të kanë ndihmuar këto ndeshje në ngritjen tënde si sportist?

Ndeshjet ndërkombëtare janë një test për të parë veten se a jemi afër ekipeve evropiane dhe po dëshmojmë që çdo ndeshje po kemi një paraqitje edhe më të mirë dhe një përvojë më shumë dhe këto ndeshje ndikojnë shumë në rritjen e performances së një hendbollisti.

 A kemi përfaqësuese të denjë për gara ndërkombëtare. Çka tregojnë ndeshjet e deritashme ?

Mendojë se duhet ende punë,  tani kur  çdo vit do të kemi kualifikime për kampionate botërore dhe evropiane por mendoj që në një të ardhme të afërt do të  jemi në nivelin e ekipeve mesatare në Evropë. Ndryshe e konsideroi sukses kampionatin e shteteve në zhvillim që u mbajt në Kosovë. Vendi i tretë do të thotë që kemi arritur shumë në këtë kampionat, sepse fillimisht synimi ka qenë kalimi i grupit dhe në fund u renditem në pozitën e tretë. Kjo ishte një arritje e madhe për neve.

 Cilat janë synimet e Kastriotit për të ardhmen?

Synimi është qe te angazhohem një ndonjë ekip jashtë vendit për shkak të nivelit më të lartë të hendbollit që mbizotëron në shtetet Evropiane dhe ky është synimi im për këtë po tentoj që çdo ditë ti përmirësoj cilësitë e mia.

 A keni pasur oferta nga klube për tu bërë pjesë e tyre?

Po,  kam pasur oferta nga disa ekipe nga shtetet evropiane. Së fundi kisha disa oferta nga klube që kanë parë ndeshjet kualifikuese të Kosovës,  por tani jam i koncentruar me ekipin aktual dhe në fund të sezonit do ti shqyrtojmë opsionet më të favorshme  jashtë vendit.