Ecuri pozitive financiare që ka mundësuar afarizëm me fitim

Intervista: Kastriot Zhaveli, drejtor financiar në KRU Radoniqi

Treguesit e performances së KRU Radoniqi  për vitin 2016 janë më të mirët në historinë e themelit të Kompanisë ka thënë Kastriot Zhaveli, kryezyrtar financiar në këtë kompani. Në intervistën për Gjakovapress, Zhaveli ka theksuar se arkëtimi në vlerë ka rritje prej 20%, kurse në përqindje arkëtimi është 95% e faturimit të ujit.  Shkalla e arkëtimit në amvisëri ka qenë 93%, në biznese 91% dhe në institucione 118%. Nga 20 mijë konsumator potencial të cilët përfitojnë nga falja e borxheve, kanë përfituar 14 mijë e 35, ku 7 mijë e 179 kanë përfituar automatikisht,  pasi borxhi ka qenë deri në 100 euro, kurse 6 mijë e 853 kanë ardhur në Kompani për përfitimin nga ligji. 

Për tri vjet KRU Radoniqi ka mbajtur primatin për kompaninë më të mirë në vend. A ka vazhduar me këto ecuri edhe në 2016?

-Sigurisht prej vitit 2011-2012 kur në Kompani ka pasur ndryshim në Menaxhmentin e lart, Kompania në vazhdimësi sipas viteve ka pasur ngritje të treguesve të performaces. Normalisht Kompania ka operuar edhe në vitin 2016 shumë mirë financiarisht.

Sa janë realizuar planet e parashtruara sa i takon ecurive financiare?

– Planet e parashtruara të ecurive financiare janë realizuar dhe tejkaluar pasi Kompania ka operuar shumë mirë financiarisht, duke e tejkaluar edhe vitin 2015 por edhe Biznes Planin e vitit 2016

Të flasim për tri fusha të rëndësishme që japin performancen e një kompanie. Arkëtimet, borxhet dhe humbjet e ujit të pijes. Si dalin të dhënat për këta tre faktor krahasuar me vitin paraprak?

-Treguesit e performances për vitin 2016 janë më të mirët në historinë e themelit të Kompanisë. Arkëtimi në vlerë ka rritje prej 20%, kurse në përqindje arkëtimi është 95% e faturimit të ujit kurse në vitin 2015 ka qenë 84%. Nëse i shohim sipas kategorive atëherë shkalla e arkëtimit në amvisëri ka qenë 93%, në biznese 91% dhe në institucione 118%, pra në institucione më shumë kemi arkëtuar në vitin 2016 se sa që kemi faturuar.

Humbja e ujit në vitin 2016 ka qenë 47%, kurse vitin 2015 e kemi mbyllur me 48%, pra ka rënie prej 1%.

Kompania gjatë vitit 2016 ka bërë edhe investime kapitale në vlerë prej 2,106,223 euro, 497,434 janë investime vetanake, kurse 1,608,789 nga donatorët. 

Çka flasin këta parametrat financiar,  dhe a janë pozitiv?

Normalisht që janë pozitivë pasi siç e ceka më lart janë më të mirët që nga themelimi i Kompanisë, dhe besoj që edhe në vitin 2016 Kompania për të 4 herë radhazi do të shpallet Kompania me performancen më të mirë në sektorin e ujit nga ARRU-ja. 

Do të thotë keni arritur ta mbyllini vitin me fitime . Sa është vlera?

Kompania vitin 2016 e ka mbyllur me fitim operativ, ku me arkëtim i ka mbuluar të gjitha shpenzimet operative, dhe fitimi operativ është 872,636 euro.

Cilat janë synimet për këtë vit dhe si kanë ecur muajt e parë të këtij viti?

Synimet për këtë vit janë rritja e treguesve kryesorë të performances, duke rritur shkallën e arkëtimit dhe zvogëlimin e humbjeve të ujit, përfundimi fazës së dytë i Fabrikës  për përpunimin e ujit të pijes.

Muajt e parë të këtij viti janë stabil, më mirë se viti 2016, por vijnë duke u ngritur gjatë muajve që pasojnë.

Në cilët sektor do ta përqendroni më tepër angazhimin tuaj gjatë këtij viti?

Si financier, përqendrimi do të jetë në fushën financiare, si më poshtë:

-rritja e shkallës së arkëtimit

-eliminimi i pagesa në kesh

-aplikimi i ujëmatësve smart të cilët lexohen nga distanca

-aplikimi në përpikëri të ligjeve financiare dhe standardeve të kontabilitetit

-mos gjetja e gabimeve materiale nga auditimi

Si ka ecur procedura e ligjit për faljen e borxheve publike?

-Jo siç ka pritur Kompania, pasi sipas analizave të bëra ligjin e kanë shfrytëzuar ata konsumator të cilët më shumë përfitojnë falje se sa nga pagesa e obligimeve. Sipas shënimeve nga zyra e faturimit nga 20,000 konsumator potencial të cilët përfitojnë nga falja e borxheve, kane përfituar 14,035, ku 7,179 kanë përfituar automatikisht pasi borxhi ka qenë deri në 100 euro, kurse 6,853 kanë ardhur në Kompani për përfitimin nga ligji. Prej tyre janë fshirë borxhe në vlerë prej 1,979,865 euro, janë paguar 364,756 euro dhe janë riprogramuar 1,203,757 euro.

Ligji ka pësuar ndryshime, ku përfitues tash janë edhe personat juridik. Ligji është në fuqi deri me 01.09.2017, dhe shfrytëzoj rastin ti ftoj konsumatorët të përfitojnë nga ligji, pasi në të kundërtën pas kësaj date do ti përcjellim tek përmbaruesi dhe do të jenë në listën e Kompanisë për ç’kyçje.