Fillon Muaji i bekuar i Ramazanit

Sot për të gjithë besimtarët islam, ka filluar muaji i madhërishëm i Ramazanit. Është ky muaj i shenjtë në të cilin  besimtarët shprehin ndjenjën e tyre të  sakrificës, solidarizimit, paqes, mëshirimit dhe bamirësisë. Me rastin e muajit shenjt të Ramazanit, besimtarëve islam me mesazhe urimi u janë drejtuar myftiu i Kosovës Naim Tërnava si dhe udhëheqësit më të lartë shtetëror të Kosovës  dhe përfaqësues të subjekteve udhëheqëse të komunës së Gjakovës dhe të partive politike, të cilët kanë përcjellë përgëzimet e tyre për agjërim të lehtë dhe dëshirat që mes besimtarëve të mbretëroi paça, harmonia, lumturia dhe solidariteti.

Këshilli i Bashkësisë Islame Gjakovë  ka uruar besimtarët myslimanë të Kosovës, diasporës dhe të gjitha trojeve shqiptare muajin e bekuar të Ramazanit, duke ju dëshiruar agjërim të lehtë e të pranuar, shtim të ibadetit, fisnikërim të ndjenjave dhe përkushtimin ndaj fitimit të kënaqësisë së Krijuesit të gjithësisë”.

“Lusim Allahun e Gjithmëshirshëm që gjatë këtij muaji të bekuar në zemrat, fjalët dhe veprat tona të mbizotëroj paqja, dashuria, vullneti për të mirë me synim të arritjes së urtësive dhe të mirave që i përcjell ky muaj. Allahu ua pranoftë agjërimin dhe çdo punë të mirë me të cilën do të fitohet kënaqësia e Tij.
Me fat muaji i bekuar i Ramazanit”, thuhet në urimin e Këshillit të Bashkësisë Islame të  Gjakovës