“Gjakova Mike Për Fëmijët”

Sot është 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve. Fëmijët e të gjitha moshave kërkojnë sot vëmendjen e prindërve, shtetit tek ata. Kjo ditë është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një ditë sensibilizimi, për ti thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Është dita kur vetë fëmijët ngrenë zërin për të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre bëhet me programe e  lojëra festive.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve-1Qershori, në Gjakovë po shënohet me një sërë aktivitetesh që kanë filluar  në qendër të qytetit ku po   mbahet  aktiviteti me fëmijë me moton “Edhe në duam dashuri!, Të gjithë jemi  të barabartë!  Jemi njëjtë fëmijë! Këtë aktivitet e organizoi “HandiKos  së bashku  me prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuar, Drejtorinë e Arsimit, shkollën fillore “Mustafa Bakija”, dhe qendrën inovative “Bone Vet”. Fëmijët permes këngëve, vallëzimit, ekspozitave të ndryshme treguan dashurinë për ditën e tyre .

Këto veprimtari  kanë për qëllim promovimin e të drejtave të fëmijëve, sensibilizimin e shoqërisë mbi pozitën e fëmijëve me aftësi të kufizuar si dhe socializmin e fëmijëve me aftësi të kufizuar në shoqëri. Më pas është organizuar  paradë  e fëmijëve në rrugën kryesore të qytetit ndërkaq  në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi, u shfaq një program kulturo-artistik ku u  prezantuan nxënësit e  klasëve të para të shkollave fillore,  grupi  vallëzimit  të fëmijëve “Art Design” si dhe fëmijët me aftësi të kufizuar.

Me organizim të përbashkët të Komunës së Gjakovës, organizatës lokale kosovare “Syri i Vizionit”, si dhe organizatës ndërkombëtare për fëmijë “Save The Chidren”, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, në ditën ndërkombëtare për fëmijë ka pritur asamblenë komunale të fëmijëve, të cilëve fillimisht u ka uruar ditën e tyre.

Në këtë takim, bashkë me nxënës të shkollave të komunës së Gjakovës, kryetarja Kusari-Lila ka uruar fëmijët me dëshirat më të mira drejt realizimit të ëndrrave të tyre dhe ka kujtuar se në komunën e Gjakovës janë implementuar disa projekte madhore në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve duke qenë si pilot komunë e përzgjedhur nga UNICEF për implementimin e projektit “Gjakova Mike Për Fëmijët”. “Ju jeni e tashmja, sepse atë që ne ju pasqyrojmë sot ju do të reflektoni nesër. Ju duhet ta duani vendin pa kushte, sepse ne të gjithë e kemi një shtëpi që e ka emrin Kosovë, e që duhet ta mirëmbajmë”, ka thënë ajo.

E pasdite në Pallatin e Kulturës   shfaqet  komedia për fëmijë me titull “Dhelpra balerinë”, ku luajnë aktorët e grupit “Yjët e Vegjël” të Gjakovës.   Një Qershori- dita Ndërkombëtare e Fëmijëve sot u shënua  edhe në Qendrën për Komunitete në lagjen Brekoc, në kuadër të  kampanjës për informimin e prindërve dhe fëmijëve për regjistrim në klasën e parë.” .