Vapa e madhe përfshinë Gjakovën

Gjakova dhe mbarë territori i gjerë po kalon një periudhë të vapës së madhe që padyshim ka vështirësuar përditshmërinë tonë. Në kërkim të freskisë një pjesë e  bashkëqytetarëve po i frekuentojnë me të madhe qendrat e rekreacionit, në veçanti Shkugëzen e cila është plot që nga mëngjesi deri natën vonë, pastaj lumenjtë, Drini dhe Ereniku  që fatkeqësisht nuk janë të pastër, pishinat dhe ambientet tjera të gjelbëruara të komunës. Vapën e këtyre ditëve të fundit po e shtojnë edhe më tepër debatet e nxehta politike në Kuvendin e Kosovës për konstituimin e legjislacionit të gjashtë. Meteorologët thonë se dhjetë ditshi i parë i gushtit do të jetë me vapë afrikane. Dje  në Gjakovë kulmi i vapës është shënuar në orën 16.00 me mbi 37 gradë celciuz. Edhe për ditët në vazhdim temperaturat në vend pritet të shënojnë ngritje, thonë ata.

Ndryshe i nxehti i madh  pa një kujdes të shtuar mund të jetë i rrezikshëm. Mjekët këshillojnë që për të shmangur kolapsin nga i nxehti, për shkak të humbjes së tepruar dhe të shpejtë të lëngjeve dhe kripërave nga  vapa e madhe, është e rëndësishme të pihen shpesh lëngje, sidomos ujë. Shmangni alkoolin, mos e teproni me kafen dhe me ushqime tepër të pasur me kalori, konsumoni frutat dhe perimet që kontribuojnë në hidratimin e organizmit dhe mos dilni apo praktikoni aktivitete sportive në orët më të nxehta të ditës. Vishuni lehtë , përdorni kapele dhe shmangni luhatjet e tepruara të temperaturës. Nëse u përkeqësohet gjendja nga vapa atëherë adresat e vetme janë Qendrat Mjekësore, këshillojnë mjekët.