Unë, Biri Yt Gjakovë

 Shkruan:   Prof. Besim Këpuska

A kemi ndryshuar paksa në sjelljet dhe qëndrimet tona pas luftës së 1999?

Ç’mendoni Ju bashkëvendësit e mi e Ju lexues dashamirës për këtë?

Unë them se po. Ajo buzëqeshja e ëmbël dhe e çiltër u rrallua, humbi dhe u tret. U bëmë edhe më shpirtngushtë, na rroku babëzia (grykësia e madhe, pangopësia).

Njeri, nëse ke humbur të qeshurit, ke humbur ekuilibrin – thotë një filozof. Po, po, na ka humbur ai shpirti fisnik, ai shpirt që i ka mahnitur të tjerët. Edhe besnikëria na u zbeh, po ashtu edhe devotshmëria. Vendin e saj sot e zuri fodullëku (ai që shet mend, mendjemadhi, ai që krekoset (fryhet) e i shikon të tjerët me përçmim e mospërfillje). Edhe miqësia paksa na humbi. Kjo (miqësia) është një cilësi që u përket njerëzve të ndershëm e me sedër.

Mos u bëra kritizer dhe a mos e teprova? Le të mbetet te Ju, lexues të nderuar, ta gjykoni.

Ti, o bashkëvendësi im, edhe në vuajtje e vështirësi ke treguar gjithmonë mirësjellje e njerëzi. Ke shfaqur afrueshmëri në mes veti. Ç’po ndodh sot me ne kështu? Kur patëm bollëk (aq sa patëm), me njëri tjetrin qemë më të afërt e më të dashur, por kur po biem në sprova, e harrojmë njëri tjetrin dhe këto shqetësime të brendshme të plakin para kohe… Kush i ka mendtë në sy – sheh pamjen e jashtme, por ata që i kanë sytë në mendje – shohin të vërtetën (vërtetësinë).

Dha nga gjiri i saj kjo Gjakova jonë burra të devotshëm të penës e të pushkës që ishin thesare e perla shqiptarie, ajkë njerëzie, mburrje për Kosovën e jashtë saj. Duhet një natë e gjatë dimri për t’i përmendur të gjithë. Veprat tuaja sot zënë një kapitull të veçantë në fushën e medicinës, letërsisë, sportit… Nga do që shkuat për të studiuar, ju latë gjurmë të pashlyer në ish Jugosllavi e më larg. Ju dhatë shembullin për breznitë e ardhshme se si duhet të jetë një “shqiptar” e çfarë do të thotë të jesh “shqiptar” që të na bëni të gjithëve krenarë.

Mbi të gjitha vlerat të shprehet shqiptaria!

Njerëzit e ditur rrojnë edhe pas vdekjes.

Pse na humbi buzëqeshja?

S’është e vështirë për të gjetur dhe shpjeguar shkakun e humbjes së buzëqeshjes se ç’përjetuan këto nënat tona gjatë luftës dhe ky qytet. Kaluan tetëmbëdhjetë vjet me këtë ankth, me këtë gjendje shpirtërore të rëndë, me këtë trishtim të thellë. Nënat gjakovare janë përditë të vdekura në pritje për t’i gjetur eshtrat e më të dashurve. Mjaft më ato pritën, s’kanë më lot, sytë u janë terur, shumë prej tyre “kaluan” në atë jetë. Edhe ne vuajmë me vuajtjet tuaja. Na humbi, pra, buzëqeshja.

Artikullin e plotë mundë ta lexoni në revisten Gjakovapress Nr.104