Filluan përgatitjet për Premieren e 3-të të Teatrit të Gjakovës

Teatri i Qytetit të Gjakovës ka filluar provat për shfaqjen më të re e cila edhe do të hapë sezonin e dytë të teatrit. Bëhet fjalë për shfaqjen “Këngëtarja Tullace” e autorit Eugene lonesco, shfaqje kjo e cila vjen nën regjinë e Agon Myftarit.

Në qendër të komedisë, të cilën vet lonesco e ka cilësuar si antikomedi, janë tre çifte bashkëshortësh, të cilët rastësisht mblidhen në shtëpinë e një mikut të tyre. Dhe mes bisedave me njëri tjetrin merr jetë absurdi i veprës dhe vështirësitë që hasin në komunikim njerëz të së njëjtës kulturë.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Edi Kastrati, Edmond Hafizademi, Ylber Mehmeti, Vlera Pylla, Yllka Lota dhe Altina Kusari.

Antidrama e njohur e autorit Eugene lonesco, “Këngëtarja Tullace”, konsiderohet ndër kryeveprat e teatrit absurd. Dihet se kur ky tekst u inskenua për herë të parë, më 1948, në Paris, ishin shitur vetëm shtatë bileta. Natyrisht, shfaqja u anulua. Pas katër viteve, më 1952, shfaqja u kthye përsëri në repertor dhe pati sukses. Që nga ajo kohë, shfaqja nuk u largua më nga repertorët e teatrove botërorë.

Në Teatrin parisien të Komedisë ajo ka mbi 50 vjet që është pjesë e repertorit të rregullt.

Kjo shfaqje është mbështetur nga Komuna e Gjakovës – Drejtoria për Kulturë dhe Ministria e Kulturës. / KultPlus.com