Vëllaznimi me këmbë të mbarë në superligë, fiton ndaj Lirisë

 

Rreth 3 mijë  adhurues të futbollit  e kanë ndjekur sot ndeshjen hapëse të kampionatit të ri të superligës së futbollit të Kosovës që u zhvillua në stadiumin e qytetit në Gjakovë ku Vëllaznimi shënoi fitore 1 me 0 në lojë me Lirinë e Prizrenit. Me këtë u rikthye përsëri atmosfera e futbollit në Gjakovë me tifozerinë e zjarrtë që e ndoqi nga fillimi deri në fund. Kapiteni i skuadrës gjakovare Albutrint Morina shënoi gol mjeshtëror në minutën e 28 dhe bëri që Vëllaznimi ta nisë rrugëtimin në superligë me këmbë të mbarë.

“Nuk është i rëndësishëm goli im që erdhi si rezultat i aksionit të bukur nga të gjithë bashkëlojtarët. Të rëndësishme janë tri pikët. Këtë gol ia dedikoi gjithë skuadrës dhe tifozerisë, ” tha Morina.

Të gjithë futbollistët dhanë maksimumin para një skuadre shumë cilësore të Lirisë  e cila rrezikoi në disa raste duke atakuar seriozisht portën në minutën e 66 kur shtylla transversale e Muhagjerit shpëtoi barazimin. Portieri gjakovar disa minuta më pas mbrojti një gol të qindpërqind pasi u gjend ballë përball me sulmuesin prizrenas.

Vëllaznimi u paraqit me këtë përbërje: Altik Muhaxhiri, Samir Sahiti, Yll Myrta(Ilir Syla), Alban Dragusha, Ardit Vokshi, Kushtrim Gashi, Albutrint Morina, Jeton Dushi( Paulo Ivani), Nikson Memaj ( Tun Bardhoku), Semir Zeneli dhe Dardan Rugova

Javën e ardhshme Vëllaznimi luan në Skenderaj me Drenicën.