Shfaqet filmi “T’Padashtun” i nominuar për  OSCAR

Filmi i regjisorit gjakovar Edon Rizvanolli me titull  “T’padashtun”, i cili do të jetë propozim i Kosovës për çmimet “Oscar” në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” është shfaqur mbrëmë para adhuruesve të filmit në Gjakovë. Në parkun Ali Podrimja, ku u shfaq premiera e filmit “T’ padashtun”, nuk kishte vend për të gjithë të interesuarit.

Ky film ku  në rolet kryesore luajnë  Adriana Matoshin dhe Jason de Ridder si dhe ne role te tjera  Besnik Krapi, Shkumbin Istrefi, Bislim Mucaj, Xhejlane Tërbunja etj,   merret me pasojat dhe traumat e shkaktuara nga lufta e vitit ‘99 në Kosovë dhe shumë prej skenave të tij janë xhiruar në Gjakovë. Filmi “T’padashtun”, prekë dhunimet e grave të Kosovës nga ana e serbëve, sfidat e gruas së dhunuar, e përzënë edhe nga familja e saj, për jetën e saj në Holandë dhe sjelljen në jetë të djalit të saj, fryt i dhunimit nga ana e serbëve, për dashurinë e djalit të saj, pikërisht me një vajzë serbe.

I pyetur se pse, pos Holandës  ka zgjedhur edhe Gjakovën për të xhiruar skenat e këtij filmi, regjisori Rizvanolli ka thënë se ky qytet e tërheq sepse është origjina e familjes së tij dhe se jep mundësi më të volitshme teknike. Ndërkaq I pyetur për idenë e filmit dhe pritjet nga prezantimi në Oscar, Edon Rizvanolli  ka thënë se, ideja ka filluar nga fundi i filmit,  ku dy të rinj qëndrojnë në një terasë të shumëkatëshes në Holandë po bisedonin për ardhmërinë dhe ata del të jenë “gjysmë vëlla” e gjysmë motër”.

“Kjo ka qenë ideja që unë ta shkruaj më pastaj skenarin e filmit, ndërsa jam ndjerë i lumtur për nominimin. Kjo është një arritje e madhe për gjithë ata që janë angazhuar në këtë projekt dhe për vet shtetin tonë”, ka thënë Rizvanolli.

Ky film është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Fondi i Filmit Holandez, Komuna e Gjakovës dhe Komuna e Prishtinës.