600 deri në 700 familje trokasin në dyert e Kryqit të Kuq

Intervista- Fëllanza Bakija Lama, sekretare e degës se Kryqit të Kuq të Kosovës në Gjakovë

“Si organizatë humanitare që jemi, Kryqi i Kuq  në Gjakovë  gjerë më tani kemi ndihmuar me atë çka kemi grumbulluar vitin e kaluar për Muajin e Solidaritetit, jo për atë sa kanë nevojë këto familje. Vitin e kaluar kemi qenë shumë të kënaqur me ndihmat e grumbulluara. Vlera e tyre ishte 14,000 Euro. Besojmë dhe shpresojmë se edhe këtë vit ndihmat kanë me qenë edhe më shumë, duke u nisur nga fakti se Muaji i Solidaritetit vazhdon gjerë në muajin Dhjetor”, ka thënë në intervistën për Gjakovapress,  Fëllanza Bakija Lama, sekretare e degës se Kryqit të Kuq të Kosovës në Gjakovë me rastin e Muajit të Solidaritetit. 

Sa janë solidar gjakovarët për ti ndihmuar njerëzve në nevojë?

Qytetarët e Gjakovës, Muajit të Solidaritetit iu janë përgjigjur mjaftueshëm, jo për aq sa kanë qenë pritjet tona.

Sa sillet numri i nevojtarëve që kërkojnë ndihmë tek ju?

Numri i nevojtarëve sillet 600-700, ka periudhë ku rritet e ka periudhë kur zvogëlohet numri i nevojtarëve.

Cilat janë kërkesat më të mëdha, në ushqim, veshmbathje apo edhe lëndë për ngrohje meqë po i afrohemi dimrit?

Kërkesat më të mëdha janë në gjëra ushqimore, higjienë dhe lëndë për ngrohje. Veshmbathje kemi gjatë tërë kohës duke iu falënderuar Qytetarëve.

Si po ecën muaji i solidaritetit?

Stafi dhe Vullnetarët jemi duke punuar  që të mbledhim ndihma sa më shumë për të plotësuar kërkesat e familjeve në nevojë. 

Cili është qëllimi i këtij muaji të solidaritetit?

Qëllimi i Muajit të solidaritetit është grumbullimi dhe shpërndarja e ndihmave si dhe vetëdijesimi i qytetarëve për të ndihmuar. Angazhimi jonë është edhe anëtarësimi i qytetarëve në Kryqin e Kuq. 

Viteve të fundit keni një bashkëpunim më të madh me shkollat e komunës. A po vazhdon ky trend edhe tash?

Po, bashkëpunimi me shkollat është duke vazhduar. Ky bashkëpunim është duke iu falënderuar Drejtorisë Komunale të Arsimit .  Drejtoresha Diana Qarkagjija,  vitin e kaluar në mbledhjen me Drejtorët e Shkollave na ka ftuar dhe në rend dite ka qenë Muaji i Solidaritetit. Ky bashkëpunim ka dhënë efektet e veta dhe tash me sukses po vazhdon. 

Nga kush e keni mbështetjen më të madhe për të plotësuar kërkesat e nevojtarëve?

Nga Shkollat e Komunës sonë dhe një numër i vogël i Firmave private.

Kohë më parë në Kuvendin zgjedhor i keni bërë një vështrim punës katërvjeçare. Si është vlerësuar kjo punë?

Në mbledhjen e Kuvendit, ku morën pjesë Kryesia e degës dhe delegatët e Kuvendit, puna katërvjeçare e Kryqit të Kuq është vlerësuar në mënyrë pozitive në të gjitha programet e Kryqit të Kuq. 

Ku kanë qenë orientimet e angazhimit tuaj më të madh në ndihmë njerëzve në nevojë?

Angazhimi jonë më i madh ka qenë në vetëdijesimin e qytetarëve për të ndihmuar familjet në nevojë dhe te ngjallin ndjenjën e humanitetit. Tani, ne, qytetarët duhet të ndihmojmë këto familje, sepse Donatorët e huaj janë larguar. Jemi të vetëdijshëm se shumica e qytetarëve jetojnë në kushte jo të mira ekonomike, po nëse ndan pak nga vetja për të ndihmuar të tjerët nuk varfërohesh. 

Po, rezultatet,  në cilat projekte kanë qenë më të prekshme?

Rezultatet më të prekshme kanë qenë në projektet e Edukimit Shëndetësor, Menaxhimit të Emergjencave dhe Shërbimit të Kërkimeve (Projektet Psiko-Sociale). 

Sa po arrin Kryqi Kuq t’ju ndihmojë familjeve te varfra në komunën e Gjakovës?

Kryqi i Kuq gjerë më tani kemi ndihmuar me atë çka kemi grumbulluar vitin e kaluar për Muajin e Solidaritetit, jo për atë sa kanë nevojë këto familje. Vitin e kaluar kemi qenë shumë të kënaqur me ndihmat e grumbulluara. Vlera e tyre ishte 14,000 Euro. Besojmë dhe shpresojmë se edhe këtë vit ndihmat kanë me qenë edhe më shumë, duke u nisur nga fakti se Muaji i Solidaritetit vazhdon gjerë në muajin Dhjetor.

Foto ;Kryqi i Kuq ka përfunduar Projektin Psiko – Social me familjar te personave te pagjetur.