Mazllum Saneja për librin “Realizmi magjik” Albert Shala

Mazllum Saneja

E nis këtë shkrim eseistik për poetin dhe prozatorin Albert Shala, duke cituar fjalët e dy poetëve  të mëdhenj: poetin e madh të romantizmit polak Cyprian Kamil Norwid , i cili me të drejtë shkroi: ‘E Bukura është formë e Dashurisë’ dhe poetin e simbolizmit frëng Stephane Mallarme, i cili tha ‘Synimi i botës është krijimi i një libri të bukur’. Apo siç thotë  me të drejtë poeti dhe eseisti i njohur polak Meczyslaw Jastrun se ‘Në përvojën time , poezia apo proza lind nga një gjendje e veçantë, të cilën do ta quaja si një errësirë të brendëshme’.

Së këtejmi edhe poeti dhe prozatori ynë Albert Shala ka prirjen e të përshkruarit dhe të kuptuarit e botës dhe, në mënyrë të veçantë të vetëdijes së vet çfarë në të  është e fshehur – tashmë e shkruar, pastaj ia transmeton lexuesit gjendjen e veçantë të njohjes, e begaton në brendësi, natyrisht, me sa mundet të zgjojë në të barabar mbresa të forta.

Tregimet e prozatorit Albert Shala synojnë gjithnjë më shumë

kah bashkimi, pikë-takimi më i saktë dhe më i rafinuar, i shprehjes së drejtpërdrejtë, të thjeshtësisë së gjuhës, dukshmërisë – me forcën e imazhit konkret, nëpërmes të sëcilës shpreh botën e ndjenjave.

Libri i tregimeve ‘Bukuri e trishtë’ hapet me tregimin ‘Zjarri i dashurisë’ dhe mbyllet me tregimin ‘Vetëtima’

Duke lexuar me një vëmendje të madhe prozën e Albert Shalës, gjithnjë më shkon mendja tek dhembja dhe hidhërimi i prozatorit të ndjeshëm kundruall realitetit që e rrethon, sepse Shala është i vetëdishëm se nuk e ndryshon dot këtë botë, nuk e shpëton nga gama e së keqes dhe e dhembjes.Dhe së këtejmi arti i tij prozaik e afirmon dhembshurinë, të mirën, mirësinë. Në optikën e tij të vështrimit si një analitik, e sheh se botën e sotme e kanë kapluar grackat dhe pritat e nduarnduarshme  përplot të papritura, bëjnë që lexuesi të përfshihet dhe të kridhet në botën e paraqitur nga autori i këtyre rrëfimeve emocionuese dhe prekëse.

Tregimet ‘Zjarri i dashurisë’ dhe ‘Zëri njëmijëvjeçar’ janë rrëfime

të realizmit magjik, që bëjnë fjalë për ndikimin e fuqive superiore mbi fatin njerëzor, derisa tregimet ‘Macet dhe hijet’ dhe ‘Dashuria në labirint’

flasin për botën e përtejme dhe, e mbajnë lexuesin gjithnjë në një gjendje

ankthi dhe frike. Atmosfera e këtyre rrëfimeve, me duket sikur ngjan me filmat e Roman Polanskit apo të Alfred Hitchkokit.Në imagjinatën e tij të bujshme sikur na shpie në një botë të ankthit dhe të pasigurisë, pastaj në një botë ëndrrimtare të dashurisë nëpër labirinte të jetës. Këto rrëfime të shkruara dhe të përjetuara thellë, ku na shfaqet bota reale e cila gëshetohet me botën ireale, kur nuk dihet se çfarë është ëndërr e çfarë realitet.

Ndryshe nga krijuesit e tjerë, Albert Shala i qaset botës shtazore me një ndjeshmëri, dhembshuri dhe mirëkuptim të veçantë, duke hyrë dhe hulumtuar psikologjinë e tyre të ndjeshme. Mjafton të përmendim tregimin

‘Kaprojt’ ku prozatori Shala shpreh ndjeshmërinë prej njeriu dhe krijuesi karshi vlimit më të prekshëm dhe dramës së madhe jo vetëm njerëzore, ku sot njerëzit kanë humbur edhe gjak dhe ndjenja, ku nuk njohim njëri -tjetrin. Duke lexuar me vëmendje të veçantë tregimin ‘Kaprojt’ më bëhet sikur ndiej zërin e prozatorit Shala si një klithmë e mbytur, diku në një skaj të botës, si një alarm kundruall botës së pandjeshme dhe indiferente.

Është me të vërtetë një ngjarje befasuese, se  si prozatori Albert Shala në tregimet e veta, në mënyrë të veçantë, në librin e tregimeve ‘Bukuri e trishtë’ ka mundur me  sukses të mbyll, në mënyrën e vet, vizionin e vet universal të vetëdijes, duke e begatuar estetikën e vet të thjeshtësisë, duke u dëshmuar si prozator  i tregimëve të mrekullueshme çfarë janë: ‘Zjarri i dashurisë’, Unë dhe shkronjat’, ‘Macet dhe hijet’, Kaprojt’, Gjëmimet nga nëntoka’, ‘Dashuria në labirint’, ‘Zëri njëmijëvjeçar’, ‘Vetëtima’ etj. që përbëjnë një tërësi të shkëlqyer prozaike.

Varshavë,  Mazllum Saneja