Intervista: Mr.Sc.Elza Këpuska – Logopede

ELZA NË MBËSHTETJE TË FËMIJËVE  ME ÇRREGULLIME NË TË FOLUR

Ngecjet në të folur, shkrim lexim dhe çrregullimet tjera që hetohen më tepër tek fëmijët,  nga viti në vit bëhen më shqetësuese për një numër të familjeve, prindërve por edhe mësuesve. Fatbardhësisht në komunën e Gjakovës ka profesionistë të kësaj fushe që u dalin në ndihmë këtyre fëmijëve. Është logopedia Elza Këpuska që me punën e saj profesionale po merret intensivisht me trajtimin e fëmijëve me çrregullime të tilla. Sipas Këpuskës  Logopedia është shkencë e cila merret me parandalimin, zbulimin, diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimit në komunikim human me të cilën nënkuptohet të gjitha ato procese dhe funksione të cilat janë të lidhura me produksionin e të folurit me percepcion dhe produkcionin e gjuhës verbale dhe të shkruar, si dhe formave joverbale të komunikimit. Elza në intervistën për Gjakovapress,  ka sqaruar problemet e hetuara  nga praktika e deritashme. Sipas saj, të folurit është mjet kryesor i komunikimit mes njerëzve, e nëse dikush ka çrregullime apo probleme në të folur atëherë atë e trajton shkenca e Logopedisë. Logopedia është shkencë e cila merret me zbulimin, diagnostifikimin dhe trajtimin e çrregullimeve në të folur.

Logopedia Elza Këpuska ka shtuar se fëmijët me çrregullime duhet trajtuar me kohë, ndërkohë që ka kujtuar sinjalet për kujdestarët, prindërit kur duhet drejtuar tek logopedi.

Cilat janë çrregullimet në të folur që i trajton shkenca e Logopedisë ?

Ka shumë çrregullime në të folur që disa vërehen kurse disa nuk vërehen ose nuk u japin rëndësi as prindërit e as mësuesit. Një nga çrregullimet më te shpeshta që haset tek fëmijët e moshës parashkollore dhe shkollor është çrregullimi I artikulimit të tingujve apo Dislalia. Fëmija me këtë çrregullim zëvendëson tingullin me tingull tjetër, shtrembëron  apo mungon tingullin,p.sh, Në vend të Coca-Cola thotë Tota-Tola, Kali-Tali ose karamele-mele,etj.

Belbëzimi-Mungesa e rrjedhshmërisë në të folur i cili shprehet në forme të përsëritjes së tingujve, ndaljeve,pauzave dhe vënies së tingujve të panevojshëm gjatë të folurit. Zakonisht karakterizohet me ikje apo frikë e të folurit. Çrregullim tjetër që është I shpeshtë por disa edhe nuk e vërejnë është Disleksia- është një vështirësi e të mësuarit që kryesisht ndikon në aftësitë e përfshira në lexim të saktë , rrjedhshmërinë e fjalës, dhe shkrimit. Disa njerëz kanë ide të gabuara rreth disleksisë,dhe me të vërtetë ata që vuajnë nga disleksia nuk e marrin ndihmën që u nevojitet.

Cilat janë shenjat e alarmit ?

Janë disa shenja alarmi të cilat duhet ta nxisin prindin ose mësuesin e fëmijës të kërkojë ndihmë të specializuar pasi ndërhyrja në moshë të hershme është gjithmonë më rezultative. Nuk drejton vëmendje ndaj diçkaje që I tregohet. Nuk bën “Mirupafshim”, ndonjëherë duket sikur nuk dëgjon, nuk të përgjigjet kur e thërret në emër, nuk luan me lodra si fëmijët e tjerë, gjuha verbale është e vonuar, tregon vëmendje të ekzagjeruar vetëm ndaj një objekti specifik ; këto janë disa shenja alarmuese që prindërit nuk duhet tu shmangen.

A mund të na thoni disa strategji ndihmëse për këta fëmijë ?

Së pari ne si terapist të të folurit bëjmë seleksionimin dhe grupimin e tingujve foljor për modifikim,pastaj përgatitja e materialeve stimuluese dhe e detyrave në lidhje me tingujt e caktuar në fjalë,fraza dhe fjali. Pastaj përdorimi I fjalëve me tingujt e dëmtuar deri ne 150 fjalë. Kështu fëmija vazhdon terapinë me trekëndëshin Fëmijë-Prind-Logoped,gjithmonë me një bashkëpunim të fortë,dukë I bërë ushtrimet në shtëpi disa herë për efekte më të mira.

Kohëve të fundit shumë prindër janë të shqetësuar për shkak se fëmija vonohet të flasë. C ilat janë shkaqet e kësaj vonese ?

Është e vërtetë që kohët e fundit është rritur kjo dukuri,këtë e vërej në bazë të vlerësimeve që bëj çdo ditë. Prindërit janë shumë të shqetësuar kur vijnë për vlerësim. Në shumë raste sipas simptomave dyshohet për autizmin, I cili është çrregullim është çrregullim neurobiologjik që veçohet me vështirësi në komunikim, ndërveprimi shoqëror dhe sjellje të përsëritura dhe rreze të kufizuar interesash. Simptomat e autizmit fillojnë të shfaqen para moshës dy vjeçare dhe shkalla e dëmtimit të këtyre tri fushave dallon nga individi në individ. Pas dyshimit që bëj unë,fëmija dërgohet tek psikologu për diagonostifikim dhe pastaj me anë të diagnozës ne bëjmë punën si Logoped. Arsyeja tjetër e vonesës në të folur është edhe dukuria e përdorimit të tepërt të teknologjisë nga ana e fëmijës. Një fëmijë I porsalindur mësohet nga nëna e tyre që te dëgjojë muzikë nga telefoni, pastaj ata vazhdojnë të përdorin telefonin apo Ipadin, poashtu edhe një kohë të gjatë qëndrojnë para televizorit. Kjo dërgon në pengimin e procesit të të folurit.

Cilat janë disa nga rekomandimet tuaja për prindër ?

Këshilla ime për prindër është që sa më shumë t’ju lexohet fëmijëve. Kështu kur lexojnë me zë të lartë fëmija dëgjon se si tingëllojnë tingujt e ndryshëm dhe emocionet që shprehin. Gjatë këtij procesi fëmija përpiqet të imitojë tingujt ose fjalët që dëgjon më shpesh. Leximi është një aktivitet që vë në punë shumë shqisa. Këshilla tjetër është që t’I lini sa më larg fëmijët nga përdorimi I teknologjisë, dhe sa më tepër socializim më fëmijët e tjerë, poashtu dhe frekuentimin në kopsht. (Gjakovapress)