Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Në përvjetorin e lindjes së akademikut Zeqirja Ballata

Akademik Zeqirja Ballata , Foto:Zër.info

Shkruan: Hajrulla Hana

Më 23 prill 1943, kompozitori ynë, akademik Zeqirja Ballata i mbushi 75-vite jete dhe mbi pesë decenie krijimtari artistike muzikore, punimesh studimore e ligjëratash prej profesori universitar, pianisti e shoqëruesi solistësh/ansamblesh, aktivitete këto që i kalojnë kufijtë (gjithë)kombëtarë, duke bërë jehonë ndër qendra të ish-Yu e festivalesh ndërkombëtarë, si në Lubjanë, Zagreb, Opati, Shkup, Ohër, Sarajevë, Novi Sad, Prishtinë…), Itali, Francë, Austri, Gjermani, Bullgari, ShBA, Çeki…

Kompozitori Ballata i brezit tashmë përtej të mesëm krijuesish tanë muzikorë, i lindur në Gjakovë në një familje me traditë këngëtarësh popullorë e instrumentistësh që nga gjyshi (Selimi), i ati (Musai), axhat (Ragipi, Ganiu), vëllëzërit (Isai, Selamiu, Ragipi) dhe djali i axhës (Selimi), pas shkollës fillore, e trasoi rrugën  e kultivimit të artit muzikor në Shkollën e mesme të muzikës (Prizren), më pas studioi e u diplomua, magjistrua për kompozitor në Lubjanë, duke studiuar dhe   Muzikologjinë po në Lubjanë pranë Fakultetit filozofik, si dhe duke u specializua në Venecie, Siena e Romë (Itali). Më pas pedagog në shkollën muzikore “F.Shturn” në Lubjanë (1965-‘70),  në ShLP të Prishtinës (1971-‘75), bashkautor (me prof. Engjëll Berishën) i Elaboratit për themelimin e Degës së Artit Muzikor (1974) në Fakultetin e Arteve, docent (1975-‘79), prof. inord. (1980-‘85) e ord. (1986). Pas largimit nga okupuesit millosheviqianë qe u ftuar këshilltar në Liceun Artistik/më pas Konservatorin Muzikor në Maribor (1991-2007), ndërsa gjatë viteve 2007-2013 sërish prof. ord. po i lëndëve Kompozim e Orkestrim në Fakultetin e Arteve t’Universitetit të Prishtinës, për të vijuar më pas aktivitetin prej krijuesi muzikor pranë Akademisë së Shkencave dhe t’Arteve të Kosovës.

Gjatë gjithë kësaj periudhe krijuese mbi një gjysmëshekulli (1963-2018) me një Opus krijues prej mbi 160 vepra gjinishë solistike instrumentale, pianistike, korale, këngësh solo, muzikë dhome, vokalo-instrumentale, simfonike e muzikore-skenike pjesërisht edhe t’botuara, më shumë t’ekzekutuara në Slloveni, Kosovë, Holandë, Shqipëri, Slloveni, Itali, Kroaci, Gjermani, Francë, Austri, Bullgari, Maqedoni, Mal të Zi… Ka realizuar dhe koncerte autoriale në Lubjanë, Maribor, Prishtinë, Ulqin, Prizren, Gjakovë, Tiranë… Veprimtar aktiv në jetën muzikore në Kosovë e Slloveni: kryetar i Pleqësisë, prodekan e dekan Fakulteti, bashkëthemelues (1972) i Shoqatës së kompozitorëve të Kosovës, nënkryetar e kryetar i saj; kryetar i Festivalit Ditët e muzikës kosovare, i Garave  të nxënësve/studentëve të muzikës (1994) t’ish Yu; anëtar korrespodent (1991) më pas i rregullt i AShA të Kosovës.

Gjatë dhe pas studimeve e deri më sot është vlerësuar/çmuar nga studiues muzikorë në Slloveni, Kroaci, Kosovë, Shqipëri e qendra të tjera muzikore duke iu ekzekutuar me shumë sukses veprat muzikore, si dhe lauruar për veprimtari artistike e pedagogjike me çmime të larta: Çmimi universitar “Preshernova Nagrada”/Shpërblimi i Preshernit nga Akademia e muzikës, Lubjanë, 1967; Diploma për Shpërblimin vjetor “Rexho Mulliqi” për veprën “Pro memoria 1462”, Shoqata e kompozitorëve e Kosovës, 1989; “Svetnik” (Këshilltar) nga Ministria për arsim e sport e Sllovenisë, 1994; “Listina” (Mirënjohje) nga Shkolla e mesme e muzikës dhe Baletit, Maribor, 2003; Mirënjohje nga “Collegium musicum” – Malmo, 2006; Plaketa nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport e Gjakovës“, 2007; Mirënjohje nga Ministria për kulturë Rini e Sport, për kontribut të veçantë në krijimtarinë muzikore, 2008; “Priznanje” (Mirënjohje) “Fran Gerbiç” nga Lidhja e Shkollave muzikore Sllovene, 2009;Mirënjohje nga Shoqata e kompozitorëve e Kosovës për kontribut të veçantë në 65-vjetorin e lindjes në fushën e krijimtarisë muzikore, 2013;  Çmimi “Niketë Dardani” për krijimtari jetësore nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport e Republikës së Kosovës, 2017…

Krijimtaria e tij muzikore-artistike, pas fillimeve shkollore (Vals për p-no, “Amor prohibido” dhe Malli për atdhe-poezia F. Shiroka-1962-të braktisur; Romancë për v-në e humbur, Trio për v-në, v-çel e p-no-1963), me veprën “Jehonat nga Bjeshkët e Nemuna për p-no-dorë të majtë”-1963,”etj., në vijim me zgjerime mjetesh shprehëse bashkëkohore: “Solo de concert” për p-no-1967, “Capriccio sinfonico-1967, Doli Skënderbeu-1968 vokalo-instrumentale; Suonada për obo, kitarë e piano-1972, Apel për zë e piano”-1976, Bilbili (i Naimit) për 3 bllok-flauta e piano-1977, vokalo-instrumentalja “Këmbë qendrese-1978, Concerto stretto për 3 flauta e orkestër-1979, Luftëtari për bas e piano-1980, vokalo-instrumentalet Pro memoria 1462 (1981), Bir i vendit trimëror-1981 (heroit E. Duraku), “Epitaf N” për rec. e ans.-1982 (Nënës, Nënave), Simfonia ‘83“; koralet Do t’ia them një kënge-1984, Të punojmë si ora-1987, Nënë Tereza bijë shqipëtare-1990; “Canticum scodrense për fizarmonikë e p-no-1992, Plaku i maleve për piano-1994, Mather Theresiae për zë e ansambël-1997, Gjëma për soprano, bas dhe 2 piano”(të rënëve në Luftën e fundit)-1999, (I)lirika për v-çel e elektronikë-2002; Kaba & Valle për saksofon dhe elektronikë-2003, Hommage a Boletini/Seferi për v-në e piano-2004, “Passion of Pjetër Budi” për organo dhe perkusione, vokalo-instrumentalja “Lacrimosa” IX 2001 (të rënëve në rrokaqiejt të ShBA), “Albania seen at day-breac” për tenor trumbetë & org.-2009; Hapna sytë tanë për 2 zëra e p-no-2010; Njëqind vjet për ansambël-2012; dy vepra muzikore-skenike: Epos për balerin, balerinë, ork. veglash me frymë & 5 perkusionistë-2004, “DRitA iluminate” për rec., 2 balerina, 1 balerin, sopr. e perkusione-2015, Kambana për 3 flauta, piano dhe vegla goditëse-1917…, pa lënë anash përpunimet korale, vepra tjera solistike, pjesët ansambleske e vokalo-instrumentale, si dhe 2 tekste shkollore, dy libra studimore universitare: Gjurmëve të muzës (1987), Veglat muzikore, 1990, Universiteti i Prishtinës. Meritë e pamohuar e këtij krijuesi tonë është fakti se në krijimtarinë e tij nuk i është larguar trashëgimisë muzikore kombëtare as përgjatë aktiviteteve komplekse, si autor tekstesh/librash muzikore, punimesh studimore, si intelektual aktiv çështjesh që kanë të bëjnë me kompozitorin, pedagogun, aktivistin për çështjet dhe problemet nga më të ndryshmet mbi avancimin e arsimit, të arsimimit muzikor dhe të krijimtarisë muzikore (gjithë)kombëtare…

Për krijimtarinë e tij janë shkruar dhe shkruhen punime/studime në gjuhën amtare dhe në gjuhë të tjera. Ja, disa tituj punimesh, kumtesash nga gazetat/revistat në Shqipet dhe në gjuhë të tjera, por të përkthyera, shkëputur mbi krijimtarinë e kompozitorit tonë: Një vepër moderne e muzikës shqiptare, “Zeqirja Ballata një pararendës i novatorizmit në muzikën shqiptare”; Poetika, skofiariteti, dhe dhembja, “Emër që do të mbahet në mend”; “Aspekte kombëtare në muzikën e Zeqirja Ballatës”; Veprimtari e palodhshme në kushte jo aq të favorshme, “Ballata në kontekstin e kulturës evropiane”; “Kompozitori që na bëri krenar edhe përtej Kosovës”; Ballata – krijues inventiv, “Nga krijimtaria e Zeqirja Ballatës në këndvështrimin e dirigjentit”, “Ballata në dhe për muzikologjinë shqiptare”,…, pa i përmendur dhe emisionet në Radio, TV a dokumentarë mbi artin muzikor… E, çfarë të themi tjetër, pos t’i urojmë shëndet, krijimtari këtij kompozitori të merituar me risitë dhe gjuhën e tij bashkëkohore artistike, që ia solli dhe po ia sjellë krijimtarisë tonë muzikore kombëtare dhe më gjerë.