Xhavit Lota- 6 dekada me tingujt e ëmbël të violinës

Bisedë rasti me maestro Xhavit Lotën, në 75 vjetorin e lindjes, (doajenin e muzikës sonë popullore), violinistin, pedagogun e lëndës edukatë muzikore si dhe udhëheqësin e shumë grupeve muzikore të Gjakovës.

Intervistoi Hajrullah Hana

Kush është ky maestro virtuoz, instrumentist, udhëheqës artistik në disa grupe muzikore?

Xhavit Lota i lindur më 29 prill 1943 në Gjakovë. Rrjedh nga një familje me traditë muzikore. Pas shkollimit fillor tetëvjeçar në vendlindje, regjistrohet në Shkollën e Mesme Normale pesëvjeçare (dega e mësuesisë) në Gjakovë. Dhe pas diplomimit punësohet si mësues – edukator, profesion të cilin e ushtron pandërprerë për 43 vite pune, (1965 – 2008), kur edhe doli në pensionin “e merituar“. E tërë kjo veprimtari prej edukatori u krye në shkollën fillore “Zef L. Marku” në Brekoc (tash lagje e qytetit të Gjakovës), (7 vite) dhe shkollën e mesme të ulët “Pjetër Muçaj” në fshatin Guskë për 36 vite, nga ku edhe u pensionua.

“Gjatë punës me nxënës kam pasur shumë sukese”, thotë Xhaviti. Për këtë dëshmojnë edhe 3 dekorata nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, pastaj shumë mirënjohje për pjesëmarrje në programe të ndryshme, qoftë me nxënës apo individuale dhe me grupet muzikore. Por më e dashura për të është dekorata nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me titullin “PLAKETË”  e ndarë në vitin 2004, si afirmues i melosit shqiptar.

Si lindi dashuria për violinën?

Si fëmijë dhjetëvjeçar kam dëgjuar muzikë të vjetër popullore gjakovare, nga grupet e ndryshme muzikore që organizonin pleqtë (zejtarë të ndryshëm) të cilët bënin ahengje çdo të shtunë në mbrëmje  (ata këto ndeja – ahengje i quanin ‘rende’) dhe kështu me radhë çdo javë kishte ndejë – rend me këngë të shoqëruara edhe me instrumente.

Në fillim bëja muzikë me tarabuk, ku përcillja këngë e valle të vjetra. Po atë vit m’a dhuruan një mandolinë (nga Hyda Haxhikkadrija). Këtë instrument e zotërova shumë shpejt dhe u bëra pjesë e grupit – orkestrinës muzikore, me të cilën shoqëroja këngëtarët e vjetër. Pasi kaluan dy vite  i ndjeri Fatmir Himaduna m’a dhuroi një violinë. Gëzimi s’kishte fund. Tash me përkushtim edhe më të madh e zotëroja gjithnjë e më shumë dhe me përkushtim. Një natë mungonte violinisti i orkestrës së grupit muzikor dhe më futën mua në orkestër që të ekzekutoj me violinë. Kisha frikë dhe përgjegjësi, por më thonin “hajt se mundesh…”, kështu filloi karriera ime muzikore. Sapo kisha mbushur 12 vjet.

Sipas jush, sa është e rëndësishëme violina në artin muzikor?

Secili instrument muzikor ka vlerën dhe rëndësinë e vet, por për mua violina më është bërë pjesë e jetës dhe kam të drejtë ta quaj “mbret” i instrumenteve. Besoj se pajtoheni me mua kur pohoj se çdo grup muzikor është i varfër pa instrumentin e violinës. Ta them një të dhënë: “Për më shumë se tre shekuj, violina ‘Stradivari’ ka përfaqësuar traditën më të mirë të prodhimit të instrumenteve të harkut. Gjatë jetës së tij (1644-1737), Stradivari ka prodhuar më shumë se 1100 instrumente, dhe afërsisht 650 ekzistojnë ende sot – dhe janë përdorur nga violinistët më virtuozë”. Prandaj për të folur dhe sqaruar për këtë instrument duhet një kohë e gjatë…falë kënaqësisë që sjell tingulli i saj. E unë tashmë jam mishëruar me të.

Më gjërësisht në numrin më të ri të revistes Gjakovapress që doli këto ditë nga shtypi