Shqiponja shkruan historinë, shpallet kampione

Edhe një sukses i sportit gjakovar. Shqiponja e Gjakovës ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në hendboll për femra për edicionin 2017\18. Shqiponja titullin e siguroi të dielen mbrëma në Vushtrri, në ndeshjen e fundit të edicionit. Skuadra gjakovare e mposhti Vushtrrinë me 21:19 dhe kështu falë bilancit më të mirë në ndeshjet e ndërsjellta me Vushtrrinë, përfundoi e para në tabelë. Të dy skuadrat i kanë mbledhur nga 33 pikë në 20 ndeshje, por titullit i gëzohet Shqiponja.
Ishte ky një përfundim dramatik i një edicioni interesant në kampionatin e Kosovës për hendbolliste. Rrallë ndodh që ndeshja e fundit të përcaktojë kampionin. Palestra në Vushtrri ishte e mbushur me shikues, prezent ishin rreth 1500. Ndeshja ishte cilësore dhe interesante. Shqiponja ishte në epërsi të lehtë thuajse gjatë tërë kohës. Pas pjesës së parë rezultati ishte 13:10 në të mirë të mysafireve. Në minutën e 55-të rezultati u barazua në 18:18 e më pas edhe në 19:19 në minutën e 57-të. Por më pas vendaset nuk shënuan, ndërsa gjakovaret shënuan edhe dy herë për të fituar ndeshjen e bashkë me të edhe titullin e parë në histori të klubit.
Sh. Fazlija e V. Malaj me nga pesë gola ishin më efikaset te Shqiponja.

“Për herë të parë klubi hendbollistik Shqiponja, pas 19 viteve të formimit, fiton titullin e kampionit të Kosovës në konkurrencë të femrave. Jam shumë e lumtur që kontribova për këtë titull që e merituam me kuptimin e plotë të fjalës. Bindshëm kemi qenë më të mira që prej fillimit të kampionatit. Edhe në ndeshjen e fundit, që ishte si një finale, ishim në epërsi thuajse gjatë tërë kohës dhe fituam me plot meritë”, ka thënë hendbollistja e Shqiponjës, Shpresa Fazlija.