200 thasë mbeturina largohen nga lumi Erenik

Aksioni i organizuar nga Let’s Do It Kosova, që zgjati për disa orë është zhvilluar tek Ura që e lidh lagjen Blloku i Ri me fshatin Moglicë. Aksionit iu bashkuan edhe disa vullnetarë nga ”Ta Pastrojmë Shqipërinë” si dhe përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Për aksionin e sotëm, Kompania turistike ”Dita” ka bërë transportin e vullnetarëve, Kompania ”Meridian” ka ofruar ushqim dhe ujë për vullnetarët, ndërsa thasët për mbeturina janë dhuruar nga Kompania ”Scampa”. Thasët e mbushur me mbeturina nga vullnetarët janë larguar nga Kompania ”Çabrati”, punëtorët e së cilës i janë bashkuar aksionit të vullnetarëve për pastrimin e Erenikut.

Për organizimin e aksionit, ndihmë kanë ofruar edhe Komuna e Gjakovës, Organizata ‘IFK’, Shoqata e Peshkatarëve dhe organizata të tjera joqeveritare në këtë komunë.

Let’s Do It Kosova shpreson se organizimi i këtyre aksioneve do të ndikojë në rritjen e vetëdijesimit tek qytetarët për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike, sidomos lumenjve, gjendja e të cilëve po përkeqësohet dita ditës.

Po ashtu, u bëjmë thirrje edhe institucioneve që të mos lejojnë degradimin e hapësirave publike në këtë mënyrë dhe të marrin masa konkrete për përmirësimin e gjendjes së tyre.

Një fotografi e lumit Erenik të mbushur me mbeturina ishte publikuar ditë më parë në revistën e njohur botërore National Geographic. Nuk duhet të lejojmë që pamje si kjo të bëhen lajm ndërkombëtar për Kosovën. Është përgjegjësi e secilit qytetar që të ruaj dhe të mirëmbajë hapësirat që janë pronë e përbashkët e të gjithë neve.

Aksioni i sotëm për pastrimin e lumit Erenik i ka paraprirë aksionit ”Ta Pastrojmë Kosovën”, i cili organizohet më 5 Qershor, në Ditën Botërore të Mjedisit.