Gjakovari Hajrullah Kastrati , shqiptari i parë me Autoveturë?

Autori  Emin Rizvanolli në librin që është para botimit “Fillet e transportit në Gjakovë (1909 – 1950)  ka arritur të mbledhë të dhëna për të konstatuar se gjakovari Hajrullah Kastrati , është shqiptari i parë me Autoveturë.

Foto ilustruese nga interneti

Sipas dëshmisë të datës 09/ 08/ 2012, të z. Malush Xheladin Komoni në farefisni me z. HAJRULLAH HAJRULLAHOVIQIN, me mbiemrin KASTRATI, i lindur në Gjakovë, del se është banori i parë i komunës së Gjakovës, i cili ka pasur autoveturë që në fillim të shekullit XX, respektivisht diku në vitet 1905-1910. Ky zotëri ka studiuar ne Stamboll dhe më pastaj është sistemuar në korin diplomatik pranë Konsulatës Turke në Beograd. Sipas deklaratës se z. Qemajl Avdullah Kastrati, të datës 22. 8. 2012, ai e bazon këtë në deklaratën e hallës së vet, ish znj. Shirine Kastrati –Komoni, e cila ka qenë e lindur në vitin 1908, e cila i ka treguar nipit te tij, Qemajlit, se kur ka qenë dikur në moshën 5-6 vjeçare, rreth vitit1913-1914, axha i saj, Hajrullahu, gjithnje sipas saj, ka ardhur në Gjakovë me automobilin e tij, me një njeri i cili e ka ngarë veturën e tij. Shoferi ka qenë i zi. Z. Malushi këtë dëshmi e jep nga fakti se me ish pronarin e autoveturës është në farefisni. Pastaj dëshmia tjetër të cilën ai e prezenton është një artikull të cilin vetë e ka lexuar, po që nuk e ka, e i cili ka qenë i shtypur në një gazetë ditore të Kosovës para 4-5 viteve, emri i të cilës nuk i kujtohet.

Më pastaj, ai për ta vërtetuar dëshminë deklaron se në një emision dokumentar televiziv e ka parë të xhiruar shënimin lidhur me këtë, ku është përmendur ish z. Hajrullahoviq, i cili ka qenë ndër të parët posedues të autoveturës personale në Beograd. Pas Luftës së Dytë Botërore, në mesin e zejtarëve dhe tregtarëve në Beograd kane qene disa shqiptarë. Si tregtar dhe njeri i kamur, sidomos ka qenë i njohur Hajrullah Hajrullahoviq (Hajrullahu), pronar i dyqanit të qilimave persianë, në qendër te Beogradit. Vëmendjen e beogradasve e ka tërhequr sidomos automobili i tij i madh, i bardhë, “hispano-suis”, të cilin e ka drejtuar një arab me uniformë. Ka rënë në sy edhe bashkëshortja e tij joshëse, hungarezja e re, të cilën e ka sjellë nga Vjena, por me të cilën nuk ishte gjatë në martesë. Bashkëshortja e mëparshme ishte turke nga Stambolli, ndërsa e treta nga familja Mahmutbegu, familje e njohur e bejlerëve të Pejës, me të cilën është martuar në Tiranë, ku mbreti Zog ia ka besuar kujdesin për doganat, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën të cilën ia ka ofruar Hajrullahu derisa ai ishte në ekzil në Beograd. (Kushëriri i tij, Imer Dauti, ishte officer i ish-APJ dhe historian ushtarak, i cili ka jetuar në Beograd).