U vu guri themeltar i Impiantit të ujërave të ndotura

Gjakova për dy vite do ta ketë Impiantin e ujërave të zeza. Gurëthemeli u vu të martën tek lokacioni Zidi i Sadikages ndërsa projekti në disa faza,  do të menagjohet nga KRU Gjakova.Kostoja totale e punëve, furnizimeve dhe konsulencës arrin në rreth 17 milionë Euro. Financimi është bërë përmes një granti prej 8 milionë Euro nga Zvicra dhe një granti prej 6 milion euro nga Qeveria Gjermane përmes KfW. Fondet e mbetura janë dhënë nga Komuna e Gjakovës.

Projekti, në fazën e tij të parë, do të mbulojë gjysmën e qytetit të Gjakovës (30 000 banorë ekuivalent) dhe konsiston në ndërtimin e një Impianti të ri të Trajtimit të Ujërave të Ndotura, ndërtimit të kolektorëve të ri të ujërave të ndotura dhe rehabilitimit të rrjetit në qytet. Përveç kësaj, KRU do të mbështetet edhe në formë institucionale dhe në ngritjen e kapaciteteve.

Projekti është investimi më i madh që nga themelimi i Kompanisë së Furnizimit me Ujë në Gjakovë. Përveç ndikimeve pozitive në qytetin e Gjakovës, duke mbrojtur mjedisin, burimet ujore dhe shëndetin e qytetarëve, projekti është gjithashtu vendimtar për iniciativat ndërkufitare të vendit.

Kosova është anëtare e Grupit Kryesor të Drinit në të cilin marrin pjesë pesë vende fqinje. Kosova luan një rol aktiv duke përmirësuar cilësinë e ujit që shkarkohet në vendet fqinje. Ky angazhim mbështetet me investime të mëtejshme në impiantet e reja të trajtimit të ujërave të ndotura jo vetëm në Gjakovë, por edhe në Prizren dhe Pejë – të financuara nga Qeveria Zvicerane dhe Gjermane përmes KfW.