Prof. dr. Jahja Drançolli: Viti Jubilar i Skënderbeut

Prof. dr. Jahja Drançolli

NJOFTIME HISTORIKE PËR SHTETIN E GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT

Formacionet e para shtetërore arbërore

Fillimet e formacioneve të para politiko-shtetërore arbërore i ndeshim gjatë shekujve të mesjetës së hershme, kohë kjo që përkon me themelimin e  themave të Durrësit, Nikopojës, Shkupit e të Dalmacisë.

Ndonjë historian bashkëkohor ka paraqitur të zvogëluar hapësirën gjeopolitike të arbërve e të Arbërisë, si dhe kohën e përhapjës së emrit kombëtar, duke e vendosur këtë etnonim vetëm në kuadër të kufirit politik të Shqipërisë aktuale. Në këtë kontekst është bërë përpjekje jo rrallë që shteti i Arbërit gjatë mesjetës të kërkohet në një trevë të ngushtë të Shqipërisë së sotme. Mirëpo, dokumentet e kohës provojnë se shqiptarët e mesjetës duhet parë në tërë arealin tonë etnik dhe duhet kuptuar se “vendbanimi i sotëm i shqiptarëve nuk është një trevë ekspansioni, por trevë restriksioni, përfundim i një ngushtimi të pandërprerë gjatë historisë”. I pari shtet arbëror, ku duhet kërkuar gjatë shekujve në vijim edhe rrënjët e shtetit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, është formacioni politik i quajtur shteti i Arbërit i themeluar në vitin 1190, në prapatokën e Themës së Durrësit.

Formacionet politiko-juridiko shtetërore në Arbëri u zhvilluan sidomos pasi u shëmb perandoria e Dushanit (1355). Së këtejmi, anembanë trojeve arbërore u mëkambën formacione shtetërore arbrërore të pavarura, si: Principita Shkodër-Ulqin, Principata e Durrësit, Despotati i Beratit, Despotati i Artës, e ndonjë tjetër. Në shtete të përmendura  organet shtetërore, të administratës civile dhe ushtarake duke bërë një sërë ndryshimesh krijuan institucione të reja pothuajse të panjohura më parë në Arbëri. Në këtë kontekst, principatat ishin monarki feudale, ku pushteti më i lartë ishte në duar të sunduesit të principatës. Si të tilla, në aspektin e organizimit shtetëror zotëronin tipare sunduese të ngjashme me ato italiane dhe bizantine.

Derisa, themelimi i shtetit të Balshajve dhe i Topiajve, përkonte me dobësimin e Bizantit në treva arbërore, si dhe shkatërrimin e shtetit të Dushanit në Ballkan, në anë tjetër, fuqizimi i shtetit të Gjon Kastriotit ngushtësisht ndërlidhet më disfatën osmane në betejën e Angorës në vitin 1402. Atëbotë, shtetit i Gjon Kastriotit i kishte siguruar vetës dalje në det për të siguruar vetës marrëdhënie të mira me Republikën e Raguzës e Republikën e Venedikut, si dhe qasje të afërt me trevat e pasura bujqësore e minerare të Kosovës (Peja, Prizreni, Prishtina) dhe Maqedonisë (Pollogu, Dibra, Ohri). Së këtejmi, shteteti i Gjon Kastriroti përveç së kishte arritur pozitë të rëndësishme gjeopolitike e gjeostrategjike në këtë pjesë të Ballkanit, është shquar edhe për nga rëndësia ekonomike. Burimet e kohës ofrojnë njoftime edhe për marrëdhëniet feudale, çështje kjo që mund të ilustrohet edhe sipas një aktdhurimi të vitit 1426, ku Gjon Kastrioti i dhuron Hilandarit fshtin, Radostushë e Trebisht të Rekës.

  1. Kuvendi Lezhës

Ajo që tërheqë më tepër vëmendjën këtu, janë tendencat më të theksuara për  integrime politiko-ushtarake e shtetërore brenda principatave arbërore, të cilat do të vijnë në shprehje pas kërcënimeve ushtarake të jashtme. Nga këndvështrimi historik, ato rifilluan rrugën e proceseve politike, ushtarake dhe fetare drejtë formimit të një shteti të njësuar arbëror, të cilin pushtimi osman dhe venedikas e kishte ndërprerë nga kapërcyelli i shek. XIV. Pikënisja e rifillimit të këtij procesi ishin ngjarjet e vitit 1443, të cilat kulmuan më 28 nëntor 1443, ku në vitin 1444 si institucion shtetëror doli Lidhja e Lezhës. Ishte pikërisht vepër e meritë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe e forcave të udhëhequra prej tij, që morën përsipër për të themeluar Lidhjen e princave arbër në Lezhën arbërore (Alessio mesjetare), më 2 mars 1444.  Në Kuvendin në fjalë, sipas Marin  Barlecit, morën pjesë shumë princër nga pjesë të ndryshme të Arbërisë, si: Pal dhe Nikollë Dukagjini, nga Dukagjini; Lekë Zaharia, kryezot i Zadrimës së Epërme, Pjetër Spani i Shalës së Shoshit; Lekë Dushmani, bashkë me Pjetrin e Zadrimës; Gjergj Stres-Balsha i Misjes, ndërmjet Krujës dhe Lezhës; Andrea Topia i Skurës, ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, bashkë me dy bijtë, Komninin e Muzakën dhe me nipin Tanushin; Gjergj Aranit Topia Komneni i Kaninës dhe i Shpatës; Teodor Korona Muzaka i Beratit, nga Arbëria Jugore. Shtjefën Çërnojeviqi (Gojçini), bashkë me të bijtë Gjergjin dhe Janin nga Zhabjaku i Malit të Zi; kryezoti i Himarës, si dhe krerë të tjerë nga Arbëria e Veriut dhe e Jugut.  Në kuvend nuk u pa përfaqësuesi i Republikës së Venedikut, meqë në atë kohë Republioka në fjalë ishte në paqe me sulltanin.

Me krijimin e Lidhjes së Lezhës ishte bërë hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm në rrugën e bashkimit. Në vitet e para të luftës ajo i dha një mbështetje të mirë Skënderbeut në përballimin  e pushtimit osman dhe politikës armiqësore të Venedikut.  

  1. Organizimi shtetëror

Shumë kohë më parë, por edhe sot e gjithë ditën shtrohet pyetja se sa kishin rëndësi vendimet e Kuvendit të Lezhës me kontekstin e themelimit të një formacioni-politik, respektivisht themelimin e shtetit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Shpjegime të para në këtë aspekt kanë ofruar ballkanologët  M. Šufflay e K. Jireček. Šufflay, i pari studjues që e zinte ngojë shtetin e Skënderbeut, këtë formacion politiko-shtetëror e konsideronte për shtetin e fundit në Ballkan pas rënies së Bizantit (1453), despotatit të Rashës (1459) dhe mbretërisë së Bosnës (1463). Gjithashtu, edhe studjuesi tjetër, Jireček duke provuar ekzistimin e shtetit të Skënderbeut, atë e shihte për të fundin shtet në Ballkan. Nga konstatimet e përmendura më sipër me plotë gojën mund të themi se, në Kuvendin e Lezhës u morën një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën politike e juridike të shtetit  në krijim të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Me gjithë diversitetet që vinin si shprehje e interesave të ngushta, princërit pjesëmarrës në Kuvendin e Lezhës u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman, një çështje për çka na njofton edhe Barleci. Ai theksonte që Skënderbeu “vendosi para së gjithash, se duhet hyrë në një aleancë dhe në njëfarë besëlidhje të përhershme me princërit dhe sundimtarët fqinjë […]”. Në Kuvend u vendos të formohej bashkimi i forcave, duke krijuar një lidhje midis sundimtarëve arbërorë, të cilët pranuan të heqin dorë nga partikularizmi i mbjellur me kohë dhe të formonin, sipas traditave të lashta arbërore, një Besëlidhje, një lloj federate për të luftuar së bashku kundër sunduesit të huaj deri në çlirimin e plotë të vendit, me një kryetarë të vetëm. Kryetar i saj u zgjodh, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu. Në të vërtetë ky ishte vetëm “Primus inter pares” (“i parë ndërmjet të barabartëve). Sipas Martin Segonit Novobërdasit, biograf i parë i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut (1481) “[…] qe i njohur prej tyre princ i ligjshëm e thirrur mbret”. Sipas Dh. Frëngut, ndërkaq Gjergj Kastriroti-Skënderbeu është zgjedhur për komandant të përgjithshëm. Me fjalë të tjera sipas organizimit shtetëror, Skënderbeu përfaqësonte Kryetarin e Shtetit, që shoqërohet edhe më një aparat ekonomiko-financiar për menaxhimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve të shtetit i kryesuar nga protovestiari. Ndërsa, për çështje diplomatike ekzistonte një tjetër aparat shtetëror i kryesuar nga kancelarë dhe nga konsujë, respektivisht ambasadorë. Përveç Kryetarit të Shtetit janë të njohura edhe këto organe qendrore shtetërore: Këshilli i Luftës, Kuvendi i Kryezotërinjëve, Këshilli i Lartë, si dhe organe të tjera, të cilat luajtën rol më rëndësi në ngritjen e aparatit shtetëror, që shtrihej në të gjitha vende të lira e të çliruara. Ato shtriheshin në jug nga rrjedha e lumit Devoll e Seman për tu zgjeruar në veri deri në trevat e Sanxhakut, Sjenicës, Zveçanit; në perëndim deri në brigjet e Adriatikut; në verilindje deri në Dardani Perëndimore, dhe në lindje deri në krahinën e Pollogut dhe në dy Dibrat. Aparati shtetëror në gjithë këtë hapësirë të lirë vepronte sipas modelit të shteteve mesjetare europiane.

Këshilli i Luftës për objektiv kryesor kishte formimin e një ushtrie të përbashkët, përkatësisht të një ushtrie federale, që do të ishte në gatishmëri për të ndihmuar komandantin e përgjithshëm të ushtrisë, Skënderbeun. Gjithashtu, në rast nevoje këshilli në fjalë do të ndihmonte sundimtarët arbër për mbrojtjen e zotërimeve të tyre. Në fillimet e veta ai përbëhej nga princat, që morën pjesë në Kuvendin e Lezhës, të cilët ishin zotuar se do të luftonin me forcat e tyre të armatosura. Veprimi i parë i Skënderbeut që të krijoj një ushtri jo të përbërë nga mercenarë, sikurse ishte zakon i kohës, por një ushtri të disiplinuar dhe të ushtruar si duhet. Kështu, u mblodhën rreth 8000 luftëtarë; 3000 ndër këta e përbënin gardën e Skënderbeut, me këmbësorë dhe kalorës të lehtë e të rëndë; 3000 u vënë nën komandën e Moisi Golemit, i cili do të mbronte kufijtë nga do të vinin osmanët. Skënderbeu zgjodhi edhe ushtri vullnetare, për t’i pasur të gatshëm në rast lufte. Së këtejmi,  Skënderbeu, sipas burimeve që zotërojmë mund t’i bënte ballë fuqive të sulltanit me forca prej 10.000-12000-15000 vetash. Vendimet e Kuvendit të Lezhës favorizonin edhe ruajtjën e autonomisë së princave arbër. Andaj, secili sundues kishte trupa të veçantë për të mbrojtur zotërimet dhe interesat e veta dhe ruanin të drejtën të hynin në marrëdhënie personale me vende dhe forca të tjera jashtë kuadrit të Kryetarit të Shtetit. Por, kur u pa se me një ushtri aleatësh të pasigurt nuk mund  t’ i rezistohej inkursioneve të furishme të ushtrive osmane, Skënderbeu iu kushtua organizimit të një ushtrie të re.

Për shkaqe të rivalitetit, ka të ngjarë siç njoftonte Gjon Muzaka në          “Kujtimet” e tij, Kuvendi Lezhës kishte krijuar edhe raporte pabarazie ndërmjet Skënderbeut e sundimtarëve të tjerë arbërorë. Megjithatë, nga njoftimi i Muzakës, nuk mund të kuptohet se është fjala për ndonjë grabitje të pasurive nga bujarë të tjerë, ose për një politikë personale të Skënderbeut. Mbi të gjitha këtu kemi të bëjmë me një proces historik që kishte filluar të vepronte qysh nga kapërcyelli i  shekullit XII, me ngritjen e shtetit të Arbrit, proces i cili gjeti truall të përshtatshëm edhe gjatë viteve të luftës kundërosmane në krye me Skënderbeun, udhëheqësin më të indikuar për të realizuar atë me ritme më të shpejta edhe me duar më të sigurta.

Është për të vënë re se, vendimet e Kuvendit të Lezhës iu dhanë një mbështetje të fortë juridike e morale pozitave të Skënderbeut në marrëdhënie me sundimtarë të tjerë arbërorë. Ai diti t’i shfrytëzonte ato me mjeshtëri për t’i ngritur në një shkallë gjithnjë e më të lartë të drejtat e organeve qendrore, të udhëhequra prej tij, për të bashkuar sa më shumë krahinat e lira të Arbërisë. Pushtetin qendror e pranuan edhe shtresa feudale arbërore. Kjo ishte një domosdoshmëri e kohës, meqë ishte e qartë se me politikën e zgjedhur të shpërndarjes së feudeve të vogla ushtarake, të pronave, pushteti qendror, si kudo në Europë, te feudalët gjeti një mbështetje efektive politiko-ushtarake, shoqërore e kulturore.

  1. Ofiqi politiko-shtetëror

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu sipas njoftimeve burimore që zotërojmë qendronte në krye të piramidës shtetërore me të drejtat e një monarku mesjetar. Së këtejmi, burimet e kohës, që dalin nga  provenienca të ndryshme, në fillim, Skënderbeun dhe luftërat e udhëhequra nga ai, i shikonin si lëvizje spontane dhe të paorganizuara. Andaj, edhe burimet e zyrave të Venedikut dhe të vendeve të tjera të ndikuara nga kjo republikë, nuk e shohin Skënderbeun në cilësi të një sunduesi të mirëfilltë të Arbërisë, por vetëm si një sundues të thjeshtë ose “Zot të Krujës”.

Në mbështetje të buirimeve zyrtare, titullin e një shtetari të tërë Arbërisë ia ndau së pari zyra e Republikës së Raguzës, e cila më 17 maj 1447 e quante “domino Giorgio Castriotis de Albania” (“Gjergj Kastrioti, Zot i Arbërisë”). Në vitin pasues, zyra e Republikës së Venedikut, më 4 tetor 1448 e quante “Magnifico Scanderbego et aliis dominis Albaniae […]” (“I Madh Skënderbe dhe zotët e tjerë të Arbërisë”). Po në këtë kohë nga zyra e Republikës së Raguzës doli një dokument ca më domëthënës për titullin e Fatosit tonë: “Domino nostro Scandarbech, dominus Albanensis” (më 20 tetor 1448: “Zoti ynë Skënderbeu, Zot i Arbërve”). Po në këtë ditë, një vit më pas, më rritjen e pushtetet të vet feudal, zyra e Venedikut e quante “Zoti Skënderbe”.  Ndërkaq,  zyra e shtetit të Milanos e quan: “Zot i Arbërisë”. Po më këtë ofiq, zyra e Milanos e shënonte gjatë gjithë jetës së tij. Madje, sipas një dokumenti që mban datën 6 qershor 1461 të po kësaj zyre, Skënderbeu përveç ofiqit “Zot i Arbërisë” u cilësua edhe kapiten gjeneral i mbretërisë së madhe për pjesë të Greqisë. Miku i Skënderbeut, mbreti i Aragonisë Alfonsi V, me rastin e marrëveshjës në Gajetë, më 26 mars 1451,  e quan “Zot të Krujës dhe të pjesëve të tjera të Arbërisë”. Ky ofiq i Skënderbeut qarkullonte edhe në zyrat e papatit, duke filluar nga 13 prill 1451, kur në krye të Selisë Papnore  ishte pa Nikolla V. Duhet thënë se të gjitha dokumentet që dalin nga kancelaritë e Selisë Papnore nga koha e papëve Nikolla V, Kaliksti III, Piu II, Fatosin tonë e njohin për “Zot të Arbërisë” (“Giorgio Castriota Scanderbeg Albanie domino”).  Më të qartë dhe më të guximshëm në këtë aspekt janë zyrat e shtetit të Mantovës. Që këtej, në një dokument të këtij shteti, që mban datën 11 gusht 1459, e quan Skënderbeun “Princ të Krujës dhe të pjesëve të tjera të Arbërisë” (“[…] quod terre et dominia dilecti filii nobilis viri Georgii Scanderbech, principis Croye et aliarum partium Albanie”).

Burimet bizantine, edhe pse ofrojnë njohuri interesante për epokën e Skënderbeut, ato për shkak të politikës superiore ndaj shtetit mesjetar të Arbërit, nuk ndalën në ofiqin ose titullin politik të heroit tonë kombëtar. Përjashtim në këtë aspekt bën kronisti Gjergj Sfranca.

Ndryshe nga bizantinët, burimet osmane, në këtë aspekt janë shumë më përmbajtësore dhe domethënëse. Këtej, e quanin: “sundumtar të arbërve”, “mbret të arbërve”, “Iskenderi, sundimtar i arbërve”, “sundimtar i vendeve të arbërve” ose “sundimtar i Arbërisë” e ndonjë tjetër.

Në kontekst me kryqëzatën kundër osmanëve, ku Papa II e emroi Skënderbeun kryekomandant të Selisë Shejtë, Barleci, mes tjerash shkruante edhe për ofiqin shtetëror të Skënderbeut: “(Papa Piu II) do të pranonte së pari dhe do të ngrente në gradën e nderuar të kardinalit Pal Engjëllit, argjipeshkvin e Durrësit; pastaj do të shpallte mbret të epirotëve dhe të arbërve Skënderbenë […]”. Ky pohim i Barlecit konfirmohet nga një njoftim zyrtar që mban datën 8 nëntor 1462. Dokumenti është një riprodhim i bullës së papës Piu II dhe titullohet “konsitucione të Pal Engjëllit, argjipeshkëv i Durrësit, publikuar në kishën e Trinisë së Shejtë të Matit, e hënë më 8 nëntor 1462”.

Në këtë kontekst duhet parë edhe titullin e përmendur më sipër të Skënderberut “Dominus”, titull ky që është i përafërtë me titullin mbret ose basileus, që ka qenë edhe titull i Aleksandrit të Madh, emrin e të cilit e mbante me krenari Skënderbeu. Madje, edhe  ngjyra e petkave të Skënderbeut ishte tipike mbretërore dhe imitim i ngjyrës së veshjës së Aleksandrit të Madh, që bante petka ngjyrë të purpurt. Këtë ngjyrë e preferonin edhe perandorët bizantinë në veshjën dhe në flamurin shtetëror të tyre. Burimet e kohës provojnë se Skënderbeu ka veshur edhe petka të purpurta. Të njëjtën ngjyrë ruante edhe fusha e flamurit tonë kombëtar.

Gjakovë, më 8 maj 2018: Kumtesë nga shënimi jubilar i 550-vjetorit të vdekjës së Heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu të organizuar nga shoqata intelektualve “Jakova” botuar në numrin 114 të Revistes Gjakovapress