Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

VERA 2018,  SHI, DIELL, DASMA  E  TOLLOVI!

E faqes së tretë…

Gjakova ka hyrë sivjet në stinën më të nxehtë me shi, diell dhe tollovi. Shiu fillimisht ishte I mirëseardhur për bujqësinë e më pastaj edhe për pemët dhe perimet u bë I “padëshiruar”! Vërshimet e stuhitë shkaktuan dëme të konsiderueshme. Bujqit ende presin që shteti ti ndihmojë, por, praktika tregon  se nuk ka pasur buxhet… Perimet  nga moti I ligë, diell e shi I mori “basra”, një sëmundje që e pengon rendimentin. Ankohen fermerët se investuan shumë e verën do ta mbyllin me humbje! Ankohen edhe qytetarët kur i merr vala e ujit rrugët por edhe bodrumet e shtëpive. Të gjithë me ankesa. Më së shumti të rinjtë. Anise të papunë, tjerrin kohën kafeneve me 50 cent kafen e  me debatet për liberalizimin  vizave. Dëshirojnë të bëhen protogonistë të ngjarjeve të mëdha, por nuk kanë shansë të bëjnë më shumë se të presin ditë më të mira!!! Për shkollat profesionale që të mundësojnë më shpejtë punësim, as këtë verë nuk po flitet shumë.

Vera 2018 pati edhe diell me reduktime për pushuesit. Ka pasur raste kur grupe turistësh sapo kanë shkuar në bregdet shpejtë janë kthyer prapësht, se nuk kanë mundur të bëjnë plazh, edhe nuk kanë qenë të përgatitur me veshmbathje adapte për vjeshtën! Në rrjetet sociale u bë hit, një pushues duke u ngrohur me ngrohëse në plazh!!!

Velipoja e Shëngjini edhe këtë verë janë në qendër të vëmendjes. Autobusët ditët e natën shkojnë e vijnë Gjakovë-bregdet. Qendrat turistike bregdetare janë zhvilluar shumë. Por, janë “zhvilluar” edhe çmimet. Kur na prek në xhep, pushimet verore na bëhen të bezdisshme. Edhe Velipoja ka ndryshuar me çmimet. Nuk është si dikur. Me ironi pushuesit thonë se , “Kanë filluar ta rrisin mendjen…”, çmimet e banesave I kanë rritë, çmimet e ushqimit në restaurant janë ngrit, shezlonat në plazh sikurse në Vlorë e Sarandë , pemët dhe perimet në treg njëjtë sikurse në Gjakovë…

Por edhe përkundër këtyre vërejtjeve, gjakovarët edhe këtë verë nuk e kanë “tradhtuar” Velipojë e Shëngjinin.  Durrësi I ka vizitorët tradicional, ndërsa viteve të fundit bregdeti I Jugut me Vlorën e Sarandën kanë më shumë gjakovarë.

Megjithatë, megjithë motin jo të përshtatshëm pushimet e verës janë të këndshme. Edhe diçka . Shumica e bashkëqytetarëve tanë pushimet e verës I planifikojnë në Qershor dhe Shtator. Edhe diell të fortë nuk ka por edhe çmimet janë më të ulëta.

Kush mbeti në Gjakovë  verën po e kalon me përditshmërinë e zakonshme. Ata që krejt jetën verës kanë shku në lumin Ereniku dhe Drini I bardhë kanë vazhduar edhe këtë verë. Por uji I këtyre lumenjve nuk është  ai i dikurshmi kur synetlinjtë I preferonin të shkonin në ujin plot jod të Erenikut!

Shkugëza u bë qendër e vërtetë pushimi e rekreacioni ditor. Nga mëngjesi I hershëm “bashkëjeton” me qytetarët që zgjohen herët për të thithë ajrin e pastër të pishave shtatë larta. Kafeja e mëngjesit është shumë e lezetshme me miqtë. Edhe në mbrëmje restaurantet e Shkugëzes plot. Tash kanë ardhë nga diaspora dhe lokalet hoteliere janë plot. Hanë e pinë sa munden sepse çmimet këtu janë të favorshme për rrogat që I kanë vëllezërit tanë nga diaspora . Në Shkugëz do të bëhet akoma më mirë. Komuna ka ndarë 120 mijë euro për rregullimin e nja 4 kilometrave të shtigjeve për këmbësor.

Vera “vlon” nga trafiku. Tollovi e paparë. Muzikë e burive të makinave. Nuk presin asnjë çast, bëhen të padurueshëm. Hapin dritaren e veturës dhe nuk kursejnë fjalë të pista për pjesëmarrësit tjerë në trafik! Çka po ndodhë kështu?! Nuk ka përparësi as këmbësori. Dielli ngrit adrenalinën . Policia e trafikut mundohet të vejë rregull por është e vështirë. Një orë I bënë po ece me makinë nga një këndë në këndin tjetër të Gjakovës. Nuk mjaftojnë rrugët sepse  ka shumë vetura që kanë ardhë nga diaspora. Gjakova bëhet herë-herë paradë e makinave të firmave më të njohura botërore me targa nga jashtë! Dihet se ia lëshojnë zërin në kupë të qiellit. Edhe pas mesnate. Kërcasin fishekzjarrët, bëhen synet djemtë, fejohen,  martohen… Kërcet muzika.  Por tregtarët po thonë se në Gjakovë nuk kanë ardhë as gjysma që e kanë pritur. Dmth. Kanë pritur shumë më tepër!

Po thonë se hotelet dhe restaurant janë në vlug të punëve. Dasmat tradicionale të verës nuk kanë të ndalur, as ditën e as natën. Hotelierët, frizerët, taksistët, instrumentistët, këngëtarët,  kanë punë shumë. Verë është kjo, thonë ata!!! Dasmat e Gjakovës janë të njohura në gjithë botën. Po edhe muzika që interpretohet aty është e këndshme. Gjithçka është e mirë  për ata që kanë “karshillëkun”, paguajnë meny të begatë plot mish e salla dhe muzikë me mijëra euro,   ndërsa për ata, shumicën e popullatës,  që ëndërrojnë gjëra të tilla  sëpari duhet të sigurojnë burimet financiare për të paguar faturat e rrymës, bërllogut, ujit, telefonit e tj. e pastaj si thonë shkodranët “Tuj pa e tuj bo”…

Pa marrë parasysh hallet , kjo verë erdhi me SHI, DIELL, DASMA  E  TOLLOVI!!! (Gjakovapress Nr.116- Korrik 2018)