Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Bujar Gola  fitues në Auto-Sllallomin e Gjakovës

Qendra e Gjakovës të dielen ishte me zhurmë. Automobilistët kosovar po sprovonin shkathtësitë e veta në drejtimin e makinave në slalom. Për këtë mjeshtri ata merrnin duartrokitje përgjatë shtegut ku “fluturonin” nga  shpejtësia e madhe të 28 garuesit pjesëmarrës.

Fitues i garës së tretë në disiplinën e auto sllallomit në Kampionatin e Kosovës është Bujar Gola, anëtar i Auto Klubit HCR Gjakova.

Gola me veturën e tij Peugeot 106 deri te fitorja (përfshirë të dyja vozitjet) arriti me kohën 01:54.412 minuta, ndërsa shtegu ishte i gjatë 1.1 kilometër.

“Gara ishte e mirë dhe çdo gjë shkoi ashtu siç ishte paraparë. Pati garues dhe vetura të përgatitura shumë mirë, prandaj nuk kam pritur se do të jem fitues edhe në plasmanin e përgjithshëm. Megjithatë, në garë hyra i qetë, pa presion, isha i kujdesshëm dhe suksesi nuk mungoi. Po ashtu edhe në plasmanin ekipor u renditëm në pozitën e parë”, ka thënë Gola pas garës.

Pozita e dytë në plasmanin e përgjithshëm i takoi anëtarit të Prizreni D&G, Kreshnik Mariqit, i cili me Yugon e tij u vonua për 03.851 sekonda në krahasim me fituesin. Ndërsa, podiumi u plotësua me anëtarin tjetër të HCR Gjakova, Besfort Hana, i cili garoi me Opel Astra dhe për 06.739 sekonda ishte më i ngadalshëm se Gola.

Kampionati i Kosovës në automobilizëm vazhdon në javën e ardhshme me garën e disiplinës malore që do mbahet në Pousko të Prizrenit.  

Renditja ekipore:

1.HCR Gjakova 50 pikë

2.Prizreni D&G 45

3.Kaçandolli PRT 37.5