Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

KRU Gjakova kërkon të bëhet ndarja e ujërave atmosferike nga ujërat e ndotura

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” është në fillimin e punimeve për ndërtimin e kolektorëve kryesor dhe Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Ndotura për Qytetin e Gjakovës. Ndërtimi i kolektorëve kryesor të ujërave të ndotura ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve të Gjakovës dhe përmirësimin e kushteve mjedisore. Me qëllim që projekti të realizohet me sukses dhe të plotësohen kriteret e nevojshme, kolektorët e kanalizimit të ujërave të ndotura janë të paraparë dhe dimensionuar vetëm për ujërat e ndotura -sanitare. Prandaj KRU Gjakova kërkon  nga banorët – konsumatorët që brenda pronave të tyre të bëjnë ndarjen e ujërave atmosferike nga ujërat e ndotura. “Konsumatorët duhet të bëjnë instalimin e pusetës private për kanalizimin e ujërave të ndotura-sanitare, në mënyrë që të eliminohen kthesat gjatë kyçjes në pusetën inspektuese. Ndarja e ujërave atmosferike nga ato sanitare brenda pronës tuaj private, është në përgjegjësinë e banorëve, ndërsa jashtë pronës së tyre do të kryhet nga kompania punë kryese.” thuhet mes tjerash në  njoftimin e KRU Gjakova. Kjo kompani tërheq vërejtjen se , “ Nëse në të ardhmen, gjatë të reshurave paraqiten probleme me rrjetin e kanalizimit sanitar, si pasojë e tej-ngarkesës së kolektorëve me ujërat atmosferike,  si Kompani nuk marrim asnjë përgjegjësi. Gjithashtu pagesa do ju dyfishohet nëse vërtetohet se ujërat atmosferike nuk janë të ndara nga ato të ndotura/sanitare.” KRU Gjakova përfundon njoftimin me  lutjen : “Na ndihmoni ta bëjmë qytetin tonë më të pastër”.