Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Shoqata e Intelektualëve “Jakova” propozim për Obeliskun kushtuar Mësuesit

Për  Shoqatën e Intelektualëve “Jakova”    arsyetimin e dha  Prof.Dr. Qamil Haxhibeqiri, anëtar korrespodent i ASHAK

Gjakova, qyteti ynë, me të drejtë konsiderohet si vatra e arsimit në gjuhën shqipe. Në vitet kur errësira e analfabetizmit dhe dhuna e pushtuesit rëndonte mbi çdo gjë që ishte shqiptare, u gjetën burra që u përballën me vështirësitë e kohës dhe, pa marrë parasysh pasojat e rënda për vetveten, organizuan në  mënyra të ndryshme (herë institucionale e herë -herë jashtë institucionale)  përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe. Ishin këta mësuesit e parë (kujtojmë Nimon Ferizin, Ibrahim Fehmiun, Ibrahim Kolçin, Ferid Imamin, Baba Qazim Bakallin, Abdullah Hadrin,  etj. ) që qysh në vitet e hershme të shekullit të kaluar (1915-1918) hapën shkollën e parë shqipe “Skënderbeu” në qyteti tonë.

Kjo nismë e mbarë e këtyre burrave të mëdhenj në vitet pasuese u ndërpre nga dhuna e pushtuesve serbomëdhenj. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore (1941-1945), kur u krijuan kushte  më të favorshme,  mësuesit gjakovarë (kujtojmë Selman Rizën, Demush e Haki Tahën, Emine e Murteza Shehdulën, Fadil Hoxhën, Hysni Zajmin, Xheladin Hanën, etj)  të ndihmuar nga mësuesit e ardhur nga Shqipëria e të emëruar nga Ministri i Arsimit i asaj kohe Ernest Koliqi,  themeluan shkollat shqipe “Bajram Curri”, “Sulejman Vokshi” e “Ali Kryeziu” në qytetin tonë. Në këto shkolla, për here të parë, punohet me plane dhe programe unike të përpiluara nga Ministria e Arsimit e shtetit shqiptar të asaj kohe. Këta mësues, jo vetëm me pendë por edhe me armë, kontribuuan në zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe dhe në krijimin e kushteve dhe rrethanave për prosperitetin e popullit shqiptarë në trojet e veta etnike.

Themelimi i Normales së Gjakovës (1946 -1948), të parës shkollë profesionale për përgatitjen e kuadrit të mirëfilltë edukativ e arsimor, ishte fryt i punës së brezave të mëhershëm të mësuesve patriotë. Nxënësit e kësaj shkolle u bën pishtarët e zhdarravitjes së  territ të paditurisë dhe injorancës në mbarë trevat shqiptare. Disa nga ta (kujtojmë  Dervish Rozhajën, Enver Gjerqekun, Ali Hadrin, Ismet Dehirin, Rexhep Hoxhën, Hysen Muhaxherin, etj) vazhduan studimet e larta universitare  dhe u bënë  themelues dhe profesorë të Shkollës së Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” në Gjakovë (më 1967) e, më vonë (më1971),  edhe të  Universitetit të Prishtinës – institucionit më të lartë arsimor e shkencor në Kosovë.

Duke pasur parasysh kontributin e gjithë brezave të mësuesve që përhapën dritën e diturisë, jemi fort të bindur se ngritja e  OBELISKUT PËR MËSUESIN  do të jetë nderim dhe vlerësim i punës së atyre brezave, motiv për brezin e tashëm  si dhe shembull për angazhimin e brezave të ardhshëm të mësuesve.  Andaj, me kënaqësi propozojmë ngritjen e këtij Obelisku në një lokacion të përshtatshëm të qytetit tonë.

(Gjërësisht për aktivitetin e Shoqates Jakova në shënimin e përvjetorit të punës,  në numrin më të të ri Gjakovapress 120)