Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Për një vit linden rreth 2 mijë foshnja

Gjatë vitit 2018, në  repartin e lindjeve të Qendrës spitalore të Gjakovës kanë lindur rreth  2 mijë foshnja, mirëpo në Sektorin e Statusit Civil të Kuvendit Komunal të Gjakovës  janë regjistruar vetëm 1 mijë e 664 prej tyre. Ndërkaq pjesa tjetër e të lindurve, prej rreth 320,  për arsye të ndryshme, nuk janë të regjistruar në evidencat e kësaj qendre, ka bërë të ditur , udhëheqësja e shërbimit të ofiqarisë në komunën e Gjakovës, Teuta Vokshi. Mirëpo kjo shifër e lindjeve nuk mund të jetë reale sa i përket lindjeve në territorin e komunës së Gjakovës për vitin 2018, pasi këtu përfshihen vetëm të dhënat që janë dërguar nga spitali publik i Gjakovës. Një pjesë e lindjeve është bërë edhe në qendrat private, që mund të rrisë edhe numrin e  lindjeve në Gjakovë.

Sipas Vokshit, gjatë vitit 2018 në këtë qendër, janë regjistruar 2 mijë 823 lindje, që është një numër i përafërt me një vit më herët. Në këtë shifër janë përfshirë edhe lindjet që janë bërë ndër vite në komunën e Gjakovës, mirëpo që nuk kanë respektuar afatin për regjistrim, që është 30 ditë nga dita e lindjes.

Ndërkaq, sa i përket numrit të vdekjeve, në Qendrën e gjendjes civile të komunës së Gjakovës, në vitin 2018,  janë regjistruar, 748 vdekje, prej tyre 544 regjistrime të rregullta si dhe 204  raste të vdekjeve janë regjistruar me vonesë. Brenda vitit 2018 janë regjistruar 1 mijë e 306 kurorëzime, 1 mijë e 37 të rregullta dhe 279 kurorëzime jashtë vendit. Në sektorin civil janë regjistruar 10 shkurorëzime.