Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Shoqata “Thirrjet e Nënave” me një ceremoni prekëse pranojnë  donacionin humanitar nga shqiptarët e Amerikës

Sy të përlotur janë parë të premten në mbrëmje në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës në Gjakovë ku u organizua ceremonia e veçantë për ndarjen e donacionit të mbledhur në një mbrëmje artistike në New York. Drejtueset e shoqatës Thirrjet e nënave” me shumë emocione kanë falënderuar të gjithë ata që kanë organizuar një mbrëmje me një dedikim të veçantë për to.

Në fakt me rastin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në New York u organizua një mbrëmje e madhe, e cila përpos që ishte festive, iu kushtua edhe nënave të Gjakovës që humbën më të dashurit e tyre në luftën e Kosovës.

Kjo mbrëmje festive, por që lidhet edhe me një aspekt shumë tragjik në Kosovë, e që ka të bëjë me të zhdukurit, u organizua më iniciativën e biznesmenit dhe humanistit të madh shqiptar, Ramiz Kukaj, për të vetmin qëllim për të ndihmuar shoqatën “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova.

Kësaj iniciative i është përgjigjur një numër i madh i komunitetit shqiptar në Amerikë, duke i dhënë kështu përkrahje shoqatës së nënave, e cila është shumë aktive në kërkim të drejtësisë për gjetjen e më të dashurve të tyre, pra familjarëve,  të cilët për 20 vjet më radhë konsiderohet të zhdukur.

Ashtu siç u kishte premtuar, Kukaj me origjinë nga Peja që tash e shumë vite punon në Amerikë,  të premten në mbrëmje  i shoqëruar nga babai Rrustemi, solli donacionin në vlerë prej 45 mijë dollarëve  për nënat gjakovare.

E  përfaqësueset e shoqatës, thanë se kujdesi që kanë treguar Ramizi me shokët dhe artistët shqiptar ndaj familjeve të të pagjeturve,  është shumë më i rëndësishëm se sa vlera monetare. “Tash po ndjehemi më krenare se nuk jemi vetëm”!!!, thanë ato.

Në ceremoni u ndanë mirënjohje për gjithë ata që moren pjesë në mbrëmjen humanitare si dhe u shfaqen edhe disa pika artistike muzikore nga nxënësit e shkollës së muzikës Prenk Jakova si dhe recituan aktorja e mirënjohur Muradije Muriqi dhe Betim Shehu që u duartrokitur gjatë.