Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Në prag të Ditës së Mësuesit : “SKËNDERBEG”-SHKOLLA SHQIPE E GJAKOVËS-1915

Fillimi i punës edukativo –arsimore e patriotike në “Skënderbeg”-shkollën e parë shqipe të Gjakovës,  ishte një festë e madhe; u hap SHKOLLA  E PARË SHQIPE , shkruan për Gjakovapress profesoresha, veterane e arsimit,  Samile Haraqija. Për ta shënuar 7 Marsin Ditë  e Mësuesit, shkëputëm një pjesë nga materiali më i zgjeruar për shkollën e parë shqipe të Gjakovës me emrin Skenderbeg.

Emri i atdhetarit, mësuesit të madh. NIMAN  FERIZI, është guri kryesor i themelit kryesor të shkollës së parë shqipe. Ai i priu grupit të mësuesve atdhetarë dhe në shtëpinë e tij u mor ky vendim jetik.  Synimet ishin :

1)Pajisja e nxënësve me njohuri fushash të ndryshme dhe

2)Formimi i njeriut atdhedashës krahas idealeve të rilindësve.

MËSUESI I POPULLIT, atdhetari i shquar, NIMAN FERIZI (u lind më  1892 në Gjakovë)në krye të grupit  të gjakovarëve- mësues atdhetarë- filluan punën e madhe; edukimin dhe arsimimin e fëmijëve: (BABA)QAZIM BAKALLI, FERID IMAMI, SALIH MORINA, IBRAHIM FEHMIU, IBRAHIM KOLÇI, ISUF PUKA, OSMAN SHAQIRI(ose Shaqa), MURAT MUHAGJIRI , MUHARREM DOMI, LATIF SHAQIRI, BEQIR ÇUKA-POZHEGU dhe shkodrani NDOC NIKAJ.

Këta atdhetarë synonin të arrinin qëllimet që shkolla t’i përmbushte normat e një institucioni pedagogjik në frymë demokratike, patriotike ,edukativo- arsimore. Hartimi i plan programeve dhe realizimi i tyre  me punën përkushtuese  të këtij trupi arsimor , si një organizëm monolit , nuk ngelën pas atyre evropiane. Gjakovarët s’e prisnin i pari të dytin për t’i shpënë fëmijët në shkollë. Përfshirja qe masive, pa dallim feje. Nga “MSOJTORJA  E QYTETIT GJAKOVËS”në fillim shkolla e parë shqipe u vendos në ndërtesën “Mejtep Ruzhdijës” dhe u pagëzua me emrin “SKËNDERBEG”. Pas ardhjes së ushtrisë austro-hungareze, zyrtarisht fitoi statusin e vet ligjor, formuloi vulën  dhe drejtorinë. Drejtor u  emërua  Zef Duka nga Zara. Zelli dhe vigjilenca e trupit arsimor  nuk munguan për t’u bërë ballë pushtuesve bullgarë. Bashkia e qytetit formoi një “aradhe policore”për të ruajtur rendin e shkollës. Austro- hungarezët  bënë çmos që shkolla  të mbetej katërklasëshe. Edhepse inspektorët e pranuan  se shkolla i plotësonte të gjitha kushtet , eprorë e komandantë  atë nuk e shihnin me sy të mirë.

Cikli i ulët zhvillonte mësimin klasor dhe cikli i lartë  mësim lëndor. Viti i parë  shkollor 1915-16, në muajt e parë kishte 50-60 nxënës, por shumë shpejt arriti në 350 nxënës. Për  herë të parë në këtë qytet u vu në jetë alfabeti shqip dhe u dëgjua  fjala e ëmbël shqipe. Qytetarët , të emocionuar, flisnin për gëzimin e madh: “Më pyet në do i verbëri sy?!”…

Më 1918, numri i nxënësve arriti në 1200. Brenda këtyre viteve puna e mësuesve –atdhetarë  qe e bujshme , e palodhshme , sepse ata themeluan  shkolla shqipe , kurse përgatitore në Pejë, Mitrovicë, Gjurakoc, Vushtri, Zllakuqan, Strellc  dhe në Dushkajë  të Gjakovës.

Dymbëdhjetë  mësuesit iu shtruan punës me zell e dashuri, si atdhetarë që ishin .Ata çanë errësirën e analfabetizmit  dhe ftuan prindërit  gjakovarë që t’i nxirrnin  nga terri shekullor edhe bijat e tyre. Gjakovarët iu përgjigjen thirrjes, në fillim u regjistruan 15 vajza. Nuk shkoi shumë dhe numri u rrit  në 30 nxënëse. Paralelja e vajzave , e njohur në popull si “Shkolla e çikave”, u vendos në një shtëpi private. Mësues ishin: EMINE  SHEHDULA-GJAKOVA(e shoqja e atdhetarit DEMUSH TAHA-GJAKOVA, nëna e Shqipe dhe Agim Gjakovës) dhe  DOMENIKE E JOZEF NDOCAJ.

Mësuesi i popullit ,Niman Ferizi bashkë me mësuesit-ujet e diturisë e “Skënderbeut”çanë errësirën e analfabetizmit dhe ngritën kurse edhe për të rritur, duke përfshirë moshat 18 deri 40 vjeç.

Tekstet në gjuhën shqipe nga atdhetarët  shtypeshin në qendra  evropiane, më shumë në Vjenë e Bukuresht.

MOTOJA E NIMAN FERIZIT

“Edukoni nxënësin  me trimërinë  e Teutës, heroizmin e Skënderbeut, guximin e burrit dhe heroizmin e Bajram Currit, që t’i shërbejë atdheut  me përkushtim dhe devotshmëri”, ishte moto e Niman Ferizit.