Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Një monografi që i ka munguar njohjes së historiografisë shqiptare

Shkruan: Dr.sc.Alban Dobruna

Në vazhdën e botimeve të vyera të Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” mbi historinë shqiptare, shtohet edhe ky studim i cili përmbush një boshllëk të konsiderueshëm për historiografinë tonë. Vepra “Prof. dr. Rexhep Krasniqi: Një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike” e përgatitur dhe e redaktuar nga dr. Besim Muhadri, i paraqitet lexuesit me fakte dhe vlerësime të reja për figurën e Rexhep Krasniqit, si një nga prijatarët e historiografisë shqiptare, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare, doktor i shkencave historike në Austri dhe një nga studiuesit e parë shqiptarë që iu qas arkivave austriakë për ndriçimin e të kaluarës tonë. Përmasat e këtij libri i përshtaten më së miri historisë së pasur të këtij areali të rëndësishëm të Shqipërisë të Kongresit të Berlinit dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Luftës së Dytë Botërore dhe pas Luftës. Monografia është e strukturuar në dhjetë pjesë të ndara sipas një kriteri të kujdesshëm kronologjiko-tematik, që i përshtatet më së miri edhe tematikës së trajtuar përgjatë punimit.

Pjesa e parë “Prof. dr. Rexhep Krasniqi: Një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”, që i korrespondon pjesës së hyrjes, përmban informacionet e duhura për ta njohur këtë personalitet. Autori, zotëri Muhadri, na kumton biografinë e tij nga lindja në Gjakovë, më 28 shtator të vitit 1906, nga babë Musli Qerimi i Margegajve të Malësisë së Gjakovës dhe nënë Gjyla nga  Gjakova. Punimi nis pikërisht me orientimin dhe përkufizimin e rrethanave të kohës nëpër të cilat Rexhep Krasniqi kaloi një jetë tepër të rëndë dhe shumë të dhimbshme, sepse që në moshën 8-vjeçare mbeti jetim, pa të dy prindërit. Duke parë një fëmijë tepër të zgjuar, por edhe në një gjendje tepër të vështirë, atdhetari dhe arsimdashësi, Bajram Curri  do ta adoptojë si bir shpirti. Ai edhe do ta shoqërojë për herë të parë me rastin e  regjistrimit në shkollë në Vjenë. Sipas informacioneve që kemi, i vëllai i Rexhepit, Imeri, bashkë me kushërinjtë e tij, të bijtë e Niman Sylës, ishin familje e njohur dhe mbështetës të Bajram Currit, ndërkaq Kulla e Maxhun Nimanit ishte streha kryesore e Bajram Currit në Malësi të Gjakovës. Ata kishin edhe relacione të vjetra fisnore. Andaj, kjo edhe do të jetë boshti përreth të cilit do të inspirohej e formohej karakteri i tij si intelektual dhe si patriot. Në qytetin e lindjes, në Gjakovë, ai mbaroi 4 vjet të shkollës fillore dhe dy vjetët e fundit në Shkodër. Shkollën e mesme e kreu në “Theresianum” të Vjenës (Austri), e cila ishte një ndër shkollat më të njohura të Evropës Qendrore. Më 1934 merr titullin e Doktorit të Shkencave Historike, me temën: “Kongresi i Berlinit e verilindja e Shqipnisë”, ndërsa për mentor kishte prof. dr. Carl Patsch, kryetar i Institutit të Ballkanologjisë pranë Universitetit të Vjenës, albanolog dhe historian i mirënjohur.

Kjo pjesë e monografisë përbënë një ndriçim thellësisht të detajuar nga jeta e tij, si profesor i historisë dhe i gjeografisë në shkollën e qytetit të Gjirokastrës, ku më vonë emërohet edhe si zëvendësdrejtor. Emërimi në vitin 1939 si drejtor i Arsimit dhe më vonë inspektor epror pranë po asaj Ministrie. Më 1941, komisar i lartë i shkollave shqipe në Kosovë si dhe drejtor i gjimnazit të gjuhës shqipe në Prishtinë. Më 1943, merr pjesë në qeverinë e Mehdi Frashërit si Ministër i Arsimit. Në vitin 1943 zgjidhet kryetar i Kuvendit Kombëtar (Parlamentit), ku për të parën herë morën pjesë përfaqësuesit e viseve që padrejtësisht u lanë jashtë trungut amë, përkatësisht nën sundimin e Serbisë e Malit të Zi, përkatësisht trevat e Shqipërisë Verilindore. Në këtë Kuvend, shpallet bashkimi i tokave të zaptuara me shtetin shqiptar si dhe pavarësia e neutraliteti i Shqipërisë përkundrejt fuqive ndërluftuese. Dr. Krasniqi u zgjodh dy herë nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që drejtohej nga  Musa Shehu e Xhafer Deva.

Me ardhjen e komunizmit në fuqi, Rexhep Krasniqi u detyrua të largohet nga atdheu, ku së bashku me grupin kosovar të Lidhjes së Prizrenit, mori rrugët e emigracionit politik. Qëndroi për një kohë të shkurtër në Siri, dhe prej andej emigroi në Australi. Aty kah fundi i vitit 1956, thirret prej Ministrisë së Jashtme amerikane për pjesëmarrje në riorganizimin e formimit të Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qendër në Nju Jork dhe zgjidhet kryetar i Komitetit, të cilin e drejtoi për 35 vjet rresht, deri në rënien e regjimit komunist në Shqipëri.

Dr. Besim Muhadri si përgatitës dhe redaktor i librit depërton në një numër të madh studimesh të botuara shqip, anglisht dhe gjermanisht. Konferencat akademike të dr. Rexhep Krasniqit në universitete të ndryshme të Amerikës dhe të Evropës, si dhe shkrimet e botuara në shtypin e mërgimit, sidomos në organin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, gazetën “Shqiptari i Lirë”, të cilat mund të përmbanin disa vëllime, ndihmojnë të sjellin perspektiva të reja mbi ngjarjet e historisë tek shqiptarët.

Pjesa e dytë “Kongresi i Berlinit dhe verilindja e Shqipnisë” është tema e doktoratës së Rexhep Krasniqit, siç e thamë më lartë e mbrojtur në Vjenë të Austrisë, më 1934. Doktorata e prof. Krasniqit është e ndarë në dy pjesë dhe në katër kapituj. Në kapitullin e parë të pjesës së parë ai trajton temën e prejardhjes (zanafillën) dhe shtrirjes së popullit shqiptar në siujdhesën ballkanike, si dhe zhvillimin e kësaj popullate brenda hapësirës së vet historike. Pastaj, temën e  Kongresi të Berlinit dhe pasojat e këtij kongresi për verilindjen e Shqipërisë; temën e vrasjes së  Mehmet Ali Pashës në Gjakovë, me përmasa tragjike, pushtimin e Podgoricës, Shpuzës e Zhabliakut nga ana e Malit të Zi, temën e shpërthimit të konfliktit për marrjen e Plavës dhe Gucisë si dhe përfundimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe aspektin e zhvillimit të kombit shqiptar brenda hapësirës së vet historike, për ta përmbyllur këtë kapitull me çështjen e kufirit etnografik të kombit shqiptar në verilindje.

Në Kapitullin II, Krasniqi trajton temën e luftërave për lirinë e popujve të krishterë të Ballkanit, ku shpërfaq arsyet e shpërthimit të këtyre luftërave dhe zhvillimin e tyre, duke trajtuar me këtë rast edhe problemin bullgar, grek etj.

Në Kapitullin III, flet për zhvillimin dhe përparimin kulturor e kombëtar të shqiptarëve si dhe përpjekjet e sllavizimit, arsyet e vonesës për zhvillimin e idesë kombëtare të popullit shqiptar, rrjedhimet e menjëhershme të ngjarjeve para Luftës Ruse-Osmane, shpërthimin e Luftës Ruse-Osmane etj.

Në pjesën e dytë të punimit të Rexhep Krasniqit, përkatësisht në Kapitullin IV që është edhe i fundit i tërë punimit, autori duke trajtuar Kongresin e Berlinit dhe Shqipërinë Verilindore, elaboron me mjaft përpikëri dhe këndvështrim shkencor ngjarjet e ndodhura para formimit të Lidhjes Shqiptare, pastaj krijimin e kësaj Lidhjeje, udhëzimet dhe vendimet e kësaj Lidhjeje etj., që janë mjaft me interes jo vetëm për kohën kur u shkruan ato, por edhe për vendin ku u shkruan dhe në gjuhën në të cilën u shkrua kjo temë.

Në pjesën e tretë, katërt, pestë dhe gjashtë, paraqiten shkrime me interes të Rexhep Krasniqit në librin që po u vjen lexuesit si: “Ngjarje vendimtare historike në Shqipëri dhe në Kosovë 1916-1920 – kujtime personale”, “Skënderbeu dhe kontributi i popullit shqiptar në mbrojtje të Evropës”, pastaj “Zhvillimi arsimor dhe popullsia shqiptare në Jugosllavi” dhe shkrimi i fundit është ai me titull: “Një vështrim i shkurtër historik i robërimit komunist”.

Në pjesën e shtatë të librit “Idriz Lamaj: Përpjekjet e Xhafer Devës dhe të Rexhep Krasniqit për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, janë shkrimet biografike dhe analitike të Idriz Lamajt në lidhje me personalitetin e prof. Krasniqit.

Në pjesën e tetë dhe nëntë të librit janë përfshirë edhe dy shkrime të historianëve nga Kosova, Nuridin Ahmeti e Shpend Avdiu, si dhe ai i Hamdi V. Thaçit, që janë punime të prezantuara në konferenca shkencore, të mbajtura në Prishtinë e Shkup dhe të botuara po ashtu në revista shkencore “Gjurmime albanologjike” të IAP-së (Instituti Albanologjik i Prishtinës) dhe “Scupi”, një revistë po ashtu shkencore  e ITSHKSH-së (Instituti i Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve, Shkup).

Libri përmbyllet me një album, që përbënë burime tejet të pasura si: fotografi me miq, bashkëpunëtorë dhe aktivitete të tija, certifikata, mirënjohjeje, disa nga botimet e shkrimeve të Rexhep Krasniqit etj.

Në përfundim, konsideroj se ky libër është një pasurim i traditës të veprave historiografike që Shoqata e Intelektualëve “Jakova” ka dëshmuar vazhdimisht deri më sot. Libri është një hap i rëndësishëm në historiografinë shqiptare, sepse koncepti, qasja dhe formimi i prof. dr. Rexhep Krasniqit përbënë një përafrim me shkollat historiografike evropiane dhe një gërshetim me traditat e shkollës historigrafike shqiptare. Kombinimi i dokumente arkivore e burimeve autentike, si dhe analiza me rrëfimin e qartë dhe bindës, ka bërë që libri të jetë i kuptueshëm, i pasur në argumente dhe i arrirë për sa i përket synimit për një paraqitje shkencore të figurës së Rexhep Krasniqit. Duke u nisur nga vlerat, origjinaliteti dhe rëndësia që ka botimi i një monografie të tillë, për një figurë kaq të madhe të shkencës dhe aktivistit kombëtar, standardet e arritura dhe parametrat shkencorë me të cilat është përgatitur ky libër, janë argumente që na bëjnë të mendojmë se lexuesit po i vjen në dorë një monografi me vlerë për historinë shqiptare. (botuar në numrin më të ri të Gjakovapress 124)