Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

  Dikur zejtarët gjakovarë punonin vegla  të veçanta muzikore

Gjakova njifet si qytet i zejeve të shumta. Një mjeshtri tjetër për të cilën ka  shumë pak të dhëna është ajo e prodhimit të veglave muzikore. Dimë vetëm se në Gjakovë jetonte, në gjysmën e dytë të shek. XIX, këngëtari dhe instrumentisti i njohur Ramadan Gonga, i cili e mbante familjen me zejen e tij të mjeshtrit për prodhimin e veglave muzikore, të sharkive, të çiftelive etj., se sharkitë e tij të bukura stoliseshin me një shqiponjë të sedeftë dhe me pika të fildishta, se kishte një dyqan dhe se ditën e pazarit luante melodi të bukura për të reklamuar mallin e tij. Gjithashtu, dimë se nxënësi dhe, më vonë, miku i tij, këngëtari dhe instrumentisti Din Bakija kishte punuar vet një sharki dhe një kuti personale. 

 Sipas historianit, prof dr. Masar Rizvanolli , këtë zeje e ushtronin, krahas profesionit themelor të tyre, edhe zdrukthëtarët e drugdhendësit, të cilët më së shumti merreshin me ndreqjen e veglave të prishura muzikore siç ishte mjeshtri i njohur në Gjakovë, Rasim Tullumi. Ai i kishte marrë njohuritë e para mbi karakteristikat e llojeve të drurit, që i përdorte në pjesët e ndryshme të instrumentit muzikor, nga i ati, Malushi. Në prodhimin e meremetimin e veglave muzikore Rasimit i ndihmonte i vëllai Ymeri, i cili, si instrumentist i bugarisë, të cilën ia kishte sjellë nga Stambolli i ati Malushi, bënte pjesë në grupin muzikor të Ymer Rizës. 

SHARKIJA ME 12 TELA E YMER RIZËS ME PLOT HISTORI

Një nga instrumentet muzikore që kanë karakterizuar tingullin tërheqës të një orkestre muzikor është edhe sharkia me 12 tela që në grupet muzikore të Gjakovës ka paraqitur një veçanti të rrallë. Është instrument me tela që është prodhuar nga vet zdrukthëtarët e  Gjakovës. Sipas ”Gjakovapress”, sharkija ruhet në njëren nga dhomat e familjes  Gola. Për shumë vjet ajo nuk funksionon.  Druri i sharkisë,  tek mesi i kokës,  i njohur si Tezgjon,  duke u përdorë shumë, është konsumuar dhe në vend të saj riparuesi Hadi Bajrami i kishte  vënë një ”zemër” druri. 

Për një kohë të gjatë tingulli i muzikës gjakovare mbante vulën e sharkisë së Ymer Rizës. Bashkëkohanikët e tij kujtojnë madhështinë e mjeshtërisë së artistëve popullor….. Nga “Gjakovapress”, shkëputem një kujtim nga Xajë Gola,  që e trashëgoi këtë instrument në vitet e 80-ta.

…E kështu që,  kur Ymer Riza u bo marak në sharki atëherë shkojke te Ramadan Gonga. Ky ka qenë një prej shahirave të mëdhaj,  edhe ka qenë nji prej zotnuesve të sharkisë. Thojshin se i ka hy bylbyli në sharki,  për penxhere,  pi sabahit!!! Bylbyli ka hi n’sobë se qaq bukur i ka ra sharkisë. Në sobë(dhomë) i ka hi bylbyli tuj u sjellë rreth  sharkisë . Kurse Ymer aga e ka pru bylbylin tekterzi(deri) n’pengjere! Me tingujt e sharkisë vet i ka ardhë bylbyli deri në penxhere,  por soba nuk majshin qetësi. Kështu kallxojke baca Dinë(Bakija). Kur u bo tamon që e përvetësoj sharkinë Ymer Riza i kish pas thonë shokëve, bilim Jahja Xharres i thotë: Jahja aga.

  • Fol Ymer!
  • Nesër n’vdeksha shpirti s’po m’dhimbet . Pse? Sharkija nuk met mo shkretë, dul ni ustah ma i rreptë se unë e jeta s’po m’ dhimbet tash!!!