Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Prof.Besim Këpuska: Këndi gjuhës

GAZAVAJ, SA LARG, O SA LARG…

Shumë herë u mendova të marr penën e të shkruaj disa rreshta se si po flasim dhe a po shkruajmë drejt, mirë, bukur, rrjedhshëm, pastër e pa gabime gjuhën tonë. Sikur të frymonte sot mësuesi yt i klasës së parë fillore, do të të thoshte: Kështu nuk të kam mësuar! Mësuesja ime e parë (ndjesë pastë, iku herët nga kjo jetë) na pat thënë: Mësimet nga jeta të pasurojnë e të lartësojnë, kurse arsimi formal iu siguron vetëm kafshatën e bukës.

Ç’po shohim e ç’po dëgjojmë? 

Një përqendrim i vogël i vëmendjes mjafton ta kuptosh ku qëndron niveli i njohjes së standardit të gjuhës kur diskutojmë. E kam fjalën për ju, shqipfolës, intelektualë, deputetë të nderuar, veçanërisht për ty akademik. S’po them të flisni me mjeshtëri në të folur, gojëtari (elokuencë). Nëse s’e njeh standardin, vlerën më të madhe të këtij kombi, fole atëherë gegërishten “tënde” pa gabime. Standardi i gjuhës shqipe ka qenë dhe është epërsi mbi një tjetër (avantazhi) më i madh i kombit shqiptar krahasuar me kombet sllave. S’ka gjuhë në botë që ka dy standarde. Nuk ka as shqiptarë që e njohin tërë gramatikën. Standardi është gjuhë e koduar, është akt normativ. Disa mendojnë që atë duhet ta përvetësojmë të gjithë plotësisht. Atij duhet t’i afrohemi sa më shumë që është e mundur. S’bëhet fjalë këtu e dua, s’e dua, më pëlqen, s’më pëlqen… Nuk ka gjuhë në botë që standardi është i lirë dhe mund të përdoret në forma të ndryshme. Sot të gabojmë pak, nesër më pak, pasnesër aspak.

Prof. E.Çabej shprehet: “Një shtet unitar nuk mund të mendohet pa një gjuhë unitare”. S’bëhet fjalë për soleçizma (fjalët që janë kundër rregullave gramatikore), barbarizma (fjalët e huaja), arkaizma (mënyra të të folurit që janë vjetruar e nuk përdoren më), idiotizma (që përdoren vetëm në ndonjë dialekt, nëndialekt, ose krahinë), dialektizma (fjalët e të folmet që i përkasin një territori të caktuar gjuhësor), provincializma (krahinarizma), të folmet lokale që shprehin vetitë e ndryshme të gjuhës së ndonjë krahine, por ështe fjala për ato gabime themelore gramatikore, për ato forma të drejta gramatikore.

Fjalori i gjuhës shqipe është si një hambar i madh që ka brenda gjithfarë drithi e koqinash (kokrrash tjera) si: misër, grurë, elb, tërshërë, thekër, urov, bathë, fasule, etj – thotë gjuhëtari Aleksandër Xhuvani. Kjo duhet qëruar e pastruar mirë e mirë, do shoshë e sitë fund e krye.

Flasin pa presje e pa pikë

S’dinë shqip as gramatikë

Asdreni

(… Shkrimin e plotë e gjeni në numrin 125 të Revistes Gjakovapress që doli në shitje)