Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Gjakova dhe Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (1918-1924)

Shkruan: Dr.sc Alban Dobruna

Përfundimi i Luftës së Parë Botërore nuk solli liri për shqiptarët. Ripushtimit të Kosovës, rrjedhimisht edhe të Gjakovës, në tetor 1918, i paraprinë trupat ushtarake franceze të ndjekur më pas nga ato serbe. Duke vepruar si pushtues, ata ulën flamurin shqiptar kudo, shpërndanë administratën vendore shqiptare dhe filluan riorganizimin e administratës serbe.

Rezistenca aktive e shqiptarëve kundër rivendosjes së pushtetit serb në Kosovë, filloi në gjysmën e dytë të tetorit 1918. Gjatë kësaj kohe po zbatohej rregullimi administrativo-territorial civil, duke u bazuar në rregullimin e pas luftës ballkanike. Pra ai përkon mjaft me ndarjen territoriale-ushtarake e policore. Marrë në tërësi, situatë më e vështirë ishte në Rrafshin e Dukagjinit. Kjo për shkak  se pushteti i përkohshëm policor nuk ishte në gjendje të vendoste një pushtet stabil, kurse populli shqiptar në qytet dhe rrethinë, ishte i parehatshëm.

Shqiptarët e armatosur të rrethit të Gjakovës, më 22 dhjetor 1918, arritën gjerë te Bistrica e Deçanit për të inkurajuar popullatën kundër pushtetit serb, por nuk patën sukses. Kështu, më 14-16 dhjetor 1918, krerët shqiptarë të rrethit të Pejës dhe Gjakovës mbajtën një mbledhje të fshehtë në Babaj të Bokës (komuna e Junikut, rrethi i Gjakovës) që kishte për qëllim organizimin e rezistencës kundër vendosjes së pushtetit serb. Mendohej të organizohej një kryengritje në Rrafshin e Dukagjinit dhe me ndihmën e Malësisë të asgjësohej ky pushtet, por ky synim nuk u realizua. Në këto rrethana, Mbretëria e re SKS kishte si synim kolonizimin dhe ndërrimin e strukturës etnike në Kosovë, shqiptarëve nuk iu njohën të drejtat themelore demokratike e nacionale. Serbët u përpoqën që t’i asimilonin dhe t’i  shkombëtarizonin shqiptarët, madje edhe t’i shfarosnin fizikisht. Në këto rrethana u rrit lëvizja e shqiptarëve për të shpëtuar vendin nga copëtimi i ri, për ta çliruar atë dhe për t’u bashkuar me Shqipërinë. Andaj, një grup patriotësh vendosën të krijonin një organizatë politike për t’iu paraprirë këtyre situatave kritike e të ndërlikuara.

Më 1 maj 1918 u themelua Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’, qëllimi kryesor i të cilit ishte: Shqipëria e pavarur dhe e përjashtuar nga çfarëdo lloj protektorati dhe të shpëtohet Kosova e ta bashkohet me Shqipërinë. Prandaj dhe programi i përgjithshëm i Komitetit MKK në nenin e II-të shprehej: “Se kjo Shqipni ka me pasë njato kufi qi i perkasin gjeografikisht mba parimeve të Ëilsonit, e të cilët kanë per t’u sigurue tui iu pshtet drejtave pamohushme të kombit shqiptar”. Komiteti MKK po ashtu shprehu qartë përpjekjet politike për realizimin e idealeve kombëtare të popullit shqiptar dhe për t’i mbrojtur deri në fund të drejtat e tij kombëtare. Kjo u synua të arrihej me kryengritje të armatosur, me anë memorandumesh e botimesh të ndryshme. Andaj Komiteti MKK, nisur nga ky koncept dhe me qëllim që t’u priste rrugën serbëve për të mos hyrë në marrëveshje separatiste me elementë të veçantë që do të përçanin kështu shqiptarët dhe do të copëtonin vetë Kosovën, në letrën e tij të 3 janarit 1920, drejtuar parisë së Malësisë së Madhe e të Kosovës, shkruante “… kurrkush, pos një qeverie thjeshtë kombëtare e atdhetare të Shqipërisë, nuk ka me pasë të drejtë me u marrë vesh me Serbinë, duke pranuar të marrë vetëm Pejën, Gjakovën e Prizrenin dhe për të sakrifikuar krahinat e tjera të Kosovës”.

Krahas Shkodrës, si qendër kryesore e veprimtarisë së Komitetit MKK, dega e Gjakovës së bashku me atë të Gjenevës (Zvicër), ishin dy degët e para të themeluara nga 1 maji i vitit 1918, kur edhe u themelua Komiteti MKK.(…. shkrimi i plotë në Revisten Gjakovapress nr. 125)