24 orësh i qetë në Spital dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare
Gjakovapress
Në institucionet shëndetësore të komunës së Gjakovës, nata e mbrëmshme ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë rast të dyshuar me virusin korona. Në Spitalin e përgjithshëm Isa Grezda , Hilmi Shala, u.des i detyrës së drejtorit tha se gjithçka ka shkuar normalisht, gjithnjë me vëmendje të shtuar dhe mobilizim të të gjithë mantelbardhëve.
Në faqen e tyre zyrtare kanë botuar edhe këtë foto mesazh:
Qetë ka qenë edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë familjare në Gjakovë. Shefi i njësisë së Urgjences, dr. Flori Bakalli i ka thënë Radio Gjakovës se pas tri javësh të masave mbrojtëse puna në QKMF po vijon pa problem. Ai ka thënë se ekipet mjekësore të QKMF-së në Gjakovë po kujdesen edhe për kontrollin në pikat kufitare në Qaf Prush dhe Qafë Morinë.
“Këto ekipe kishin punë më shumë deri në vendimin për mbylljen e hyrje daljeve ndërkufitare. Tash mantelbardhët tanë kontrollojnë me kujdes vetëm pacientët e Hasit e Tropojes që vijnë zakonisht në Gjakovë për shërbime të specializuara mjekësore që nuk I kanë në zonat e veta”
QKM në rrjetin social ka thënë se, “Deri me tani lajmi i mirë është shërimi i 5 pacientëve me covid 19. Lajm jo i mirë është se ka rezultuar pozitive edhe një bashkëqytetare jona ( rast kontakti). Poashtu nuk është lajm i mirë se mbrëmë u raportua se komuna jonë prinë me raste të të ndaluarve nga policia për shkelje të ndalesës së lëvizjes kjo në nivel vendi. Ekspertët thonë se kjo dhe java tjetër mund të jenë vendimtare për ecurinë e infeksionit. Mos të turpërohemi karshi të tjerëve dhe mbi të gjitha mos të dëmtojmë të tjerët me sjellje të papërgjegjshme. Ekipet tona janë të sistemuara në pikat kufitare në Qafë Prushit dhe Qafë Morinë,pastaj në qendrat e mjekësisë në Skivjan, Cërmjan, Ponoshec, Rogovë,.. në qytet dhe kudo që paraqitet nevoja. Nëse na vlerësoni mundin tonë ju lutemi QËNDRONI NË SHTËPI. KJO SHPËTON JETË. SË BASHKU DO JA DALIM! Tel. Për këshilla mjekësore: 0390 324 234 i hapur për ju 24/7.” Thuhet në njoftimin e QKMF-së.