Në Gjakovë ka filluar Festa e mjaltit e cila grumbullon rreth vetes bletarë nga e tërë Kosova dhe Shqipëria.
E ky përparim në bletari, sipas kryetarit të komunës së Gjakovës Pal Lekaj, ka ardhur edhe për shkak të përkrahjes institucionale, përkrahje që sipas Lekajt nuk do të mungojë as në të ardhmen, por përkundrazi do të rritet çdo ditë e më tepër.
“Nëse dikur mjalta është përdorur vetëm si ilaç për ndonjë të sëmurë, sot ajo është pjesë e përditshme e tryezave tona. Ne si institucione i kemi kushtuar rëndësi të veçantë bletarisë e të njëjtën gjë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen”, ka thënë Lekaj në hapje të këtij aktiviteti dy ditor.
E vet bletarët e kanë pranuar se tashmë janë kushtet më të favorshme për ushtrimin e këtij aktiviteti, pasi gjërat janë lehtësuar në mënyrë drastike.
“Sot është shumë më lehtë sepse ekzistojnë kushte shumë më të mira për bletari. Ne që jemi marrë shumë moti me bletari e dimë se ka pasur shumë raste kur nga ndonjë sëmundje e bletëve na kanë ngordhur të gjitha bletët dhe na janë dashur vite të tëra për ta riparuar dëmin. Sot ka ilaçe të shumta që garantojnë siguri të bletëve dhe cilësi të mjaltit”, ka thënë veteran i bletarisë, 83 vjeqari Sami Morina.
Por, për bletarët aktual, kjo kategori ka ende nevoja për mbështetje, sepse ashtu sikurse tregu dhe ekonomia në përgjithësi, edhe bletaria ka nevojë për reformatizim të vazhdueshëm. “Për bletarët, e në veçanti për ata që kultivojnë sasi më të mëdha është e nevojshme prezenca e një tregu të organizuar, sepse kjo do të na mundësonte plasim më të lehtë të produkteve tona. Gjithashtu do ta veçoja edhe mungesën e një laboratori i cili gjithashtu është parakusht për grumbullimin e produkteve të certifikuara të mjaltit për tregun e gjerë”, ka thënë bletari Hasan Sahiti.