“Të drejtat e grave dhe qasja e tyre në drejtësi”
Qendra për Avokim, Trajnim dhe Këshillim në mbështetje të USAID-it në Gjakovë organizoi të marten tryezën e rrumbullakët në të cilën është bërë fjalë për të gjeturat e projektit “Të Drejtat e Grave dhe Qasja e tyre në Drejtësi”.
Në fjalën e tij, panelisti Hydajet Hyseni, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka folur për rëndësinë e riorganizimit struktural të gjyqësorit si dhe angazhimin e shoqërisë civile në përmirësimin e situatës kur është fjala tek qasja e grave në drejtësi.
Tryeza ka vazhduar me prezantimin e të gjeturave të organizatave joqeveritare të cilat kanë monitoruar punën e gjyqësorit nëpër komuna. Kështu, Valbona Rizvanolli, nga organizata “Femra Aktive e Gjakovës”, ka thënë se mangësitë e shumta procedurale janë pengesë për mbarëvajtjen e punës në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Në tryezën e së martes në Gjakovë, në të cilën është bërë fjalë edhe për të gjeturat që kanë të bëjnë me trashëgiminë pasurore të grave, ka folur edhe Mauren Shaukt, drejtoreshë e Misionit të USAID-it në Kosovë, e cila ka nxitur organizatat joqeveritare që të këmbëngulin në realizimin e obligimeve të tyre, lidhur me identifikimin e pengesave, për qasjen më të madhe të grave në drejtësi.