Monday, November 4, 2024
AktualeLajme

 500 kërkesa për ndihma sociale vetëm 94 përfitues

VarferiaKriza ekonomike ndjehet përditë e më shumë. Shtresa më e varfër kërkon përkujdesjen e shoqërisë me përfitimet e pakta nga ndihmat sociale. Por, jo të gjithëve kjo dëshirë u plotësohet. Komisioni regjional mjekësor i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenës Sociale, dhe i cili është kompetent edhe për komunën e Gjakovës, gjatë 6 muajve të pare të këtij viti ka mbajtur gjithsejtë 6 seanca me ç’rast është shqyrtuar, bazuar në dokumentacionin  përkatës, gjendja shëndetësore e 500 anëtarëve të familjeve të cilat kanë aplikuar përkatësisht riaplikuar për fitimin e të drejtës për ndihmë sociale, në bazë të pa-aftësisë së punës. Prej këtij numri komisioni i ka identifikuar si të aftë për punë madje 406 prej tyre, ndërkohë që sipas vlerësimit të tyre, vetëm 94 kanë qenë të pa-aftë për punë, dhe e gëzojnë të drejtën për ndihmë sociale.

Jakup Hasi, udhëheqës i skemës së ndihmës sociale, në Qendrën për Punë Sociale në Gjakovë, ka thënë se komisioni i cili e bënë vlerësimin për aftësinë e punës, pa prezencën e personave në fjalë, shumë here ndodhë që të shpallë të aftë për punë anëtarët e atyre familjeve, të cilat jetojnë në varfëri ekstreme dhe të cilat të vetmin burim të ekzistencës e kanë ndihmën sociale.