660 Familje në listen e Kryqit të Kuq
Stina e dimrit tregohet e pamëshirshme për një numër të familjeve të varfra ngase shtohen kërkesat për ngrohje, ushqim e veshmbathje, ndërkohë që në Kryqin e Kuq Komunal lista e nevojtarëve është shtuar për 20 % krahasuar me vitin e kaluar. Zyrtarë të kësaj organizate humanitare thonë se veç plotësimit të kërkesave me veshmbathje, nuk po arrijnë që të plotësojnë kërkesat për ushqim dhe lëndë ngrohëse të rreth 660 familjarëve që janë në listat e Kryqit të Kuq të Gjakovës e të cilët, pothuajse çdo ditë trokasin në dyert e kësaj organizate. Dushe Lama, drejtuese e Kryqit të Kuq Komunal thekson se po mungojnë donatorët për lëndë ngrohëse dhe ushqime që janë më të theksuara gjatë stinës së dimrit. “ Nuk po ka donatorë siç kishim vite më parë kur ndihmonin me lëndë djegëse-dru. Në anën tjetër gjendja e rëndë ekonomike ka shtuar numrin e familjeve për strehim, ngrohje dhe ushqim, ndërsa ne po arrijmë të ndihmojmë me veshmbathje. Nuk po ndjehemi mirë kur po na trokasin për ndihmë e ne nuk mundemi t’ju ndihmojmë” theksoi Lama. Në Kryqin e Kuq komunal apelojnë tek gjithë ata qytetarë që kanë mundësi të ndihmojnë në forma të ndryshme që këtë ta bëjnë në bashkëpunim me këtë organizatë humanitare duke ua zvogëluar hallet e të varfërve.