Friday, March 7, 2025
Intervista

Abetarja me ide kreative biznesi

TË RINJTË DHE BIZNESI: Intervista Abetare Domi

abetare domi 1Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë -KIESA , në nivel vendi ka shpërblyer  gjashtë biznes-plane të cilat kanë pasur idetë më kreative për biznese. Vlerësimi i biznes-planeve më të mira është bërë nga një juri profesionale, në të cilën janë përfshirë edhe përfaqësues të asociacioneve të biznesit.

Mes të shpërblyerve është edhe Abetare Domi – për Biznes-Planin që kishte të bënte me idenë  për ofrimin e ushqimit të shpejtë. Rreth  këtij grandi, biseduam me abetaren

Për çfarë grandi bëhet fjalë?

Ky është një program nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) për ofrimin grandeve për biznes planet më të mira. Në këtë garë u shpërblyen 6-të idetë më të mira, dhe një ndër këto ide ishte edhe ideja ime për biznes. Ky biznes plan ka të bëjë më një trend të   ri në Kosovë, poashtu edhe në botë, për porositjet online. Duke qenë se po jetojmë në kohën e  internetit dhe gjithçka është e digjitalizuar, edhe stili i jetës ka ndryshuar me kohën. Në mungesë të   kohës së mjaftueshme për të kryer punë të ndryshme, sot njerëzit preferojnë që edhe blerjet e tyre ti kryejnë nëpërmjet internetit. Në këtë mënyrë, është bërë shumë e zakonshme në vendet e huaja nga dinamika e jetës, të porosisin edhe ushqimet e tyre online ose përmes telefonit.

Si lindi ideja për këtë biznes plan?

Ideja për të ofruar transport të ushqimit të shpejtë në Gjakovë lindi më shumë si një nevojë e  identifikuar në këtë qytet. Duke qenë se në shumë institucione apo edhe në kompani private punëtorët e kanë të limituar kohën e tyre të pauzës, ata preferojnë që drekën e tyre ta kenë Brenda zyrave. Tek ne ekzistojnë vetëm disa kompani të ushqimit të shpejtë që ofrojnë edhe transportin  e ushqimit të tyre. Në këtë mënyrë është shumë e nevojshme që të ketë një kompani e cila do të ofronte transportin e ushqimit të shpejtë për bizneset dhe familjet.

 Si do te realizohet ky projekt dhe kur?

Ky projekt do të fillojë menjëherë me fazat e para të implementimit, ku fillimisht do të kemi marrëveshjet me kompanitë e ushqimit të shpejtë, faza e dytë do të jetë zhvillimi i ëeb-faqes dhe marketingu, dhe faza e tretë është implementimi i biznesit. Besoj që brenda këtij viti ne do të jemi të  gatshëm të fillojmë me shërbimet e kompanisë tonë.

Gjakova njihet si komunë me vështirësi ekonomike. Si e shihni kontributin e moshatareve tu te rinj ne daljen nga kjo  situatë?

Është shumë e rëndësishme që të rinjtë e komunës sonë të fillojnë të mendojnë më shumë për  ndërmarrësin si një formë e vetëpunësimit. Unë jam shumë e lumtur që kohët e fundit ka pasur  shumë aktivitete që lidhen me ndërmarrësin dhe kjo është një mundësi shumë e mirë për të rinjtë që  të aftësohen më shumë në këtë fushë dhe të ngritën profesionalisht. Idetë e reja dhe inovative janë  shumë të rëndësishme për të rinjtë në mënyrë që t’i ndjekin edhe trendët më të reja të zhvillimit në botë.

 

abetare domiTë rinjve po u mungon guximi për të hyrë në një biznes. Cili është komenti juaj?

Unë besoj që një ndërmarrës karakterizohet me guximin për të rrezikuar, në anën tjetër nuk mendoj që do të quhej ndërmarrës! Një thënie thotë: Nëse rrezikon, mund të humbasësh, por nëse nuk rrezikon ke humbur gjithsesi..!

Krahas ideve dhe guximit padyshim se edhe mbështetja e institucioneve është e nevojshme për një sukses te një biznesi?

Po është shumë e rëndësishme, sidomos për bizneset e reja, që të kemi një përkrahje edhe nga institucionet publike për lehtësirat e të bërit biznes. Mendoj që ambienti i Kosovës për të bërë biznes është mjaft i vështirë pasi që ende jemi një vend në zhvillim dhe ka shumë mangësi që ndikojnë negativisht në zhvillimin e një biznesi. Megjithatë me një vullnet të mirë dhe punë të palodhshme bizneset mund të jenë shumë të suksesshme në vendin tonë.

Çfarë u këshilloni bashkëmoshatarëve tu që hezitojnë të nisin një biznes?

Unë kam parë dhe dëgjuar shumë ide të mira të bizneseve nga shoqëria dhe të tjerë. Mendoj që këto ide nuk duhet të mbesin veç të tilla por duhet të ekzekutohen në realitet. Unë i këshilloj të rinjtë që të jenë sa më aktiv në programet e ndryshme të biznesit, ka mjaft mundësi të mira që mund të përshtaten me idetë e të rinjve, dhe në këto forma mund t’i bëjnë realitet idetë e tyre!

Të themi se shpërndarjen e këtyre shpërblimeve e ka bërë Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bernard  Nikaj.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve do të vazhdojë të mbështesë ndërmarrësit e rinj me qëllim të lehtësimit dhe realizimit të planeve të tyre”, ka thënë Nikaj

Biznes-planet e vlerësuara nga juria profesionale janë shpërblyer me nga 5,000.00 euro të cilat  do të tërhiqen pas regjistrimit të biznesit dhe fillimit të implementimit. Në garën e Biznes-planeve kanë qenë të ftuar të gjithë ndërmarrësit e rinj potencialë    (veçanërisht studentët) që nuk kanë pasur të regjistruar biznese, por të cilët kanë ambicie të zhvillimit të ndërmarrësisë së tyre.

Vlerësimi i Biznes-planeve më të mira është bërë nga një juri profesionale, në të cilën janë përfshirë edhe përfaqësues të asociacioneve të biznesit ndërsa përparësi u është  dhënë  kritereve:

  • Ideja e elaboruar dhe praktikisht e zbatueshme e Planit të Biznesit.
  • Resurset njerëzore dhe materiale për jetësimin e Planit të Biznesit.
  • Kostoja e fillimit të biznesit nën 50000.00 euro.
  • Burimet vetjake të financimit mbi 50%
  • Deklarata e gatishmërisë për fillim të biznesit jo më larg se 30 ditë nga data e njoftimit për zgjedhjen eventuale nga juria profesionale.

Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) do vazhdojë t’i mbështesë ndërmarrësit e rinj edhe në vitet e ardhshme.

Biznes-planet fituese janë shpërblyer me nga 5 mijë euro, mjete këto të cilat mund të tërhiqen pas regjistrimit të biznesit dhe fillimit të implementimit.(Gjakovapress. Nr. 72)