Përurohet Fabrika e re Intertex Kosova
Në Ditën e 7 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me një ceremoni rasti është përuruar fabrika Intertex Kosova, në të cilën pritet të punësohen 120 punonjës. Në këtë fabrikë do të prodhohen mbulesa për makina, fillimisht për Volksëagen dhe Volvo dhe më vonë për Audi dhe Mercedes. Në ceremoninë e përurimit solemn të fabrikës Intertex Kosova, e cila është e vendosur në njërën nga hallat e ish Fabrikës së Tekstilit Emin Duraku, e para e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kjo është nisma e rikthimit të industrisë prodhuese në këtë komunë.
“Gjakova është punëtore. Gjithmonë ka treguar se mundë të gjeneroi vende të punës jo vetëm për vete por edhe për komuna tjera. Ky është rast për invetsitoret tjerë qe te vijne te investojne ne Gjakove. T’ ia kthejmë Gjakovës shkëlqimin që ka pasur dikur me punë të mundimshme sepse vetëm në këtë mënyrë sukseset janë të qëndrueshme”, tha Kusari Lila duke falënderuar për mbështetje në realzimin e këtij projekti, presidentin e AKR-së Behxhet Pacollin.
E në këtë ceremoni vet z. Pacolli ka shprehë gëzimin që në këto ambiente të Industrisë së tekstilit ku dikur gumëzhinin mijëra punëtorë të komunës së Gjakovës , sot po rikthehet vrulli i punës duke dëshmuar dashurinë dhe dijen e gjakovarëve për punë.
Kreu i AKR-së Behgjet Pacolli u shpeh se hapja e kësaj fabrike do të jetë mundësi e mirë për zhvillim ekonomik në Kosovë. Ai u shpreh i zhgënjyer me kushtet ekonomike të shumë kosovarëve.
“Do të kemi shancin të festojmë përvjetore tjera më mirë duke pasur pavarësi ekonomike dhe shpirtërore. Nuk jam i kënaqur që pjesa më e madhe jetojnë në varfëri. Jam kthyer në Gjakovë pas shume vitesh ku patëm ndërtuar shumë fabrika në Gjakovën punëtore. Prodhimet nga këtu kanë shkuar në të gjithë botën”, ka thënë Pacolli.
Menaxherja e Intertex Kosova, Ardita Rizvanolli, ka thënë se edhepse është fillimi i punës së kësaj fabrike, interesimi për prodhimet e saja është mjaftë i madh.
“Fillimisht po punojnë 70 punëtorë. Po presim kontingjentin e parë të materialeve të prera nga Suedia. Pritet të vijnë edhe trajner të tjerë nga Ukraina . Tregu është i sigurt dhe po pritet të rritet kapaciteti prodhues dhe kërkesa është shumë e madhe për prodhimet tona” tha Rizvanolli.
Njëra nga punëtorët e cila ka pas fatin që të jetë në mesën e 70 punonjësve të parë në këtë fabrike, Dashurie Berisha ka thënë se këtë moment e ka pritur për dy dekada, sepse ishte punëtore e “Jatex”-it derisa funksionoi.
Ndryshe, hapjes së kësaj fabrike i ka paraprirë nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet kryetares së Gjakovës, Kusari-Lila dhe kompanive TROX nga Suedia dhe Blue Stone Safety nga Amerika meqë në këtë fabrike së shpejti do të fillon edhe prodhimi e jelekëve të formave te ndryshme, mbajtëse te ndryshme për arme si dhe jelekëve antiplumb të gjitha dedikuar për eksport me mbishkrimin Made in Kosova.