Wednesday, April 3, 2024
Fejtone

Në kujtim të dëshmorit Bardhyl Çaushi

Nga Guri Shyti

bardhy; caushiDita e dhjetë majit 1999 duhej te ishte një ditë kur lulet shumëngjyrëshe të mbushnin fushat e kodrat e Gjakovës; kur lumi Erenik, i gufuar nga ujërat e dëborës, që po shkrinte majave të Malit të Zhurit, nga Jabllanica e Mali i Kosnicës, të rridhte madhërishëm drejt jugut, për t’u derdhur në Drinin e Bardhë; ose kur bilbilat të mbushnin ajrin me meloditë e tyre mahnitëse. Por jo. Në Gjakovë, dhe në të gjithë Kosovën, askush nuk ua kishte ngenë këtyre mrekullive të stinës më të bukur të vitit. Pushtuesi serb e kishte kthyer të gjithë Kosovën në fushë beteje, i kishte vënë zjarrin dhe, në vend të cicërimave të shpendëve, dëgjoheshin krismat e armëve vrastare të fashistëve të Millosheviçit.

Edhe profesor Bardhyli, si një përfaqësues i lartë i inteligjencës kosovare dhe i forcave kundërshtare të pushtuesve gjakatarë, ndodhej në radhët e para të rezistencës. Ai, në përpjekjet e tij për të ngritur sa më shumë njerëz në luftë dhe për të mbajtur lart moralin e popullit të Gjakovës, nuk pranoi të largohej nga qyteti për të shpëtuar jetën e vet. Prandaj, atë ditë të zezë, paraushtarakët serbë, të cilët kishin dit që e kërkonin, pasi i dogjën shtëpinë, e nuhatën vendin se ku ndodhej, ndoshta edhe me ndihmën e ndonjë spiuni vendas, që për fat të keq nuk kanë munguar kurrë t’u shërbejnë pushtuesve dhe, pasi shqyen derën e shtëpisë së lagjes Çabrat, derdhën mbi të, dhe mbi kunatin që e shoqëronte, Bashkim Domin, të gjithë breshërinë e urrejtjes që u ishte grumbulluar gjatë dekadave të veprimtarisë patriotike të Bardhylit.

Ai ra heroikisht, ashtu siç edhe kishte jetuar. Ra nga dora gjakatare e atyre pushtuesve që i kishin varur gjyshin, luftëtar të lirisë, në v. 1913 të shekullit XX. Të atyre që e kishin përndjekur Bardhylin gjatë gjithë jetës për shkak të dashurisë që ushqente ai për popullin e vet, për Atdheun e tij, Kosovën dhe Shqipërinë.

Profesor Bardhyli, duke ecur me kokën lart e me mendje të ndritur, nëpërmjet shumë peripecive e pengesave që pushtuesit serbë i vinin rrugës së tij, kishte arritur deri në detyrën e nderuar të dekanit të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Ndeshja e parë me forcat e errëta të pushtimit ndodhi kur, duke qenë kryetar i Gjykatës Komunale të Gjakovës, në v. 1969, në një darkë familjare këndoi një këngë popullore të vjetër, e cila tallte Car Nikollën e Malit të Zi, ku thuhej, midis të tjerave: “…Car Nikolla kryelopa, s’merret Shkodra me dy topa”. Spiuni i ndodhur ne atë tubim, lajmëroi atje ku paguhej dhe, Bardhylin, pasi e paralajmëruan, e shkarkuan nga kryetar gjykate.

Në këtë periudhë të vështirë për jetën e tij, kur ishin hapur fjalë se Bardhyli do të arrestohej, i ndodhi një episod shumë domethënës.

Kohë më parë, në një gjykim, Bardhyli kishte dënuar një fshatar, për një shkelje ligjore që ai kishte bërë. Fshatari i mençur shqiptar, jo vetëm që nuk ia kishte marrë për keq dënimin, por, kur dëgjoi se Bardhylin po e kërcënonin serbët, i shkoi një ditë dhe i trokiti në portë të shtëpisë. Bardhyli doli dhe, kur pa fshatarin që dikur e kishte pas dënuar, shtangu. Fshatari që vuri re ngurrimin në sytë e të zotit të shtëpisë, ndërhyri menjëherë duke i thënë: “Zotni gjykatës. Më ka ra në vesh se po të kërcënojnë shkiet. Nëse do të kesh nevojë për ndihmën teme, do të jem gjithmonë përkrah teje, të të mbroj, qoftë edhe me jetën teme. Ti po e din se prej kah jam unë dhe më thirr. Hajt mirë mbetsh”. Kjo sjellje fisnike, tipike kosovare e fshatarit, e shastisi aq shumë Bardhylin, saqë me zor arriti t’i thoshte: “T’u rrit ndera”.

Kjo ngjarje, përpos shpirtit të gjerë dhe patriotizmit të fshatarit, tregon edhe një karakteristikë themelore që e përshkonte si një fill i kuq të gjithë jetën e Bardhylit: të qenit i drejtë.

Bardhyli kishte mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Shkup, kishte kryer studimet pasuniversitare në Zagreb dhe kishte mbrojtur gradën e doktorit në Fakultetin Juridik të Zagrebit. Drejtësia në kuptimin e plotë e të gjithanshëm të kësaj fjale, nuk ishte vetëm një profesion për Bardhylin, ishte një thirrje e brendshme e shpirtit, ishte një pasuri që ai e mbartte brenda vetes, të cilën edhe e përjetësoi me studimet e tij në atë fushë. Kudo ku punoi, në fillim si gjykatës, apo si asistent e pastaj pedagog i të drejtës romake dhe në fund dekan i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, ai nuk pushoi së qeni i drejtë në gjykim e në veprim, pra u jepte njerëzve drejtësinë që vetë e kishte me shumicë, pasi, siç thotë shkrimtari dhe filozofi Leo Buskalja: “Nuk mund t’i jepni askujt atë që nuk e keni”.

Ishte kjo arsyeja që u zgjodh kryetari i parë i Shoqatës së Juristëve të Kosovës, në krye të së cilës zhvilloi një veprimtari të gjerë dhe shumë të suksesshme për shërimin e plagës shekullore midis shqiptarëve, gjakmarrjes, si pajtues gjakesh në Gjakovë e rrethina. Ai pajtoi shumë familje që ishin “në gjak” me njëra-tjetrën. Kjo veprimtari e vazhdueshme e tij bëri të forcohej më tej kohezioni midis shqiptarëve, gjë që dha ndihmesën e vet në atë që kulmoi me kryengritjen e armatosur të viteve 90 të shekullit XX, për të fituar lirinë e pavarësinë. Kjo veprimtari e profesor Bardhylit dhe shokëve të tij, binte ndesh me synimet e shovinistëve serbë, të cilët mundoheshin të nxitnin me të gjitha mjetet armiqësinë dhe dasitë midis shqiptarëve për t’i sunduar më lehtë.

Patriotizmi i tij i paepur u shpreh edhe në luftën që bëri ai, së bashku me intelektualë të tjerë kosovarë, për domosdoshmërinë që, në Universitetin e Prishtinës, të zhvilloheshin mësimet në gjuhën e njësuar shqipe, në Kongresin përcaktues të së cilës, në v. 1972, qe pjesëmarrës, si një nga të dërguarit e Akademisë Kosovare të Shkencave.

Përpos dhuntive të tjera, profesor Bardhyli kishte tiparet dalluese të një shkencëtari. Ai ishte vëzhgues i vëmendshëm, hulumtues i thellë e skrupuloz dhe përgjithësues me shokë të rrallë. Ai, pas hulumtimesh të gjata, që në v. 1970, shkroi studimin e parë të tij me titull “Shkurorëzimi për shkak të jetës së padurueshme bashkëshortore”, të cilin e botoi në revistën “Përparimi” Nr. 6 të atij viti. Por pasioni i tij i vërtetë shkencor ishte studimi i zakoneve dhe traditave të popullit shqiptar. Në shumë nga shkrimet e tij të mëvonshme ai, teksa botonte hulumtimet e tij në fushën e autonomisë së vullnetit e të drejtës civile, e tregoi veten si një analist i thellë i kësaj fushe, gjë që u konkretizua në disa artikuj mbi të drejtën e parablerjes, mbështetur në të drejtën zakonore shqiptare, kontratën e dorëzanisë, të huas dhe të shitblerjes në të drejtën romake. Ai u dallua edhe në fushën e besës së dhënë dhe mbajtjes së saj, mbajtjen e fjalës dhe premtimit, fenomene të cilët i shikonte si vazhdimësi të prejardhjes iliro-shqiptare, fusha këto, që, ndonëse të rrahura edhe nga studiues të tjerë, panë tek profesor Bardhyli një qasje të re e të veçantë.

Pikërisht në kërkim të rrugës së drejtë të çlirimit të popullit të tij, profesor Bardhyli u përfshi edhe në politikën kosovare. Ai ishte ëndërrues dhe, siç thotë Oskar Ualdi: “Ëndërrues është ai njeri që di ta gjejë rrugën e tij, qoftë edhe i vetëm, në dritën e hënës, dhe dhuntia e tij është se e sheh agimin shumë më përpara se të tjerët”.

Vetëm se ai kurrë nuk e pa hyrjen në politikë atë si një rrugë për t’u pasuruar, apo për të bërë karrierë, por “për të parë agimin” e lirisë. Ngjarjet politike, që patën vend në fillim të viteve 90 në Kosovë, i hoqën cipën e hirit atij zjarri përvëlues, që prej kohësh digjej brenda tij, ashtu si në të gjithë patriotët kosovarë, dhe zgjuan tek Bardhyli trashëgiminë e gjyshit të masakruar.

Profesor Bardhyli u përfshi në radhët e LDK dhe në udhëheqje të saj, duke drejtuar degën e Gjakovës të kësaj force politike. Ai, në kuadër të LDK-së, luftoi me të gjitha forcat dhe aftësitë e tij organizative e intelektuale, si një lider i vërtetë politik e atdhetar, për krijimin dhe forcimin e një shteti me baza të shëndosha të Republikës së ardhshme të Kosovës. Ishte pikërisht në krye të këtyre detyrave fisnike kur u zbulua dhe dha jetën i përshkuar nga plumbat e fashistëve të Millosheviçit.

Armiqtë serbë, sikur të donin ta çonin deri në fund veprën e tyre makabre, ashtu siç veprojnë të gjitha diktaturat dhe diktatorët, përfshi edhe diktaturën moniste shqiptare, deshën të zhduknin edhe kufomën e Bardhylit teksa e degdisnin kushedi se ku, nëpër humbëtirat serbe. Vetëm me këmbënguljen e familjarëve të profesor Bardhylit dhe me ndërhyrjen e qeverisë së Kosovës e të KFOR-it u bë e mundur që, në fund të shtatorit të v. 2005, eshtrat e tij të ktheheshin për t’u prehur në tokën amë, së cilës ai iu përkushtua deri në vetëmohim. Gjatë rivarrosjes, në varrezat e posaçme të dëshmorëve të Gjakovës, një turmë madhështore ishte mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Gjatë ceremonisë folën shumë bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë të profesor Bardhylit, ndër të cilët dallohej, profesor Fatmir Sejdiu, President i atëhershëm i Republikës së Kosovës, njëkohësisht dhe ish-student e, më vonë, koleg i profesor Bardhylit.

Ndonëse gjatë kremtimeve të pesë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, me sa më kujtohet, emri i Bardhyl Çaushit nuk u përmend, ai është dekoruar me “Medaljen e artë të Pavarësisë”, me “Medaljen e Artë “Mësues i merituar” dhe me Medaljen e Artë Presidenciale të Meritave”. Banorët e Gjakovës, teksa do të kalojnë në njërën nga rrugët kryesore të qytetit të tyre, që mban emrin e profesor Bardhylit, do ta kenë gjithmonë në sy, në mendje e në zemër.

Shkruesi i këtyre radhëve nuk është as gjakovar dhe as kosovar, por nga Vlora e Labërisë. Vlora dhe Gjakova janë dy nga trevat shqiptare, të cilat, ndonëse larg njëra-tjetrës, i bashkon një lidhje e fuqishme, që është patriotizmi i tyre i flaktë, besnikëria, trimëria dhe çiltëria përpara Atdheut dhe njerëzve. Këto tipare e përshkonin jetën e profesor Bardhylit, prandaj, ky shkrim i kushtohet kujtimit të tij të përjetshëm.

Tiranë shkurt 2013

GURI SHYTI