130 vjetori i shkollës së parë shqipe
Sa gjëra kanë ndryshuar gjatë këtyre viteve në botën e edukimit dhe arsimimit. Vetëm kjo dritë ndriçon me të vërtetë të gjitha skutat e errëta.
O kujtime, kujtime! Si na paraqiten aq të gjalla në kohën e pleqërisë dhe sot i kujtojmë pas 65 vjetësh me shumë devocion ata mësues dhe mësuese të nderuara.
Mendimtari kinez, Konfuçie, shprehet: “Pesha e qiellit dhe vlera e mësuesit nuk mund të maten”. Unë do të shtoja edhe këtë: Mësuesi i mirë shëron si mjeku, por në ndryshim nga ai që përdor terapinë mjekësore, mësuesi orientohet nga terapia psikologjike e peagogjike.
Këtë radhë do t`ia kushtoj dy fjalë mësueses nga një kënd tjetër nga ai i rolit, detyrës dhe personalitetit të saj për të gjetur forma të ndryshme argëtimi në aktivitetet e lira. Të motivosh nxënësit do të thotë të krijosh tek ata emocione të fuqishme pozitive, t`iu ndihmosh dhe t`iu vlerësosh punën që bëjnë. Ardhmëria e tyre varet nga puna, edukata, angazhimi dhe arsimimi i tyre.
Pedagogu i njohur francez, Arnold Clause, shprehet: “ Një mësues konsiderohet i mirë kur është një organizator i mirë që di të evitojë si qëndrimet autokratike, ashtu edhe ato liberale”.
Për nxënësit e klasave të para (7-8 vjeçarët) mësuesja është njeriu më ideal në shoqëri, shëmbëlltyrë e korrektësisë në punë, e garancisë për të fituar dituri, e modelimit të sjelljeve në shoqëri, shkollë, familje e kudo. Mosha jonë kërkonte argëtime e lojëra të ndryshme. Nëse ajo do të mbetet tërë jetën në kujtesën e nxënësve, kjo varet nga mjeshtëria e fjalës dhe e komunikimit, njohja e metodave didaktike, korrektësia e ndërgjegjja profesionale, mosshkelja e personalitetit të nxënësit, se ajo është fyerja më e rëndë që i bëhet atij, puna sistematike e motivim të përhershëm.
Ç`bënë, pra, ata mësues për ne në atë kohë? 8-10 nxënës mbanin në duar një gëzhdap (dru, kopaçe, dajak) e symbyllazi i gjuanin vegshat (vorbat) e varur të vendosur në një tel në oborrin e madh e të përshtatshëm për aktivitete të lira të shkollës “Mejtepi Ruzhdie”.
Ç`kishte në ata vegsha (vorba)?
Libër, fletore, pëllumb, dhallë, ujë, laps me gomë, pako e vogël me bonbona, 3-4 topa kokoshka (pupagjela, gjeldash) – ne i themi palagaça, e ndonjë gjë tjetër (më kanë dalë nga kujtesa). Këto lojëra për ne ishin gjithçka. Pata fatin të jem edhe unë pjesëmarrës në këto aktivitete duke fituar një libër (e mbaj në mend si sot). Për gjeneratën tonë kjo mbetet një emnesë (ngjarje që kurrë nuk harrohet).
Në personalitetin e saj ne gjetëm mësuesen fjalurtë me këshillat e saj të kujdesshme, mësuesen e palodhur, atë grua gojëmbël e shpirtmadhe. Na dhuronte edhe buzëqeshje, sepse ajo (buzëqeshja) i pasuron ata që e marrin dhe nuk i varfëron ata që e japin, ajo nuk blihet as nuk merret borxh.
Ju sot s`jeni në këtë jetë, por jetoni në ne e me ne. Ato që kanë lënë gjurmë vdesin me vdekjen tonë.
“Mësueseve të ndershme
Urojmë ngjatjetime
Me gjithë zemër sot
Për punët aq të vlershme
Këshilla dhe mësime
Që nuk jarrohen dot”
Guri më i qëndrueshëm i një ndërtese është ai që është vënë i pari në themelin e saj. Ju, mësuesja jonë, ishit ai guri i parë që vutë në qenien tonë.
Urime zemre të gjithë mësuesve dhe mësueseve shqiptare.
Juve që jeni afër pensionimit – ju dëshirojmë shëndet e pleqëri të bardhë!
Besim Këpuska