Studentët e UGJ Fehmi Agani në aksion humanitar
Për të shënuar 2 Prillin – Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, studentët e Fakultetit të Edukimit të UGJFA-së të premten organizuan aktivitetin me titull “Autizmi – Bashkohu edhe ti”.
Studentët përgatitën ushqime dhe ëmbëlsira, të cilat i ekspozuan në qendrën e qytetit të Gjakovës, duke u dhënë mundësi qytetarëve që t’i blejnë ato.
Mjetet e mbledhura nga qytetarët e shumtë që vizituan pikën ekspozuese të studentëve do të shfrytëzohen për blerjen e materialeve shkollore për nxënësit e klasës së bashkëngjitur në Sh.F.M.U. “Yll Morina” ku nga 38 nxënës, 7 prej tyre janë të prekur nga Autizmi.
Iniciativa dhe aktiviteti i studentëve i udhëhequr nga mësimdhënësja MSc. Venera Vala, u mbështet nga shumë studentë, parlamenti studentor, personeli i UGJFA-së dhe u përgëzua nga Rektori Buza, të cilët edhe vizituan pikën ekspozuese duke përshëndetur fëmijët dhe prindërit e tyre që ishin prezent.