Monday, September 2, 2024
Lajme

Dredhëzat e Gjakovës në treg

Ka disa ditë që në treg kanë dalë dredhëzat që kultivohen në plantacionet e komunës së Gjakovës. Fermerët gjakovarë tashmë janë në vlug të vjeljes së dredhëzës në rreth 6 hektarë plantacione ndërkohë që rendimentet e saj sipas vlerësimeve të para janë të mira. Kultivuesit e kësaj kulture sezonale dhe mjaftë të kërkuar, viteve të fundit në saje të mbështetjes me fidanë dhe këshilla profesionale nga organizata ndërkombëtare e vendore si dhe me investimet vetanake, kanë arritur që të zgjerojnë sipërfaqet e mbjella me dredhëza.

Fermeri Islam Rexha ka disa vjet që kultivon dredhëzën e tipit holandez që jep rendimente dhe cilësi të lartë. Sivjet ka në prodhim 1 hektar e 20 ari dredhëza dhe ka disa ditë që ka filluar vjeljen. Rexha shprehet të jetë I kënaqur me rendimentin e arritur, ndërkohë që gjithë prodhimin e plason në Gjakovë dhe në tregun e Prizrenit.
Në anën tjetër Zyrtarë të drejtorisë komunale të Bujqësisë thonë se përvoja e disa fermerëve që merren me kultivimin dhe prodhimin e dredhëzave në sipërfaqe më të mëdha ka bërë që interesimi nga viti në vit të shtohet. Fermerët e shohin llogarinë e vet financiare në kultivimin e dredhëzës. Aktualisht në komunën e Gjakovës ka rreth 6 hektarë të mbjella me dredhëza. Siç bëhet e ditur, pothuajse i gjithë prodhimi i dredhëzës i dedikohet tregut vendor. Në anën tjetër dalja në treg e dredhëzave vendore ka ulë çmimin e lartë të dredhëzave nga importi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *