Monday, December 30, 2024
Kulturë

Kujtohet poeti gjakovar Agim Deva

Në katërvjetorin e vdekjes poeti Agim Deva kujtohet me poezi

Klasat e shkollave fillore me shumicë fëmijësh në audiencë, për dekada të tëra ka qenë vendtakimi i poetit Agim Deva. Në katërvjetorin e vdekjes së tij, klasa e shkollës fillore “Dardania” në kryeqytet, ka qenë e mbushur përplot fëmijë dhe mësimdhënës. Organizatorët e “Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë”, kanë zgjedhur që në ditën kur bëhen katër vjet prej vdekjes së Devës, ta përkujtonin atë duke lexuar poezi. Fëmijë të kësaj shkolle kanë qenë poetët të cilët i kanë recituar poezitë e tyre që ia kanë dedikuar poetit por edhe të tjera.


agim deva“Për herë të parë kur lexova poezinë tënde më nuk mund të ikja nga ajo. Ti mbete inspirimi im”, thoshte një nga nxënëset e shkollës teksa recitonte poezinë e saj, kushtuar poetit të preferuar të saj. Të tjerë nxënës e kanë krahasuar Devën edhe diellin dhe hënën. Poezi kanë lexuar edhe disa nga kolegët e poetit Deva. Shumica e tyre kanë shpalosur detaje nga eksperiencat e tyre me shkrimtarin e njohur për fëmijë. Njëri nga ta, shkrimtari Ibrahim Kadriu, e ka cilësuar Devën si njërin prej poetëve më të mirë të fëmijëve. Sipas tij, natyra e Devës ka qenë e atillë, që ka përjetuar secilën ngjarje që ndodhte në vend, në mënyrën e tij. “Agimi përjetonte gjithçka në mënyrën e vet, por e thoshte atë nëpërmjet humorit”, ka thënë Kadriu Ai ka kujtuar edhe takimet e shpeshta me Devën, duke thënë se poeti brengosej dhe i kishte plagë shumë ngjarje të cilat ndodhnin atëkohë në vend. E njëra nga ngjarjet interesante që u ka ndodhur atyre, gjatë një udhëtimi, i ka mbetur në kujtesë Kadriut. “Ne ishim duke u kthyer nga Gjilani dhe tek liqeni i Badovcit na ndali KFOR-i”, ka kujtuar Kadriu. Ai ka kujtuar momentin, kur siç thotë Kadriu, poeti Deva do t’u thoshte ushtarëve se “ai e di se ku ka armën”.

“Ushtarët u afruan tek ne dhe e pyetën Devën se ku janë armët. Ai i tha: ‘Shkoni në Mitrovicë’. Me këtë ushtarëve ua mbylli gojën”, kujton Kadriu. “Mitrovica për të ishte plagë, ashtu sikurse për shumicën nga ne. Prandaj kam vendosur që ta lexoj një poezi timen për Mitrovicën, por që i kushtohet Agimit”, ka thënë Kadriu, teksa ka lexuar poezinë e tij. E leximi i kësaj poezie nga kolegët e Devës, por edhe nga nxënësit e shkollës “Dardania” ka bërë që familjarët e tij të mos mund t’i mbanin lotët. Megjithatë kolegët e Devës si poeti Gani Xhafolli, kanë lexuar poezitë e tyre, kushtuar shkrimtarit të ndjerë. Sipas Xhafollit, Deva mbetet një prej poetëve më të dashur për secilën gjeneratë të fëmijëve. Për të shpërfaqur personalitetin e Devës, Xhafolli ka treguar një mesele që kishte të bënte me fise dhe prijës fisesh. E  Xhevat Syla, koordinatori i “Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë”, që tash mban emrin e Agim Devës, nuk ka folur për të e as nuk ka lexuar poezi të tijën, kushtuar Devës. “Në vend se të flas për të kam vendosur që ta lexoj poezinë e tij ‘Fotografia’, e cila më pëlqen shumë”, ka thënë Syla. Deva kishte doktoruar në fushën e letërsisë, ligjërues në Universitetin e Prishtinës. Deva ishte anëtar i PEN- Qendrës së Kosovës dhe themelues e drejtues i “Karvanit të shkrimtarëve për fëmijë” që nga viti 2000 e këtej. Po ashtu, që nga viti 2005 ishte edhe anëtar i shoqatës “Pranë fëmijëve”. Botoi një numër të konsideruar veprash letrare (prozë e poezi), antologji të ndryshme, panorama të poezisë botërore, vepra të ndryshme shkencore, monografi, kritika, recensione, ese, parathënie e pasthënie, një libër leximi për klasë të katërt fillore, dy libra për fëmijët e hendikepuar, libra ilustrativë për fëmijët e moshave parashkollore, libra me karakter ambiental dhe së fundi Abetaren. Që të gjitha këto shtrihen në 80 libra.

Poezitë e tij u përkthyen në disa gjuhë të huaja si në anglisht, gjermanisht, arabisht, italisht, rusisht, sllovakisht, rumanisht, kroatisht, turqisht, sllovenisht e maqedonisht. (marrë nga koha.net)