Gjakova fituese e turneut “Kupa e Qyteteve” në futsall
Ekipi i Gjakovës e ka fituar edicionin e shtatë me radhë të turneut “Kupa e Qyteteve” në futsall, që organizohet tradicionalisht nga Federata e Futbollit e Kosovës, gjegjësisht Komisioni për Futsall, në nderim të heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha. Pas ndeshjeve gjysmëfinale, të cilat u zhvilluan ditë më parë në Junik dhe Podujevë, të merkuren në mbrëmje, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në praninë e qindra shikuesve u zhvillua ndeshja finale ndërmjet Gjakovës dhe Skenderajt. Pas një loje tejet interesante dhe me aksione atraktive, në fund fitores iu gëzua ekipi i Gjakovës i përbërë nga futollistët e FC Liburn, , me rezultat 5:4. Golat për gjakovarët i shënuan Arbër Dobroshi (3’), Ramadan Alaj (21’, 34’), Nexhip Selimi (23’) dhe Halim Selmanaj (27’).
Lojtari më i mirë i turneut u shpall Halim Selmanaj. Portieri më i mirë u shpall Alfred Prençi. Ndërkaq, trofeu i golashënuesit më të mirë i takoi Arbër Dobroshi.
Medaljet për ekipet finaliste i ndanë kryetari i Komisionit të Futsallit, Rasim Gimolli dhe familjarët e heronjve Pajaziti, Zejnullahu e Hoxha, derisa kupën për vendin e dytë kapitenit të Skenderajt, Florim Thaçi ia dorëzoi Floretë Zejnullahu, mbesa e heroit Hakif Zejnullahut, derisa kupën e vendit të parë kapitenit të Gjakovës, Nexhip Selimi ia dorëzoi Bajram Pajaziti, i vëllai i heroit, Zahir Pajaziti.
Ndërkohë, para ndeshjes finale u zhvillua ndeshja e veteranëve ndërmjet Llapit dhe Dukagjinit, të cilën e fituan veteranët e Llapit, me rezultat 4:2.